PSIKOLOGJI

Kur ndëshkimi që mësuesi i jep fëmijës humbet qëllimin e tij...

...reflektimi do të duhet të jetë dyshues në kuptimin e zhvillimit dhe jo stanjimit. Do të duhet të shikojmë me kujdes se çfarë përtypim nga çdo metodë arsimore të ofruar, për të mbarsur më të mirë e mundshme për fëmijët tanë.

Në një fletore vlerësimi javore mbi sjelljen, Doriani i tregon prindërve simbolin e semaforit me tre ngjyrat tipike. Ai me dorën e tij kishte shënuar me të kuqe të gjitha herët që ishte ndëshkuar gjatë asaj jave për sjellje jo të përshtatshme. Kjo ishte një mënyrë e mësueses për t’i treguar nxënësit se sjellja nuk është ajo e duhura. Kështu do të mund t’i mësonte klasës se disiplina, rregulli dhe mirëqënia me tjetrin janë shumë të rëndësishme. 


Prindërit ishin plotësisht dakord, madje kishin firmosur për këtë mënyrë pune. Ata kishin dëgjuar edhe për një procedurë tjetër që quhet “time out.” Edhe pse nuk ia kishin shumë idenë se si funksiononte, sërisht disiplina që funksioni i saj përcillte, i mbushte prindërit me shpresë që fëmija të bëhej i përgjegjshëm dhe më i dëgjueshëm. Kështu, si Doriani, një fëmijë tjetër i tregon prindërve sesi ai kishte ndenjur gjithë kohës, për dy ditë rrjesht në stolin e pritjes, duke mos luajtur me shokët, pasi mësuesja i kishte dhënë semaforin e kuq. Pra, ai nuk kishte të drejtë të lunate, por mund të shikonte shokët që luanin. Herën e parë prindërit nuk ishin shqetësuar shumë, por pas disa episodesh, filluan të mësojnë se metoda nuk kishte dhënë shumë rezultat, pasi fëmija ende merrte semafor të kuq. Ja dhe një fëmijë tjetër si Dorian, që nuk është fort i kënaqur me semaforët. Me sa duket edhe prindërit, të cilët pas disa kohësh vijnë për konsultë dhe ankohen për vështirësitë në sjellje të djalit të tyre në klasë. Pas disa kohës, ndodhi që Doriani shumë i frustruar, refuzonte të tërhiqej prej shokëve, dhe të priste disa ditë vetëm për faktin se kishte marrë topin e grupit të vogël. Mund të përmend në këtë shkrim dhe arsye të tjera që e çuan Dorianin në ndëshkim, por le të fillojmë nga kjo, dhe më pas të kuptojmë më shumë rreth proçedurës në vetvete.


Nxënësit në klasë kanë një dinamikë shumë të larmishme. Rregullat brenda grupit janë mjaft të rëndësishme për të ruajtur këtë dinamikë në planin e kontrolluar. Kështu mësimi shkon më mirë dhe respektin për kohen, tjetrin dhe edukimin që po zhvillohet zë vendin e duhur. Këtu jemi dakord të gjithë besoj. Në këtë filozofi zhvillimi të edukimit, prindërit gjenden përballë nevojës për të patur fëmijën në kontroll dhe ku më mirë se në shkollë mund të ndodh apo të mësohet kjo gjë. Ata vet duket se e kanë të vështirë në kushtet e shtëpisë. Shpesh detyrohen të jenë edhe të zemëruar me fëmijët për kapriçiot e tyre rutinë, por në klasë? Ah, këtu ndryshon puna. Klasa ka “zot” mësuesin i cili do të duhet të përdor metodat e tij. Fillimisht duket se këto metoda janë zgjidhja, por prindërit dhe mësuesit do të duhet t’i kushtojnë kujdes se si, për çfarë, kur dhe ku mund të përdoren këto metoda. Përgjigjen e pyetje “pse?” duket sikur e dhamë, pasi arsyesja është për të ULUR sjelljet problem të fëmijëve. Por a janë sjelljet problem, vërtet problem? A i ofrojnë mësuesit fëmijëve zgjidhje apo alternativa për sjelljet problem? A i krijojnë mësuesit mundesi fëmijëve për të zgjedhur, apo vendimet merren në një autoritet absolut? A janë fëmijët pjesë e alternimit të metodave duke përfshirë dhe ato me bazë motivimin? Nëse po, SI ndodh motivimi i fëmijëve në klasë? A mund të “peshojnë” mësuesit rëndesën e sjelljes problem dhe si mund ta masin këtë? Çfarë roli kanë prindërit në këtë histori? Si do të duhet të bashkëpunojë prindi me mësuesin që metodat të funksionojnë dhe sjellja e përshtatshme të mirëmbahet?


Po çfarë është një sjellje problem?

Sjelljet problem janë sjelljet e vazhdueshme në kohë dhë në intesitet të cilat fillojnë të shfaqen zakonisht në moshën parashkollore dhe shkollore, të cilat dëmtojnë marrëdhënien sociale, komunikimin dhe proçesin e të mësuarit, duke i shkaktuar fëmijëve, familjarëve apo adultëve dhe bashkëmoshatarëve dëmtim në disa dimensione. Duket sikur sjelljet problem janë vëtëm shpërthimet e zemërimit apo sjelljet agresive, në fakt sjelljet problem mund të jenë edhe të një natyrë tjetër si mungesa e bashkëpunimit (komplianca), grindjet e vazhdueshme të cilat mund të ndodhin si pasojë e, largimit apo shmangies nga detyra, largimi i vëmendjes si pamundësi për ta mbajtur vëmendjen për një kohë të gjatë, etj. Deri sa sjelljet problem të jenë sistemuar, do të jetë e vështirë për fëmijën që të mund të përbushë zhvillimin e tij. Kjo sepse sjelljet problem, mbi të gjitha ndalojnë fëmijën që të përdorë aftësitë që ai tashmë ka dhe duke mos i praktikuar mund edhe të riskojnë t’i humbasin këto aftësi. Ndaj ju e keni vënë re se me kalimin e kohës këta fëmijë mund të mbeten mbrapa me mësime. Pra, nëse sjelljet problem pengojnë proçesin e të mësuarit, do të duhet mbi të gjitha të jenë repetitive, përsëritëse. 


Sjelljet e fëmijëve janë kaq të larmishme, sikurse dhe ato të të rriturve, por shpesh herë ato janë të paorganizuara nga vetëkontrolli emocional dhe mendor. Kështu, sikurse edhe të rriturit, fëmijët kanë “jo-të” e tyre de kundershtitë nga moskenaqësitë. Por kjo nuk i bënë ata të këqinj dhe as problemtatikë. Ata thjesht do të duhet të marrin një orientim për t’u strukturuar më mirë si emocionalisht ashtu edhe mendërisht që të mund të kenë një përshtatje më organike me veten dhe shoqërinë. Familja është shoqëria e tyre e parë, por edhe shkolla ka një ndikim domethënës mbi këtë njohje. Sjelljet problem, mbi të gjitha do të duhet të shikohen si veprime që shkaktojnë demtim si të fëmijët dhe te të tjerët. Fëmijët do të duhet që të shfaqin episode të njëpasnjëshme për t’u konsideruar si sjellje problem. Nëse një fëmijë, shkakton një sjellje të papërshtatshme një herë në shumë kohë, ky konsiderohet si një problem i izoluar prej përsëritjeve që e bëjnë sjelljen si pjesë të komonikimit. Por, nëse fëmija shfaq një sjellje e cila shkakton një dëmtim fizik me rrezik jetën, si për veten dhe për të tjerët, nuk mund të presim deri sa ajo të behët përsëritëse, mjafton vetëm një episod për të ndërmarrë veprimin e duhur për parandalimin e sjelljes. 


Po cilat janë veprimet e duhura që lipset të ndërmerren në këto raste dhe a janë mësuesit dhe prindërit të kujdesshëm të vlerësojnë se çfarë është një sjellje problem?

Jo gjithmonë mësuesit po prindërit janë në gjëndje të vlerësojnë se cilat janë sjelljet problem dhe se si do të duhet të trajtohen ato. Madje, shpesh herë do të duhet të merret një profesionist i sjelljes për t’i ardhur në ndihmë mësuesit dhe më pas prindërve. Sigurisht që do të duhet të shihet me kujdes se KU ndodh sjellja, në cilin vend. Mësuesit duket se janë të predispozuar të mendojnë se sjelljet problem më së shumti e kanë burimin nga familja. E para, kjo nuk është e vërtetë, pasi mund të jetë familja por mund të jetë edhe shkolla ose dhe problem të tjera që kanë lidhje ndoshta edhe me ndonjë shkak psiko-fizik, dhe e dyta, si do të që jetë, për sa kohë kjo pengon si marrëdhënien me familjarët por edhe sistemin e edukimit në shkollë, atëherë mësuesit do të duhet të jenë të përgatitur për t’i asistuar në mënyrën dhe kohën e duhur. Nëse mësuesit njohin dhe aplikojnë vetëm një metodë për secilin fëmijë, atëherë nuk është arritur qëllimi i ndërhyrjes së sjelljes problem. Nëse ne mendojmë se çdo sjellje që e gjykojmë pikë së pari si problem, dhe së dyti, kërkon metodën e ndëshkimit si ajo e “time out” apo ajo e “semaforit” atëherë nuk jemi në rrugën e duhur. Atëherë, sërisht dalim në pyetjen si më sipër këtij artikulli: 


A i ofrojnë mësuesit fëmijëve zgjidhje apo alternativa për sjelljet problem? A ka metoda të tjera që mund të vlerësohen efektive për të ulur sjelljet problem apo për t’i zëendësuar ato me sjellje të tjera të përshtatshme? 

Sigurisht që metoda ka. Nuk mendoj se metodat e ndëshkimit janë metoda të papërshtatshme, por ato, nga analistët e sjelljes, preferohen të jenë metoda të cilat do të duhet të bashkëveprojnë me metodat e përforcimit, apo duhet të them më mirë teknikat. Madje, metodat e ndëshkimit, negative apo pozitiv, janë alternativat e fundit që merren në konsideratë, nëse metodat e përforcimit janë përdorur dhe nuk e kanë arritur qëllimin e tyre. Po si e kupton një mësues që e kanë arritur apo jo metodat qëllimin e tyre? Sigurisht duke mbajtur të dhëna dhe duke matur. Nëse sjellja nuk rezulton të jetë ulur, atëherë do të duhet të mendohet se nuk është metoda e duhur. Ajo do të duhet të modifikohet ose ndryshohet. Nëse mësuesja vazhdon të përdor semaforin apo metodën e “time out” dhe sjellja ende këmbëngul, atëherë me siguri që nuk është metoda e duhur. Ndodh p.sh që mësueset të ndjerrin fëmijët jashtë në korridor, kur ata bëjnë fjalë apo ndonjë sjellje tjetër të papërshtatshme në klasë. Mire po, fëmijët vazhdojnë të përsërisin sjelljen, sidomos në një lëndë të caktuar, dhe me një mësuese të caktuar. Mësuesit nisen nga ideja që po e ndëshkojnë sjelljen dhe presin që ajo të ulet, por sjellja rritet. Mos ndoshta fëmija kërkon pikërisht të shpëtojë nga “dhimbja” që po i shkakton detyra dhe në këtë rast është përdorur përforcimi negative i sjelljes? (lirimi nga dhimbja jep kënaqësi dhe kesisoj sjellja rritet) Pra, do të duhet të jemi shumë të kujdesshëm nëse jemi apo jo duke përdorur teknikën e duhur. Në këtë rast do të ishte e duhur që fëmija të vëzhgohet, të mbahen të dhëna se përse nuk arrin ta përbush detyrën. Mos ndoshta është shumë e vështirë? Në këtë rast mos do të duhet të lehtësohet detyra dhe të ndahet në disa nivele deri sa të arrihet suksesi i fëmijës? Mos detyra është shumë e lehtë? Mos do të duhet të fëmija të motivohet me një detyrë pak më sfiduese dhe argëtuese? Mbi të gjitha, një mësues nuk duhet asnjëherë të japë një detyrë për të “kapur në gabim” fëmijën. Përkundrazi, do të duhet të shpërblejë fëmijën për çdo arritje sa do e vogël, dhe ta motivojë duke ia treguar se çfarë kërkohet prej detyrës dhe se SI mund ta arrijë atë, qoftë kjo edhe gradualisht. Kështu do të shmangim “shmangien nga detyra” apo edhe problemet e vëmendjes. Shumë fëmijë që kanë probleme të vëmendjes, i kanë të vështira detyra e gjata, ndaj mësuesit do të duhet të kujdesen që të japin detyra të ndarë në disa pjesë. Ka edhe teknika të tjera, por përpara se të vlerësojmë se fëmija është duke bërë sjellje problem, do të duhet që të vlerësojmë shkaqet se çfarë e mirëmbajnë këtë sjellje problem dhe zakonisht do të duhet të shikojmë dy gjëra: stimulin fillestar përpara sjelljes problem dhe konseguencën, pasojën mbas sjelljes. Modifikoni këto të dyja, dhe mesiguri që do të arrini sukses. Por nëse modifikimi është = ndëshkim, atëherë ju kujtoj se nuk jemi në rrugën e duhur. Në fund, ju nuk i keni mësuar asnjë gjë fëmijës. Në vend që ta lëmë fëmijën dy ditë në stol, të shikojë shokët e tij që luajnë, dhe të ndjehet keq dhe i poshtëruar, a nuk do të ishte e udhës që fëmija të mund të merrte një tjetër “ndëshkim”, më të përshtatshëm dhe mbi të gjitha të alternuar me përforcues? P.sh nëse një fëmijë, prish lojën e grupit të vogël dhe u merrë topin, mund t’i hiqet e drejta që të marrë pjesë në vazhdimin e lojës për atë ditë, por mos harrojmë ta shpërblejmë sjelljen positive kur fëmija loz korrektësisht ne lojë. Kështu, do të ishte më e preferueshme që fëmija, i cili ende nga një perceptim jo shumë të mirë për kohën, pra dy ditë janë shumë, të merreshe vetëm me privimin e asaj dite, që iu hoq e drejta, duke ia shpjeguar me fjalë, dhe pas dy ose tre paralajmërimesh me tone neutral. Të nesërmen, inkurajohet fëmija të luaj korrektësisht, dhe nëse ai e bënë këtë pa ndonjë nxitje specifike, mund të përforcohet duke i dhënë një yll me ngjitës në bluzë. Në fund të javës, nëse yjet bëhen pesë, atëherë kapiteni i skuadres së futbollit për atë javë do të jetë fëmija në fjalë. A nuk është fantastike kjo arritje? Mendoni ju se fëmija do të donte të merrte më topin te grupi vogël? Mendoni se ndëshkimi për mos marrjen pjesë atë ditë në lojë e uli këtë sjellje? Unë mendoj se ndëshkimi ishte një nismë e ndalimit të sjelljes problem, por e kombinuar me përforcuesin, që fëmija kaq shumë e pëlqente, ndëshkimi nuk mbizotëroj në rezultatin final. Kështu kemi një rritje të sjelljes së synuar. Fëmija nuk u ngatërrua më me topin e grupit tjetër dhe nuk e prishi më lojën. Nëse fëmija shfaq sjellje të përafërta në shtëpi, atëherë mësuesit do të duhet të inkurajojnë prindërit të përdorin pak a shumë të njëjtën teknikë në shtëpi, me mënyra më natyrale për ambjentin e shtëpisë. 


Në përfundim, e sjell këtë artikull për të gjithë shkollat që mendojnë se janë duke aplikuar metodat e duhura për reduktimin e sjelljeve problem dhe mbi të gjitha për mësuesit që mendojnë se metodat janë të pandryshueshme dhe për prindërit që mendojnë se çfarë vjen nga një shkollë me një emër të huaj, është më e mira për fëmijën e tyre. Reflektimi do të duhet të jetë dyshues në kuptimin e zhvillimit dhe jo stanjimit. Do të duhet të shikojmë me kujdes se çfarë përtypim nga çdo metodë arsimore të ofruar, për të mbarsur më të mirë e mundshme për fëmijët tanë. 




(Nga: Drnt. Denata Toçe, Portali Shkollor)

3,221 Lexime
7 muaj më parë