KËSHILLA

Procesi i ushqyerjes dhe rutina e prishur e fëmijëve gjatë COVID-19

Me ardhjen e këtij virusi, pushimi nuk është më një pushim i zakonshëm, dhe dinamikat nuk janë aspak të njëjtat, ndaj do të duhet të përshtasim rregulla të reja, por me përmbajtje të njejtë. Këto këshilla nga psikologia Denada Toçe do t’ju ndihmojnë të krijoni një rutinë të mirë ushqyerje për fëmijët tuaj.

Mendoj se të gjithë jemi dakord se rutina jonë ka ndryshuar thelbësisht këto ditë. Aq sa mendonim se sa të nevojshëm e kishim këtë pushim nga disa detyra dhe rutina të përditshme që ishin kthyer në gogol të kohës me familjen, aq edhe mendojmë se e gjithë kjo është e tepruar në raport me nevojat reale që ka familja dhe antarët e saj. Fëmijët janë ata të cilët më së shumti kanë nevojë për drejtimin tonë. Kulturalisht jemi të prirur të mendojmë se kur fillon një sezon pushimi, ne bëjmë pushim nga çdo gjë. Ne ia dorëzojmë jetën tonë spontanitetit dhe gëzimit të lëvizjes psikologjike nga përgjegjësitë dhe ngarkesës së punës. Por brenda kësaj agjende  spontane pushimi, përziejmë edhe ato rutina të domosdoshme pa të cilët nuk strukturojmë shëndetshëm një fëmijë dhe veten tonë. Sigurisht që spontaniteti është i rëndësishëm, por brenda një strukture të domosdoshme dhe jetike për fëmijën. Ndërtimi i kësaj strukture realizohet me rregulla të përcaktuara. Me ardhjen e këtij virusi, pushimi nuk është më një pushim i zakonshëm, dhe dinamikat nuk janë aspak të njëjtat, ndaj do të duhet të përshtasim rregulla të reja, por me përmbajtje të njëjtë. 


Nëse fëmijët çoheshin cdo ditë në një orar të caktuar mëngjesi për të shkuar në shkollë, atëherë edhe në këtë rutinë izolimi, zgjimi do të jetë me orar, edhe pse jo shumë herët në mëngjes. E udhës është që të jetë një orë më mbrapa se orari i zakonshëm. 


Aktiviteti i mëngjesit nuk mund të fillojë me televizor apo mjete elektronike, por me përgatijen bashkërisht të mëngjesit ose fëmija mund të qëndrojë në paqe zgjimi pranë divanit deri sa të bëhet mëngjesi. 


Ushqyerja është një rutinë shumë e rëndësishme që të konsumohet me familjen. Kjo është një e mirë e madhe në këtë periudhë karantinimi, pasi kështu fëmijët kanë mundësi të ndajnë kohë me prindërit edhe më shumë. Nuk është koha që gjatë uljes në tavolinë të kritikojmë fëmijën për mënyrën si po ha. Nuk është koha që t’i kujtojmë fëmijës detyrimet që ka për të kryer ndërsa është duke ngrënë. Është koha t’i flasim fëmijës për mëngjesin që po ha, dhe për dëshirat e ushqimeve që do të donte të konsumonte gjatë mëngjesit të ardhshëm. Duke krijuar marrëvëshje mbi disa prej ushqimeve që janë të domosdoshme por jo domosdoshmërisht të pëlqyeshme dhe për ato pa të cilat fëmija nuk bën dot. 


Procesi i ushqimit është shumë delikat. Disa prej fëmijëve janë shumë selektiv, dhe gjatë kësaj periudhe izolimi, janë bërë edhe më selektiv, pasi hanë në orare të çorientuara dhe midis vakteve ushqimore që janë sekondare dhe shpesh të pashëndetshme. Këtu do të duhet të bëhet kujdes që të konsumohen të tre vaktet kryesore, brenda orareve rutinë të zakonshme, dhe midis vakteve, të bëhen gati fruta, të njoma dhe të thata, që hera herës konsumohen nga fëmijët teksa mësojnë, luajnë, etj. Propozimet për ushqim të prindërve janë të rëndësishme kur ato janë të shëndetshme, por mos harrojmë edhe propozimet e fëmijëve. 


Gjatë javës, krijoni mundësi që fëmija që ketë mundësi të zgjedh ushqimin tërësisht vet. Edhe pse ai mund të duket i pashëndetshëm, do të duhet të respektojmë zgjedhjen e tij. Edhe gjatë ditëve të tjera, mos ofroni vetëm një alternativë, por nëse keni të paktën dy, jepjani fëmijës si mundësi për të zgjedhur: “sot mund të gatuajmë mashurka dhe bizele, cilat do të preferoje?”. Do të duhet që të dyja altenativat të jenë të ngjashme dhe të ndryshme. Nëse ne propozojmë midis pilafit dhe mashurkave, sigurisht që fëmija do të zgjedh pilafin. 


Një tjetër mënyrë për të kënaqur dhe motivuar fëmijën është të vendosim ushqime në pjatë sipas preferencave të fëmijës dhe rëndësisë ushqimore. I vendosim në tavolinë ushqimin që fëmija e ka shumë qejf, në një sasi të kënaqshme por jo të plotë, dhe në një sasi më të vogël, një ushqim të shëndetshëm që fëmija nuk e ka shumë qejf: “një tas të vogël me supë, dhe më pas do të kesh mundësi të hash picën tënde të preferuar.” Vetëm dhe vetëm kur fëmija të përfundojë supën që është në sasi jo shumë të madhe, mund të hajë një pjesë pice, që është e sugjerushme të bëhet në kushtet e shtëpisë, kur është mundësia. Nese fëmijët e konsumojnë ushqimin me detyrim dhe nuk i jepet asnjë mundësi zgjedhjeje, procesi i ushqyerjes nuk është më argëtues për fëmijën. Ne duam që fëmija të ndjehet i vlerësuar për zgjedhjet që bën, ndaj krijoni sa më shumë mundësi që ai të ndjehet i këtillë.


Zakonisht, është e udhës që fëmijëve t’u tregohen rregullat e tavolinës dhe ushqimit që në fillim: kur ulemi në tavolinë, nuk çohemi shpesh, vetëm në rastet kur fëmija ka nevojë për ujë ose ndonjë nevojë tjetër emergjente. Nuk mund të hajë, të shkojë dhe të kthehet për të ngrenë kafshatën tjetër. Por as të ndiqet fëmija nga mbrapa për t’i dhënë ushqimin. 


Nëse pjata është e panjohur për fëmijën, nuk mund të thotë se nuk më pëlqen, nëse të paktën nuk e ka provuar një herë të vetme. Edhe nëse e ka provuar, do të duhet ta konsumojë mjaftueshëm, por nuk e ka të detyruar ta konsumojë të gjithën. Mund të bini dakord që ta ndani sasinë e asaj që fëmija do të konsumoj dhe asaj që do të mbetet. Është shumë e rëndësishme që fëmijët të qëndrojnë në tavolinë, edhe pse refuzojnë të hanë. Prindërit nuk mund të detyrojnë fëmijën të mbarojë të gjithë pjatën, por mund t’i tregojë fëmijës se sa e rëndësishme është ta konsumosh ushqimin në pjatë. 


Mbi të gjitha hidhini fëmijës sasinë e ushqimit që ju jeni të sigurtë që ai e ha. Më mirë pak dhe e rimbushni po të kërkojë sërisht, sesa shumë dhe ta ndjehet i pasuksesshëm në përfundimin e tij. Kujtojani fëmijës vazhdimisht se ai ka të drejtë të shprehet duke thënë se “Këtë ushqim nuk kam shumë dëshirë ta ha”, por nuk është mënyra e duhur duke e sharë ushqimin apo duke bërë glimasa rreth ushqimit, sidomos kur rreth tij apo saj ka edhe njerëz të tjerë. Ushqimi do të duhet të respektohet si një e mirë e prejardhur prej mundit të familjes dhe prej sigurimit të natyrës.


Rregullat e tjera të tavolinës janë pjesë përbërëse të çdo familjeje. E rëndësishme është që ushqimi të jetë kënaqësi, dhe jo detyrim. Ju premtojë se asnjë fëmijë nuk e lë veten e tij të ketë uri dhe të mbetet pa ngrënë. Ju thjesht do të duhet të siguroheni që ushqimet e konsumuara në shtëpi të jenë të shëndetshme. 



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.


3,208 Lexime
3 vjet më parë