PSIKOLOGJI

Mësues i vitit apo Mësues i jetës

Unë mendoj se nuk ekziston një gjë si ky “Mësuesi i Vitit". Çdo mësues i denjë për këtë titull, meriton të quhet i tillë. Ai mund të jetë drejtuesi shpirtëror drejt dijes, dhe si rrjedhojë drejt edukimit, pavarësisht se cili nxënës je ti.

Unë mendoj se nuk ekziston një gjë si ky “Mësuesi i Vitit". Çdo mësues i denjë për këtë titull, meriton të quhet i tillë. Ai mund të jetë drejtuesi shpirtëror drejt dijes, dhe si rrjedhojë drejt edukimit, pavarësisht se cili nxënës je ti.


Prej disa vitesh, titulli “Mësuesi i Vitit” është kthyer si një mënyrë për të motivuar mësuesit. Duket si një ide e mirë për të marrë vlerësimin e punës së bërë, si në raport me nxënësit, ashtu dhe me rolin shumëdimensional të mësuesit në proçesin e edukimit. 


Dua të jem e sinqertë me ju: nuk më ka pëlqyer shumë ky titull dhe nuk mendoj se kriteret e vendosura mund të përfaqësojnë denjësisht një mësues për të qënë më i miri vitit. Pastaj, do të duhet të mendohet se nuk mjafton vetëm një mësues për të qënë AI ose AJO më i/e miri/ra vitit. Tashmë unë njoh shumë mësues, të cilët kokë-ulur, me shumë modesti dhe pasion kryejnë punën e tyre, pa pritur të marrin ndonjë dekoratë apo titull të cilin edhe kur ua propozojnë, preferojnë të jenë diskret.


Kam konstatuar se një mësues dinjitoz, me aftësi humane, me pasionin për të kontribuar në edukim duke përdorur gjithë forcat, njohuritë, intuitën e tij për t’ia dalë mbanë, është ai i cili e njeh veten shumë mirë. Është i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm për hapat që hedh drejt mësimdhënies. Nuk krekoset të nxjerrë pushtetin në auditor, në klasë, por preokupohet të nxjerrë aftësitë individuale të fëmijëve në çdo fushë. Pyetjet që shtrohen janë: po si e kupton një mësues që është duke bërë punën e duhur? Si e vendos rolin e tij në qëndër të nevojave të fëmijës? Si e ndërton mësuesi këtë marrëdhënie të dashurisë për dijen me fëmijët?

 

Së pari, një mësues kujdeset që të ndërtojë te fëmijët të menduarit kritik. Fëmijët janë ata të cilët ngrenë pyetjet, hipotezat, nevojat dhe nuk janë aty vetëm për të dhënë përgjigjen e saktë. Pra, ambicia e mësuesit që nxënësit të japin përgjigje të sakta nuk është ndonjë arritje e madhe në vetvete, sepse filozofia e të mësuarit është edhe të gabosh. Kështu, të vjen shumë shpejt një mundësi tjetër e mirë për ta përsëritur dhe për ta thënë saktë. Ndaj dhe quhet “mësim-nxënie”, sepse fëmijët do të duhet të mësojnë. Ç’u pa nëse nxënësi është ngahera i saktë? E kush është ai mësues që nuk do ta dontë që mësimdhënia të ishte kaq e lehtë fundja. Por jo, ajo është një sfidë. Më shumë sesa një përgjigje e saktë apo e gabuar, çelësi është që fëmijët të nxiten, të ndjehen të çlirët dhe të motivuar për të bërë pyetje, qofshin këto edhe “budallaqe” ne dukje, por që në fakt ato qëllojnë që janë pyetjet më të mira. Kështu, lërini fëmijët të ndjehen komod dhe të bëjnë pyetje.


Së dyti, ndajeni kohën e mësimdhënies dhe mësim-nxënies në mënyrë të barabartë. Përdoreni afësitë tuaja të një dëgjimi aktiv më shumë sesa aftësitë tuaja të lektimit. Ky është një zakon shumë i keq të cilin mësuesit e përdorin shpesh dhe i kthejnë ata në uzurpuesit e orës së mësimit, duke mos e bërë fëmijën aktiv, por pasiv. 


Së treti, përdorimi i rolit të mësuesit si një frymëzim dhe jo si një figurë intimiduese. Sa prej jush kanë rastistur të kenë mësues të cilët janë mjaft të zotë në profesionin e tyre, madje jashtë auditorëve mund të kenë bërë vepra profesionale shumë me vlerë, por asnjëherë nuk e kanë sjellë krenarinë e tyre në klasë. Ky është një “sekret” që nuk e kanë të gjithë mësuesit, por po ta kishin, do të ndihmonin shumë nxënës të frymëzoheshin me qëndrimin e tyre dhe jo të indimidoheshin nga një profesion që papritur kthehet në pedant, me shumë pushtet dhe pa rrugëdalje. Shumë fëmijë pësojnë “kriza barku” kur mendojnë se do të gjykoheshin prej këtyre mësuesve, në vend që të ndjehen të motivuar për të qënë të pranishëm me zell orën tjetër të mësimit. A mund t’ia dalim të sjellim këtë atmosferë?


Së katërti, të njoh individualisht secilin prej fëmijëve, ku edhe ai më i turpshmi e ka një mundësi. Atutoriteti në klasë mund t’i mbajë fëmijët në “rresht.” E mbani mend këtë shprehje nga artikujt e mëparshëm pranë kësaj rubrike? Po po, mund t’i bëjë fëmijët, nxënësit të jenë të njësuar në disiplinën e dukshme, por kështu do të humbisni mundësinë e krijimit të një atmosfere bashkëpunimi dhe respekti. Marrëdhëniet e frikës kryesisht dështojnë në qëllimin përfundimtar, që fëmijët të jenë të suksesshëm, në të kundërt marrëdhëniet e respektit, krijojnë sedrën, ndërgjegjësimin dhe njëkohësisht pasionin për dijen. Kështu do të shikoni se edhe ata më të pashpresët për të marrë pjesë në mësim, do të jenë aktiv mjaftueshëm për shkak të atmosferës së krijuar.


Së pesti, ju mund të inkurajoni dhuntitë personale të fëmijëve. Çdo fëmijë është unik të talentin e tyre. Nëse krijoni atmosferën e duhur dhe nxisni materien e spikatur në secilin nxënës, ju mund të befasoheni me talentet që fëmijët kanë. Dhe, mos bëni asnjëherë dallimin se cili talent ka më shumë vlerë, se kështu do të humbisni mundësinë e harmonisë së nxënësve me njëri-tjetrin. Jepini mundësinë që të gjithë të përshfaqin shkathtësitë individuale.


Së gjashti, ju i keni treguar nxënësve se nga ajo që kanë mësuar prej jush, mësimi jashtë klasës bëhet edhe më i pëlqyeshëm. Pra fëmijët arrijnë ta përkthejnë këtë mësim edhe në jetën e përditshme, me shumë dëshirë për të mësuar gjëra të reja, duke u zhveshur nga meraku i “detyrave të shtëpisë”


Së shtati, ju i bëni fëmijët të qeshin. Fëmijët i ndjekin me shumë vëmendje dhe i duan shumë njerëzit që i bëjnë për të qeshur. A mund të jeni ju personi i qëndërzuar që i bëni fëmijët të qeshin? Sigurisht, ju nuk keni pse silleni si klloun, por ju mund të krijoni shirtin e humorit në klasë me gjëra fare të thjeshta, duke zhbërë ndonjëherë “katastrofat” e vogla që fëmijët perceptojnë gjatë “dështimeve” të njëpasnjëshme që mund të ndodhin gjatë proçesit të mësimit. Kështu, fëmija do të perceptojë se ka një mundësi të dytë për të mësuar, dhe asnjëgjë nuk është aq dramatike sa duket. 


Së teti, ju improvizoni dhe provoni gjëra të reja. Ju duhet të jeni mësuesit të cilit vazhdimisht u mësoni fëmijëve gjëra të reja, por duke provuar gjëra të reja. Struktura e një plani është shumë e rëndësishme, por mos harroni të jeni spontan dhe kreativ. T’i përmbahesh në mënyrë strikte një plani domethënë që humbasësh mundësinë e spontanitetit dhe origjinalitetit që sjellin vet fëmijët në klasë. 


Së nënti, ju i keni treguar pasionet tuaja nëpërmjet mësimit. Kështu ju do të keni mundësi të frymëzoni fëmijët, të ktheheni në model për ta.


E dhjeta dhe e fundit, ju i  keni treguar fëmijëve se ju keni interes për ata, ju kujdeseni. Vëmendja, interesi, kujdesi, afeksioni, janë ushqimi më i mirë i ekuilibrit emocional të individit. Kur ju i tregoni fëmijës, nxënësve, të gjithëve pa përjashtim se ju kujdeseni për ta, keni interes edhe për gjërat që duken të pavlera në pamje të parë, atëherë ju i keni kushtuar vëmendje fëmijës dhe kjo përkthehet në ndjenjë afërsie emocionale shumë të fortë dhe të nevojshme për vetëbesimin. Ju kështu do të keni krijuar nxënës të arrirë në veten e tyre dhe në marrëdhënie me dijen. 


A nuk do të mjaftonin të gjithë këto për të qënë “Mësuesi i vitit?” A mundet dikush prej jush të më thotë se si do t’ia mësoni mësuesve të jenë të këtillë dhe si do të mund t’i masni këto shkathtësi? A mundet një mësues me këto cilësi të aderojë të jetë “Mësuesi i Vitit?”


Unë mendoj se nuk ekziston një gjë si ky “Mësuesi i Vitit.” Mendoj se një mësues që mbart cilësitë e mësipërme, është ai i cili mbetet mësuesi i jetës. Ai mund të jetë drejtuesi shpirtëror drejt dijes, dhe si rrjedhojë drejt edukimit, pavarësisht se cili nxënës je ti. Pa dalluar nxënësin “e mirë” apo “të keq”, por duke i dhënë një mundësi të barabartë të gjithëve të mësojnë dëshirën për dijen. 



(Nga: Drnt. Denata Toçe, Portali Shkollor)

3,034 Lexime
4 vjet më parë