Prindërit dhe fëmijët

Kur fëmijët flenë me prindërit…

Sot po ju them një lajm të mirë të dashur prindër: fëmijët mund të flenë me prindërit! Vetëm kaq? Po po, fëmijët mund të flenë me prindërit, por ka një “POR” që do të duhet të shtjellohet me argumente.

Është ora 2 e mëngjesit. Dhomën e prindërve e ka pushtuar frymëmarrja rënkuese e një gjumi të thellë dhe me ëndrra plot. Lodhja e ditës ia ka lënë vendin jastëkut të butë që mban kokën e mendimet brenda saj dhe krevati, mban trupin e shkujdesur në hapësirën që e ka zgjedhur pa bërë kujdes, por që mbështjellë të gjithë nevojat e dorëzimit të plotë përballë gjumit. Ah sa të ëmbla janë ato momente, deri sa një kërcitje dere të ledhaton veshin. Nuk e kupton ende se çfarë është, por sapo ndjen edhe një të dytë, menjëherë i hap sytë dhe dëgjimi kthehet në plan të parë. Ndjen disa hapa të vegjël, të shpejtë, si të një kafshe që kërkon të zotin nëpër shtëpi. Ti i njeh tashmë ato hapa, janë të shpejta, të vogla dhe ndoshta të ftohura nga nata. Një dorë e vogël, pa të pyetur, hap mbulesën e krevatit tuaj, me sy plot gjumë thotë “o ma, dua aty…”dhe si pa të keq, hipën dhe rreshket këmbët me shpejtësi në mes të krevatit duke iu ngjeshur trupit tënd dhe kërkuar kështu që ta kaloni pjesën tjetër të natës së bashku. 

Indipendencë vs atashim e fortë

Një prej implikimeve më racionale që prindërit dëgjojnë dhe lexojnë sot, është se fëmijët do të duhet që të flenë të ndarë prej prindërve për të inkurajuar pavarësinë e tyre, ndaj prindërve dhe ndaj shoqërisë. Unë, si psikologe, jam marrë për një kohë të gjatë me fëmijët, dëshmoj se prindërit e kanë shumë të vështirë të ndjekin këshilla si këto, sidomos kur ardhja e fëmijës së tyre në shtratin prindëror duket kaq e natyrshme dhe e nevojshme për të dy palët. Ata shprehen të zhgënjyer kur fëmijët e tyre refuzohen nga kjo kënaqësi e përbashkët. Prindërit janë ankthioz përballë këtij tundimi të cilit nuk i rezistojnë dot dhe shprehen me pendim për “mëkatin” që kanë bërë, sepse ata tashmë e kanë bërë. Por a kanë të drejtë prindërit të ndjehen keq mbi këtë sjellje? A kanë të drejtë teoritë e shumta që e mbështesin autonominë e fëmijës në djep? Nëse po, atëherë çfarë duhet të bëjnë prindërit që të ndjehen më të qetë mbi këto rutina që në dukje janë kaq të nevojshme?

Sot po ju them një lajm të mirë të dashur prindër: fëmijët mund të flenë me prindërit! Vetëm kaq? Po po, fëmijët mund të flenë me prindërit, por ka një “POR” që do të duhet të shtjellohet me argumente në këtë artikull. 

Kështu ndodh më së shumti me fëmijët të cilët kërkojnë të flenë me prindërit e tyre, deri në moshën shkollore. Ndonjëherë kjo situatë zgjat përnjë kohë edhe më shumë.

Në shumë shoqëri nëpër botë, fëmijët flenë me prindërit e tyre, të paktën përgjatë viteve të para të jetës.


Studimet tregojnë se 90% e kulturave nëpër botë, fëmijët flenë me prindërit e tyre në vitet e para të jetës. Kulturat primitive këtë ritual e kishin të pandarë si një domosdoshmëri për rritjen e fëmijës. Kultura perëndimore i vë theksin pavarësisë së fëmijëve në procesin e gjumit, duke i inkurajuar prindërit që t’i vendosin fëmijët në shtretërit e tyre dhe mundësisht në dhomën e tyre të mëvetësuar. Megjithatë, ende sot, 26% e fëmijëve në SHBA flenë me prindërit e tyre në vitet e para të jetës (Natural Child, 2013)

E vërtetë apo e gabuar? “fëmijët që flenë të mëvetësuar prej prindërve, janë më të pavarur, më të lumtur dhe më të përgatitur për të vetërregulluar jetën e tyre!”

Rutina me të cilën fëmijët do të duhet ta nisin këtë proces është shumë e rëndësishme për të krijuar një kuptim të drejtë mbi autonominë dhe atashimin e nevojshëm që fëmija përjeton me prindërit. Le ta fillojmë me atashimin, me nevojën që kanë fëmijët për të qenë pranë prindërve, të ledhatohen vazhdimisht në vitet e para të jetës, të ndjehen të sigurt se prindërit janë aty për atë, të përjetojnë kontaktin fizik ndërsa sytë e tyre mbyllen nën tingujt e ëmbël të zërit në nënës apo të babait. Të përjetojnë aromën e trupit të nënës dhe nëna të fëmijës ndërsa dremisin apo flenë të dy. Kjo marrëdhënie i jep fëmijës një mirëqenie si fizike ashtu edhe shpirtërore, afektive. Fëmijët mësojnë nga kjo marrëdhënie të menaxhojnë më mirë botën e tyre, pa ankth dhe stres. Të ndjehen se jetojnë në një botë të sigurt. I krijon një mundësi të mirë për të fortësuar mekanizmat vetërregullues, por atashimi me prindërit, sidomos me nënën, kthehet në një domosdoshmëri e cila nuk mund të bashkëjetojë pa mundësinë për të krijuar kufijtë e autonomisë, pavarësisë së fëmijës. Këtu fillon vështirësia, por nuk do të jetë një proces kaq i vështirë nëse nënat mësojnë që t’i gërshetojnë proceset me njëra-tjetrën. 


Nënat nuk do të ndjehen të detyruara të bëjnë ose njërën ose tjetrën. Nënat nuk kanë pse të zgjedhin, por mund t’i gërshetojnë ato sipas rëndësisë dhe nevojës që ka fëmija.

Fillimisht do të duhet t’i prezantoni fëmijës dhomën e tij / saj. Jepini mundësinë që fëmija në vitet e para të jetës, sapo vjen në shtëpi, tregojini dhomën dhe krevatin e gjumit ku do të kalojë pjesën më të madhe të kohës. Vendoseni në gjumin kryesor kryesisht në krevatin e tij / saj. Vitet e para të jetës janë shumë të rëndësishme që fëmija të ketë mëvetësinë. Kur vjen momenti që do të duhet t’i jepni gji, merreni pranë vetes dhe sigurohuni që të dy të jeni të zgjuar. Mund të ndodh edhe në krevatin tuaj ose pranë krevatit të fëmijës, por në fund fëmija do të duhet të flejë në krevatin e tij.


Për të shmangur çfarëdo lloj incidentesh që mund të ndodhin me fëmijën në shtrat në këtë moshë kaq të vogël, është tashmë e vërtetuar shkencërisht se është më e shëndetshme që fëmija të flejë në krevatin e tij në këtë moshë të hershme, pra në vitin e parë të jetës. Post këtij viti, ju hera-herës alternoni fjetjen e fëmijës. Silleni në shtratin tuaj që të flejë me ju, sidomos kur ai nuk ndjehet mirë, mund të jetë i axhituar ose mund të ketë një gjumë të turbulluar, me ëndrra. Kështu fëmija kalon pak kohë me ju në shtrat.

Nëse fëmija e di që ju e keni marrë në shtrat, gjatë natës mos e çoni tek krevati i tij pasi kështu mund të zhgënjehet. Nëse fle me ju, do të çohet me ju, vetëm nëse ky i fundit e kërkon vetë. Për fëmijët më të rritur, nëse flini tek krevati i fëmijës, atëherë mos u largoni. Më e këshillueshme është që t’ia shpjegoni se çfarë do të ndodhë dhe kështu fëmija të mos çohet me ankth natën se ku iku mami apo babi.


Si përfundim, është e rëndësishme të themi se fëmijët do të duhet të flenë në shtratin e tyre, dhe hera-herës, të flenë në shtrat me prindërit. Kjo rutinë e ndihmon fëmijën të zgjedhë dhe të krijojë besimin se nuk refuzohet, por secili ka hapësirën e tij, dhe ndonjëherë këto hapësira takohen me njëra-tjetrën, në emër të marrëdhënies fëmijë-prind dhe prind-fëmijë.

Ironikisht, shumë kërkime sugjerojnë se bashkë-fjetja inkurajon një pavarësi akoma më të madhe, sidomos kur ajo alternohet. Kënaqësia e fëmijëve që marrin prej lidhjes me prindërit dhe vëmendja ndaj kontaktit me të rriturit, ndërton një konfidencë dhe vlerësim të vetes tek fëmijët sipas Mother - Baby Behavioral Sleep Laburatory. 

Kur vendin babit e zë fëmija

Nuk është e thjeshtë të fusësh një fëmijë në krevatin prindëror kur të dy prindërit janë prezentë, sidomos kur vijnë dy apo tre fëmijët njëkohësisht. Zakonisht babait i kërkohet që të lëvizë prej shtratit të tij martesor. Është e udhës që fëmijëve të mund t’i shpjegohet se vendi i kujt është, se krevati është i mamit dhe i babit. Atyre ju lejohet që të vijnë hera-herës, por nuk mund të flenë aty për një kohë të gjatë, çdo natë. Kështu fëmija mëson hapësirat e tij, por edhe respekton hapësirat e të tjerëve. Mbi të gjitha këtë mesazh e merr edhe babai i cili nuk duhet të ndjehet në asnjë rast i përjashtuar nga shtrati martesor, kur fëmija zëvendëson padashur babain, dhe ky i fundit ndjehet i neglizhuar ose i përjashtuar. Shumë nëna mendojnë se prezenca e fëmijës justifikon çdo veprim të tyre, por kjo nuk është aspak e shëndetshme. Nëse babai do të lihej për një kohë të gjatë i përjashtuar nga shtrati martesor, kjo kthehet në një stil të jetuari ku çiftet “harrojnë” ose më mirë të themi, neglizhojnë nevojat e tyre të cilat do të duhet të përmbushen periodikisht dhe me dëshirë për t’i mbajtur për një kohë të gjatë në vëmendje.


Përfitimet e shëndetit fizik

Sipas James McKenna nga Notre Dame University, jep disa shpjegime mjaft interesante për përfitimet fizike që merr fëmija gjatë fjetjes me prindërit. Fëmijët bëjnë një gjumë më të qetë dhe me më pak stres. Qarja për një kohë të gjatë natën në situata kur fëmija nuk është shumë i qetë, shkakton stres dhe lëshimi i hormonit të stresit krijon ulje të sistemit imunitar. Gjithashtu fëmijët ftohen më pak gjatë natës për shkak se prindërit kujdesen që ata të mbulohen (kjo gjatë dimrit).


Të lumtur vs të stresuar

Të fjeturit së bashku, dhe alternimi me shtratin e tij, krijon një gjendje më të mirë të shëndetit mendor dhe të mirëqenies së fëmijës. Studimet kanë treguar se fëmijët të cilët nuk kanë fjetur asnjëherë me prindërit e tyre, janë më të ndjeshëm, më të ekspozuar ndaj frikërave. Gjithashtu këta fëmijë e kanë më të vështirë që të menaxhojnë stresin se fëmijët të cilët flenë hera-herës me prindërit e tyre. Gjithashtu i ndihmon fëmijët që të jenë më bashkëpunues me bashkëmoshatarët dhe të jenë më pozitiv me të tjerët për të zgjidhur problemet. Procesi i atashimit është shumë i nevojshëm për mirëqenien e shëndetit psiko-afektiv të fëmijëve, por edhe procesit të deatashimit kërkon rëndësinë e tij. Ndaj alternimi është rruga e mesme kur kjo realizohet së bashku me fëmijët, që ai të jetë i ndërgjegjshëm dhe bashkëpunues në këtë proces.


Deri kur duhet të flejë një fëmijë me prindërit?

Derisa fëmijët të jenë gati për të shkuar drejt shkollës. Këto janë momentet ku gradualisht fëmijës i tregohet se do të duhet të marrë përgjegjësinë për të qenë më i rritur. Prindërit nuk duhet të lënë të mbyllur alternativën për të ardhur në shtratin e prindërve pasi fëmija mund ta përjetojë me ankth, por të kujdeset që hera-herës, në fundjavë, të kalojnë një mëngjes sapo të zgjuar në shtrat së bashku, përpara se të çohen për të përgatitur mëngjesin, sërish së bashku.


E vërtetë apo e gabuar? “fëmijët që flenë të mëvetësuar prej prindërve, janë më të pavarur, më të lumtur dhe më të përgatitur për të vetërregulluar jetën e tyre!”

Përgjigjja e kësaj pyetjeje është kthyer si mit për nënat. Ato presin që unë të them “JO!” dhe të sigurt madje. Por në fakt, ka lajme të mira për nënat dhe prindërit në përgjithësi. Fëmijët mund të flenë me prindërit, por jo deri atëherë sa nuk kanë arritur të jenë autonom në hapësirën e tyre të gjumit, pra në shtratin e tyre. Fëmijët duhet të përjetojnë eksperiencën e hapësirës së tyre, ndërkohë që janë pjesë dhe e hapësirave të përbashkëta afektive, të cilat lënë gjurmë të shëndetshme në zhvillimin psiko-emocional të fëmijës.


(Nga: Drnt. Denata Toçe, Portali Shkollor)

16,317 Lexime
7 vjet më parë