PSIKOLOGJI

Detyra pa bërë naze

Është kthyer një sfidë e madhe të bindësh një fëmijë të bëjë një detyrë, sidomos atë që e ka "detyrë shtëpie" prej shkollës. Çfarë mund të themi ne si prindër? E kemi fajin ne që nuk ia kemi mësuar apo fëmija që është "dembel", "kokëfortë" etj?

Është kthyer një sfidë e madhe të bindësh një fëmijë të bëjë një detyrë, sidomos atë që e ka "detyrë shtëpie" prej shkollës. Çfarë mund të themi ne si prindër? E kemi fajin ne që nuk ia kemi mësuar apo fëmija që është "dembel", "kokëfortë" etj? 


Unë mendoj se është pak nga të dyja, por dhe nuk është asnjëra. Fëmijët nuk janë dembelë, ata thjesht bëjnë zgjedhje më oportune në bazë të kostos së përpjekjes që i duhet të bëjnë për të berë një detyrë. Është më e thjeshtë te rrish ulur dhe të shikosh televizor sesa të bindesh të kryesh një detyrë. Mbi të gjitha, është më argëtuese. Nga ana tjetër edhe prindërit bëjnë llogaritë e tyre, pa marrë parasysh pasojat: është më e thjeshtë të veshësh fëmijën shpejt e shpejt sesa të presësh të vishet vetë. Apo, është më "e lehtë" t'i flasësh fëmijës "është koha të bësh detyrat", "ik laj duart, tani" etj, ndoshta edhe duke ngritur zërin sesa të çohesh dhe ta bësh bashkë me të. Jo, nuk do e bëni ju për të, do e bëni bashkë me të. Ju thjesht do jepni modelin. 


Mbi të gjitha këto aktivitete detyrash do të duhet të nisin që në moshë të hershme. Krijoni rutina higjene që kur fëmija është bebe. Lajini duart me bebin gjithmonë para ushqimit, dhe kur fëmija të rritet lajini bashkë me të para ushqimit dhe mbas tij. Gradualisht lëreni te jetë i pavarur. Shpërbleni çdo rast kur fëmija e propozon vetë larjen e duarve, veshjen e pizhamave apo rrobave të tjera. Edhe lodrat që fëmija prish, mblidhini së bashku.


Nëse ia propozoni t'i bëjë vetë pa asnjë ndihmë që në fillim, balanci i kostove rritet dhe fëmija do zgjedhë të thotë "jo!" Por nëse i propozoni t'i fusni së bashku, ku i tregoni pjesën tuaj dhe atë të fëmijës që fillimisht është më e vogël dhe pastaj rritet gradualisht deri në rregullimin e plotë të tyre, atëherë fëmija do të jetë më bashkëpunues. 


Kështu ndodh edhe me detyrat e tjera, sidomos me detyrat e shtëpisë. Kur ju i kërkoni të bëjë detyrat, fëmija reagon me nervozizëm se e di që ato janë shumë. Propozojini që në fillim kohën që do të duhet të bëjnë detyrat. Me pas ndajeni në katër pjesë, ku pushimi midis të jetë sa një e katërta e një të katërtës së kohës. Pra, nëse janë 60 minuta detyra, ndajeni 15 minuta detyra dhe rreth 4 minuta pushim me zile në dorë. Le të bëjë çfarë të dojë fëmija, përveç lojërave elektronike dhe televizorit, që janë vërtetuar shkencërisht që krijojnë veshtirësi në shkëputje, pasi kosto oportune është më e madhe. 


Atëherë, filloni të rrisni gradualisht si kohën e detyrës edhe atë të pushimit, por me një kusht, nuk mund të kalojë më shumë se 30 minuta duke bërë detyra.  Pra, jepni kohë pushim fëmijës dhe lehtësoni detyrën gjithashtu. Nëse detyra është shumë e gjatë dhe e vështirë, ndajeni atë me pjesë dhe jepini mundësi suksesi për të fituar besim dhe siguri për vazhdimin. Keni për të parë se fëmijët do të jenë më të motivuar. Rezervoni shpërblime me aktivitete, jo monetare. 


Por, mos ia thoni asnjëherë fëmijës, që ky i fundit të mos bëjë "pazar" me ju duke vlerësuar kështu nëse ia vlen mundimi për të punuar apo jo. Ju do i ofroni dicka që fëmija nuk e pret dhe ai do të jetë i predispozuar ngahera të bashkëpunojë. 


Duket sikur kështu po "i përkëdhelim" fëmijët tanë, por ju premtojë që nuk është kështu, thjesht po i trajtojmë ata me kujdes për vetëvlerësimin e tyre dhe me dashuri.



(Drnt. Denata Toçe, Portali Shkollor)

6,699 Lexime
4 vjet më parë