Loja

Lojë e lirë, fëmijë më të mirë...

I mbani mend duart tona? Ato nuk qëndronin thuajse asnjëherë të pastra, sepse lojërat ishin kryesisht pranë dheut të oborrit të lagjes, me guriçkat e lojës topa-gropash dhe kanaçes në rreth...

"Eh, këta fëmijët e sotëm, janë më të mençur dhe më të aftë se ne dikur në moshën e tyre..."

Sa herë i keni dëgjuar këto fjalë prej të rriturve? Unë për vete i kam thënë disa herë vetë fjalë të ngjashme si këto, teksa jam përballur me fëmijët në situata nga më të ndryshmet. Prindërit nxitimthi krenohen me ata tek miqtë e tyre: "uaaaa shiko çthotë ky/kjo djali/vajza ime..." Po rrjetet sociale i keni parë sesa shumë informacion na sjellin për këta fëmijë që i "mahnisin" prindërit e tyre nga të bërit gati gjithçka... si të ishin të rritur dhe, jo më kot, ka reklama të cilat janë ideuar të frymëzuara nga ky realitet dhe i dëgjojmë të na servirin shpreje si: "Djali im është fenomen!" A janë fëmijët sot më të zgjuar, më të aftë dhe si rrjedhojë më të mirë se ne dikur? Ndokush do të thoshte, “thjesht janë të ndryshëm, tjetër brez”. Po, bashkohem plotësisht me këtë mendim, por ajo që duket se është shqetësuese është fëmija në vetvete dhe nevojat e vërteta. Më duket sikur diçka mungon në fëmijërinë e tyre, se ç’ka një gjë që më ngacmon dhe shpresoj shumë të gabohem, por gjithsesi, po e ndaj me ju për të dhënë një mundësi reflektimi mbi edukimin e fëmijëve tanë.

Fillimisht po ju ftoj të udhëtojmë së bashku në kohë dhe më pas të kalojmë në realitetin e sotëm:


E mbani mend veten tuaj fëmijë? Çfarë ju mungon më shumë prej asaj kohe? Më lejoni ta gjej për ju: Loja ndoshta?! Po t'ju pyes cila lodër ju ka lënë më shumë mbresa, jam e bindur që përgjigja do të jetë e varfër, maksimumi dikush do të thoshte karroca me kuzhineta, dikush rrota me tel, por pjesa më e madhe do të thoshin, loja e lirë, pa shumë lodra, ja ashtu, me njëri-tjetrin dhe me të gjithë idetë çamaroke, por pa djallëzi. Teksa kërkonim shokun e fshehur nëpër qorrsokaket e pallateve në ndërtim, nëpër shkurret me trëndafila të egër të lagjes që hera-herës hakmerreshin me ndonjë gjëmb, apo nëpër ligustrat e kateve të para, që rrethonin bahçe të vogla, sikur të ishin vilat e fëmijëve.

I mbani mend duart tona? Ato nuk qëndronin thuajse asnjëherë të pastra, sepse lojërat ishin kryesisht pranë dheut të oborrit të lagjes, me guriçkat e lojës topa-gropash dhe kanaçes në rreth, me tullat e cinglave, me shkopat e gjatë dhe shkumsat prej tulle për të luajtur botash, me gurët e lëmuar për lojën me peta dhe etj. Duart e zbardhura prej shkumsave që thurnim plane t’i gjenim ose nga një prej prindërve tanë (kush i kishte mësues), ose disa prej nesh, më guximtarët, shkonin poshtë dritareve të shkollave për të lypur ose i gjenim në tokë te hedhura, si enkas për ne. E quanim veten me fat dhe me to vizatonim lojën në asfaltin që nuk e kishte prekur zifti i nxehtë. Edhe zifti vet, kishte lojën e tij, por i takonte diellit të nxehtë të formonte flluskat që i plasnim sikur të ishin prej sapuni. Duart ose rrobat mund të shndërroheshin dhe në jeshile, me kallamët për pipza të ndërtuar vetë, nën konkurrencën se kujt i fishkëllente më shumë, me lulet e arës, diku pranë serrave për t'i dhënë prindërve një buqetë modeste, por me shumë dashuri, me gastaret e ëmbël të mëngjeseve pranverorë dhe me barin e njomë dhe gjatë tek parku i liqenit, kur rrokulliseshim të gjithë njëherësh gjatë ekskursioneve me klasën.


Ndoshta ju nuk e mbani mend fytyrën tuaj, por i mbani mend fytyrat e shokëve: hiri i pluhurit të ditës dhe rrezet e verës u nxirrnin në pah sytë gjithë shkëlqim dhe plot jetë, plot gëzim nga kënaqësia e lodhjes prej lojës së bashku. Në fund mund të mbyllej me një zjarr të improvizuar në lagje, kënaqësia më e madhe për të gjithë fëmijët, të cilët rrekeshin të vidhnin një patate secili, për në shtëpi, dhe pak kripë. E piqnim brenda zjarrit dhe e hanim sikur të qe ushqimi më i mirë se në të gjithë restorantet që kemi ngrënë ndonjëherë. Ende e ruaj shijen e saj në kujtesën time: gjysëm të djegur, pak hidhnore dhe e embël në zemër. 


Sigurisht që rrobat nuk mund të ishin asnjëherë të pastra dhe pantallonat apo fundet të pagrisura, pasi rrëshkitëset e improvizuara nga rifuxhot e lagjes ishin argëtimi më suprem i lojës në lagje, edhe pse ndonjëherë bëheshin të padurueshme nga dielli i drekës në ditët e verës. Siç e shihni, nuk ka shumë lodra të shtrenjta, të studiuara nga shkencëtarët e botës komerciale, as shumë të bukura për t’u parë, por ato janë gjithë jetë dhe plot kreativitet ku më së shumti dominon komunikimi social me njëri-tjetrin.


I kthehemi realitetit sot! Nuk është e vështirë të konstatoshse lagjet tona nuk janë ato të dikurshmet dhe fëmijët tanë, si rrjedhojë, kanë shumë pak mundësi të eksplorojnë në ambient të hapur lojëra të ndryshme. Duart e tyre që duhet të ishin të shkujdesura në pluhurin e natyrës, janë të zëna me telefonat smart, me ipad, me playstation, me telekomandën e televizorit super gjigand, sikur e përpin gjithë imagjinatën e fëmijës për së gjalli. Fytyrat e fëmijëve nuk janë më të hirëzuara nga pluhuri, por të zymtuara nga përqendrimii tepërt tek një kotësi elektronike, shpesh e panevojshme ekranesh, plot muzikë të përkohshme, filma të dhunshëm dhe agresivitet politik ose kronikash të zeza.


Sytë e fëmijëve dikur i afroheshim ekranit pasi nuk ishte shumë i madh. Tashmë ekrani u ka ardhur vet tek sytë, me lehtësinë më të dhunshme të mundshme. Rrobat e fëmijëve nuk ndryshojnë shumë pamjen e tyre deri në fund të ditës, pasi dadot apo prindërit kujdesen shumë që të jenë në “Top Formë”. Maksimumi mund të kemi ndonjë lëng frutash kutish që derdhet shkujdesur, apo ndonjë top futbolli që ka rënë në kraharor nga kursi i futbollit. Se mos harroj më kryesoren, strukturimin e ditës: që është një nga gjërat që përçohet shumë shpejt tek prindërit sot, kujdesi që fëmija ta ketë kohën e zënë, me sa më shumë punë... mësimi fillon herët në mëngjes, dhe mbaron vonë mbasdite. Detyrat do të duhet të përfundojnë deri në orën tetë të darkës, dhe më pas, si shpërblim, çdo katror elektronik do të ishte në rregull.


Kur ka “kohë të lirë” ajo plotësohet menjëherë me kursin e kitarës, anglishtes, frëngjishtes, karatesë, futbollit, notit, tenisit, baletit,etj. Në vetvete të gjithë këto aktivitete nuk kanë asnjë gjë të keqe, përkundrazi, janë mjaft të nevojshëm për rritjen dhe edukimin e fëmijës, por shpërndarja e tyre në kohë dhe në atë strukturimin e famshëm që është kthyer në një konkurencë kolektive, nuk është më mjet për të arritur qëllimin, por është kthyer qëllim në vetvete. Fundja, të gjithë duam rezultatin, dhe cili është ai? Fëmijët duket se nuk janë asnjëherë të kënaqur. Duket se ata nuk janë të lumtur.


Sot shohim fëmijë ankthioz, të deprimuar, gërnjar, hidhcak dhe shpesh agresiv. Por çfarë mungon në këtë puzzle? Unë do të thosha, koha e lirë. Jo koha e lirë e mbushur me kurse, por koha e lirë e mbushur me lojën e lirë, ku ndërmerren iniciativa personale, ku kreativiteti është i shpenguar së bashku me të tjerë që sjellin eksperienca të ndryshme sociale të pazëvendësueshme. Ku nuk ka asnjë “mos!” seriozë mjaftueshëm që të intimidojë lojën dhe ku fjalët “magjike” nuk janë aq magjike. Pra, thjesht lojë fëmijësh! Këtë do të doja të shikoja tek fëmijët sot.


Prindërit me të drejtë ankohen pasi nuk arrijnë të drejtohen në këtë realitet kautik dhe aspak favorizues për fëmijët. Infrastuktura nuk është ajo e dikurshmja. Këndet e lojërave më së shumti i gjen të mbyllura me aromë gome dhe kauçuku, bashkuar me djersë fëmijësh.


Po çfarë sugjerohet në të tilla rastesh?

Nuk ka rëndësi se në çfarë stine jemi, rëndësi ka t’i ekspozoni fëmijët sa më shumë me ambientin e jashtëm dhe me fëmijët rreth tij. Sikundër merrni kohë të organizoni kurset e ditës, merrni kohë të planifikoheni duke u federuar me prindër të ndryshëm për të zhvilluar lojë të lirë në natyrë, shëtitje së bashku, mbasdite kokoshkash në një shtëpi (me prindërit prezent,) lojëra me kulla prej kartoni, sërish me grupe fëmijësh, të cilët i ndërtoni bashkarisht. Lojë me kamping ditor, ku një sër lojërash në natyrë zënë vend (kush gjen më shumë gjethe pemësh të ndryshme të thata të pa prishura. Konkursi i fotove në natyrë, ku vet fëmijët zgjedhin të komentojnë të veçantën e të gjithë fotove, jo domosdoshmërisht më të mirën, etj.)


Do t’ju sugjeroja gjithashtu, iniciativa vullnetare në disa prej vendeve të varfëra të Shqipërisë. Ka ngahera dikush që është më i varfër se ne dhe ka nevojë për ndihmë. Kjo është një mënyrë e mirë për të shpenzuar kohën e lirë. Lejoni fëmijët të japin idetë e tyre se si mund të organizoheni, ata janë krijuesit dhe ideatorët. Çdo iniciativë merreni seriozisht dhe shpërblejeni. Pra lërini fëmijët të “zhgërryen dhe përlyen” me natyrën dhe me bashkëmoshatarët!


Peter Gray, Ph.D., Profesori Psikologjisë në Universitetin e Bostonit, e përshkruan “lojën e lirë” si një lojë që fëmijët e ndërmarrin me vetveten dhe që është vetdrejtuese më shumë se sa të gjithë pjesëzat e organizuara. Ai mendon se loja e lirë ka pesë përfitime kryesore:


1.     I jep fëmijëve një mundësi për të gjetur dhe zhvilluar lidhjet midis interesave të vet-identifikuara dhe vet-drejtuara.


2.     Është nëpërmjet lojës që fëmijët së pari mësojnë sesi të marrin vendime, të zgjidhin probleme, të ushtrojnë vetkontrollin dhe të ndjekin apo zbatojnë rregullat.


3.     Fëmijët mësojnë se si të përballojnë emocionet e tyre, përfshirë zemërimin dhe frikën, gjatë lojës.


4.     Loja i ndihmon fëmijët që të krijojnë miqësi dhe se si të përfshihen së bashku në mënyrë të barabartë.


5.     Mbi të gjitha më e rëndësishmja është se loja është burim lumturie.


Kur prindërit e realizojnë rolin qëndror që loja e lirë ka në zvhillimin emocionale të fëmijëve për të krijuar fëmijë dhe adult të shëndetshëm, me siguri që ata nuk do të jenë indiferent të rivendosin prioritetet në jetën e fëmijës. Kjo mund të nisë me ndryshime të vogla fillimisht, pasi edhe prindërit e kanë të nevojshëm që të marrin kohën e tyre për t’u riogranizuar. Ne nuk duam në asnjë rast prindër ankthiozë dhe të vetëfajësuar për jetën e tyre aktuale, përkundrazi, ne duam prindër të ndërgjegjësuar, që atë dashuri që ia kanë dhënë deri tani fëmijëve të mund t’ia ridrejtojnë në mënyra më të shëndetshme fëmijëve për një lumturi afatgjatë dhe jo për krijimin e kënaqësive të përkohshme. Në përfundim, unë do të thoja se është e vërtet se kemi fëmijë më të zgjuar, plotë me informacion, gjithë ide, shumica prej tyre të padëgjuara dhe të pa provuara ende nga zëri social, zëri i së vërtetës. Ata janë vërtetë “fenomeni” më i bukur në çdo brez, ndaj dhe ambicia për t’i dhënë një fëmijëri të shëndetshme, do të duhet të jetë prioriteti i jetës tonë. 


(Nga: Drnt. Denata Toçe, Portali Shkollor)

3,823 Lexime
3 vjet më parë