REFLEKSION

Fundit i Vitit si fillimi i jetës!

Jeta na është dhënë një herë dhe çdo vit rifillon me këtë kujtesë, duke e vlerësuar çdo moment, i lumtur apo i trishtë qoftë ai, por i mbushur me shpresën që nuk largohet kurrë prej nesh dhe me dashurinë si pasurinë më të madhe që njerëzimi ka.

Fytyra e fëmijëve flet më shumë se çdo fjalë që mund të nxjerrë goja e të rriturve. Më pëlqen shumë t'i shikosh ato fytyra përpara ndodhive të ndryshme. Këtë vit kam parë shumë prej tyre, kam marrë emocione të cilat i ruaj në historikun e përvojes sime si një thesar i vyer. Kam parë gëzimet e para, lumturinë e një çasti, trishtimin dhe zhgënjimin e një humbjeje, mundimin e një fillimi dhe mundimin e një mbarimi. Të gjitha këto, vetëm në fytyrën e një fëmije mund t’i shikosh si ato filmat naiv që i thonë të tëra, për përdorur shumë fjalë. 


Kështu ndodhi, “filmi” i të vërtetës së jetës, nis me një lajm. Kështu pashë për herë të parë fytyrën e një fëmije 6 vjeç, djalit tim, ndërsa i komunikova se do të bëhej me një vëlla. Më tha se nuk po i thoja të vërtetën, se po e gënjeja pasi duhet ta kisha barkun e madh. Ende nuk e kishte kuptuar ciklin e rritjes së një jete brenda mamit të vet, ose thjesht ai nuk donte të ndante dashurinë tij me askënd. Nuk e kuptova asnjëherë plotësisht, por fytyra e tij më tregoi gjithçka rreth emocionit të tij. Më tregoi sesa e vështirë është të përballesh me ndryshimin se një qënie e re do të hyjë mes dashurisë dhe vëmendjes së tij. Ankthin e fëmijës si diçka e re që papritur do të vijë, por edhe pse nuk është ende mes nesh, fytyra e prindërve tregon kaq gëzim. "Si ka mundësi që ata, prindërit nuk e mendojnë si unë"? Donte të thoshte fytyra e tij e pastër dhe e çiltër. Kaq desha të shikoja për t’u kujdesur që natyra të bënte punën e saj, dhe unë të ndaja me djalin tim të gjithë të vërtetën me emocionin e tij. T’i tregoja rrugëtimin nëpërmjet syve të tij dhe rritja e një fëmijë në trupin tim ishte një gëzim tjetër dhe i ndryshëm nga ai që kisha përjetuar më parë. I tregova dashurinë time të parë me të, se si përjetova kur prisja për herë të parë një djalë. Nuk e harroj buzëqeshjen çliruese të Samuel. Nuk i harrojë asnjëherë sytë e mbushur me pak lot dhe atë fytyrë përpara meje të përqëndruar, sikur donte të më thoshte: mami, të lutem mos më ndaj nga vetja asnjë moment, kushdo që të vijë. Kështu nisi fillimi i një jete të re dhe vazhdimi i një prindërimi të cilin e mësova nëpërmjet syve të fëmijëve të mi.


Çfarë mund t’ju them për gëzimet e para? E keni parasysh atë ndjesinë kur ishit fëmijë që mezi prisni të rriteshit dhe t’ju dëgjoheshe fjala? E keni parasysh kur motra apo vëllai juaj ishte sfida se një ditë edhe ju do të ishit si ajo ose ai? Nuk mund të harroj fytyrën e të gjithë atyrë fëmijëve që kam parë në klinikën time, të vijnë të vegjël dhe të largohen të rritur si shpirtërisht edhe fizikisht. Këtë vit kam përcjellë dy adoleshentë prej kësaj klinike. I kam takuar të vegjël, i kam parë të rriten dhe ndërsa i komunikoja sesa krenare isha për ata, sesa shumë ishin rritur dhe sesa shumë të guximshëm ishin treguar duke ndarë me mua jetën e tyre, shikoja mallëngjimin prej lumturisë së një çasti; gëzimin e një shpirti, sikur mbush një gotë me pijen e preferuar dhe nuk ia ndan syte deri sa të mbushet plot, pa dershur asnjë pikë. Ndjeja gëzimin që ata tashmë ishin rritur. Nuk ma thanë asnjëherë, por fytyra e tyre me tregoi shumë, shumë më tepër. 


Nuk mund të harroj pa sjellë në këto përjetime, fytyrën e fëmijëve ditën e parë të shkollës. Midis frikës dhe gëzimit, midis emocioneve të një përvoje që nuk e njeh, dhe për herë të parë i duhet të vazhdojë i vetëm, në përgjegjësinë e një detyre që nga të gjithë i është komunikuar se është shumë e rëndësishme. Këtu ndodh ajo ndarja e dhimbshme midis fëmijës lojëcak, që ende do të lundrojë me lodrave dhe kohës së lirë dhe detyrimit ndaj dijes. Fytyra e fëmijës e tregon qartë se nuk ia ka ende idenë dhe nuk i bëhet shumë vonë, të paktën referuar mendjes së të rriturve, se ku do e çojë e gjithë kjo. Ai thjesht do t’i kthehet edhe një herë lojës. Ndaj dhe midis gëzimit të një çante të re, të librave të një fëmije më të rritur, të një ndryshimi se ai nuk është më në kopsht, është edhe trishtimi dhe ndonjëherë lotët e pas tre ditëshit se shkolla është një punë që do të duhet të bëhet, madje dhe se loja do të duhet të presë pasi të mbarohet kjo punë. Epo, suksese!


Nuk e di se si ikën kaq shpejt pushimet verore, ndoshta sepse në jetë solla fëmijët e dytë. Ardhja e tij ishte magjike dhe nuk mund të harroj fytyrën e djalit tim ndërsa e pa për herë të parë. Ajo ishte fytyra më e bukur që unë kisha parë. Ndoshta e pashë pak edhe midis emocioneve të mia. Doja shumë të besoja se ai po ndihej i lumtur po aq sa unë. Por në fakt, ishte emocioni i diçkaje që mori forma konkrete dhe se ai do të donte konfirmim të menjëhershëm se ku do të ishte vendi i tij tani. Ndaj, të dy ne si prindër, e përqafuam fort dhe nuk e ndamë nga vetja asnjë çast, për t’i treguar vendin e tij. Por atë fytyrë dhe ato dy faqe të skuqura nga mbushja me shume emocione njëherësh të fëmijë sim, nuk do e harroj kurrë. Kështu filloi dhe mbaroi vera. 


Por përveç këtyre emocioneve mbreslënëse gëzimi dhe lumturie, frike pozitive dhe preokupimi nuk mund të harroj kurrë fytyrat e fëmijëve pas një nate që i la jashtë shtëpive. Tërmeti i 26 nëntorit të këtij viti, solli mes nesh frikën, tmerrin dhe trishtimin universal të njeriut, vdekjen! Solli mes nesh frikën e fortë të humbjes, të dhimbjes, të përballjes me jetën e një tjetër dite sikur të ishte jeta e një tjetër bote. Nuk mund të “lexoja” shumë prej të rriturve, prej atyre që ende kërkonin nën rrenoja njerëzit e dashur, prej atyre që kërkonin të dinin se ku do të flinin sot, prej atyre që kërkonin të dinin se çfarë do të hanin, ku do të flinin, etj. Nuk mund të “lexoja” prej tyre më shumë se instikti i mbijetesës, por prej fëmijëve arrita të “lexojë” më shumë edhe se prej vetes sime: nuk i harrojë kurrë sytë e vajzës “H” të cilat me treguan se kishte parë t’i binin tullat mbi trupin e saj, kishte parë errësirën e rrënojave dhe qiellin blu të çastit kur e nxorrën. Nuk mund të harroj gojën e saj të kyçur për të më thënë gjithëçka përveç një fjale, që as që doja të ma thoshte sepse po merreshim vesh shumë mirë. Fytyra e saj më pyeti se ç’punë kisha unë aty, ku kërkoja të dilja, pse po kërkoja t’i jepja diçka për të ngrënë kur stomakun ia kishte mushur ankthi dhe frika. Nuk më qeshi asnjëherë, vetëm shtrëngonte fort dorën e motrës së vogël dhe më la të kuptoj se donte një distancë, të nevojshme për të qenë e qetë, por njëkohësisht edhe të lunate paksa me lodrat që i kisha hapur shkujdesur, por edhe atë lojë donte ta vinte në shërbim të motrës dhe vëllait të vogël që erdhi papritur pranë saj. Fytyra e vajzës më tregoi se ajo ishte si nëna e vogël me përgjegjësi të mëdha. Atë ditë, preka nga afër atë që e dija më shumë në teoritë idiote, boshe si ato debatet televizive që nuk zgjidhin gjë tjetër, vetëm sa rrëmbejnë një audiencë për një biznes të madh, si ajo kuçedra që pin ujin e fshatit. Kjo ishte një prej përrallave që më tregonte im atë. Ai më pati thënë se kuçedra kishte shtatë kohë. E pra, njërën e prej kokëve e pashë nga afër se çfarë dëmesh kishte sjellë prej vitesh, atë që unë e njihja në teori si varfëri, në praktikë më doli se ishte mjerim migjenian. Nuk ishte vetëm fytyra e M-së që ma tregoi këtë, ishin fytyrat e dhjetra e qindra fëmijëve që ma treguan. Ajo që pashë mes tyre, “pasuria” më e madhe e tyre ishte shtëpia, vendi ku jetonin, familja. Nuk u ankuan për asnjë gjë ata fëmijë, për asnjë gjë, asnjë gjë… Kjo më preku shumë, sepse zëri i brendshëm dhe fytyra e tyre më treguan se ankesa e padëgjuar, çon në heshtje për të pritur se çfarë mund të sjellë rrjedha e të sotmes, nesër kismet. Jo, ky nuk ishte tërmeti i këtij nëntori, ishte nëntori i lëkundjes së ndërgjegjës së njerëzve se kjo varfëri, ky mjerim është mes nesh çdo ditë. Ka qenë aty vit pas viti dhe u desh një “kuçedër” si natyra të tregonte më shumë se ç’kishin ditur deri tani. Mbasi nuk dinim asnjë gjë deri tani.


Kështu nuk kam për t’i harruar sytë e një fëmije, që mes rrënojave që shtëpisë dhe varfërise, i gëzoheshe një dhurate që aq shumë e priste, kukullën me flokë të gjata dhe shtëpizën e saj. Sa ironike, një shtëpizë ëndrrash për kukullën, dhe në krah ajo vet më e bukur se kukulla, në trajtën e një mishi dhe fryme, nuk e kishte dot një shtëpi ëndrrash. Por sa i rëndësishëm ishte ai moment për të, le ta shijonte kukullën e saj për aq çaste. 


Kur kthehesha në shtëpi, shihja fytyrën e djemëve të mij, dhe mendoja se çfarë do të ndodhte nëse unë do të kisha humbur gjithçka?! A duhet të ndieja fat në ato momente? Nuk e di nëse ishte fat, pasi brenda meje mendoj se të gjithë u prekëm nga kjo frikë universale. Sot unë mund të ndihmoj dikë dhe do filloj ta bëj, sepse këtë mision ma ngarkoi natyra, cikli i kësaj jete, e mbushur fatkeqsisht edhe me koka kuçedrash, por nesër mund ta kesh rradhën ti të më ndihmosh i dashur fëmijë. Nëser unë do të kem nevojë për ty, dhe ti do më gjendesh, unë e di që ti do të jesh aty për mua.


Erdhi fundi i vitit. Sikur i ndryshojë fytyrat e fëmijëve. I dha gëzimin e dhuratave dhe lumturinë e festës. Por, ende në fytyrat e tyre, shikon preokupimin e së nesërmes. 


Të gjitha fytyrat plot emocione të këtij viti, nuk i sjell ndërmend këto ditë të fundit të 2019-ës. Kështu më ndodh çdo vit. Ndoshta nga një dëshirë e natyrshme që më vjen këto ditë të fundit, sikur dua të lë pas atë që ikën vet, kohën dhe hyrja e një kohe të re, e një viti të ri vjen si dhuratë për jë jetë të re. A thua se dikush ma fal! Në fakt po ta mendosh, ajo është falur një herë, pra jeta na është dhënë një herë, dhe çdo vit rifillon me këtë kujtesë, vlerësimin e saj në çdo moment, i lumtur apo i trishtë qoftë ai, por i mbushur me shpresën që nuk largohet kurrë prej nesh dhe me dashurinë si pasurinë më të madhe që njerëzimi ka. 



(Drnt. Denata Toçe, Portali Shkollor)

3,786 Lexime
4 vjet më parë