"Lumturisht miq!"

Të dukesh ose të zhdukesh!

Studimet tregojnë se adoleshentët e përjetojnë jo shumë mirë kur nuk marrin “like-t” e dëshiruara nga njerëz të dëshiruar prej tyre. Kur nuk pëlqehen nga njerëz të cilët as që i njohin mjaftueshëm, kur nuk marrin vëmendjen që presin të marrin...

Vjen e ngrysur në dhomën e ndenjes… merr drejtimin në krye të dhomës, aty ku ndodhet kuzhina, dhe i afrohet frigoriferit se mos gjen zgjidhjen e boshllëkut që ndjen në stomak. Por shumë shpejt e mbyll derën e bardhë, të rëndë prej kompostove të kumbullave, të një pasditeje të zakonshme vere, me forcën e tensionit të mendimeve që vërshojnë mendjen. Po ndodh shpesh e më shpesh, që ajo të kthejë mendje përballë zgjedhjeve kaq të thjeshta, si dera e frigoriferit. Ecejaket nëpër hapësirat e shtëpisë me kokën e ngarkuar me mendime që nuk e lënë të qetë. Të gjithë të afërmit familjarë rreth saj, nuk i drejtohen dot me fjalë, nuk ka komunikim dhe mbi të gjitha, nuk ka lajka. Prindërit të dëshpëruar, mezi gjejnë ato pak fjalë telegrafike për t’i ofruar ndihmën e tyre, por kjo nuk funksionin gjithmonë. 


Rikthehet në folenë e intimitetit të vetmisë tipike, të atmosferës kautike të një adoleshenteje, dhe nën perden e një drite të zbehtë të një ambazhuri praktik në kokën e krevatit, rrëmben sërish pllakën elektronike, duke kërkuar një moment më të mirë se ai që përjetojë pak më parë nga po e njëjta pllakë. Edhe këtë herë, pamja është e ngjashme: nën iluzionin e filtrave të një jete të kapur pas fotove dhe statuseve “magjik”, përthithur ndaj vujarizmit njerëzor por shndërruar në vuajerizëm ambicioz, mendjen e përshkojnë një sërë emocionesh dhe ndjenjash që flasin me gjuhën e dëshirimit të një “vete” më të mirë se ajo që mendon se është, ose që nuk është. 


Pamjet nuk “zhgënjejnë”, të qeshura midis miqsh që duket sikur janë rritur që njomëcakë, por në fakt pak minuta në rastësi dhe paqartësi gjendjesh të dyta, apo të treta, zgjojnë miqësi të reja dhe fatkeqësisht të përkohshme, por të kopsitura në foto që shndërrohen në “lumturisht miq!”. Sërish pamjet nuk “zhgënjejnë”, ndërsa shikon vajzat, bashkëmoshatare ose jo, të ngjashmen e gruas që instikti e çon, dhe ndalet e mbërthyer në mori fotosh që kanë ngrirë shkrepjen: me flokë të mëndafshtë, fytyrë të mermertë, buzë simetrike që nuk frymëzojnë asnjë laps piktori, dhëmbë të ngjizura me Barbin, trupin e kuruar që vë në dilemë edhe vet Zotin, hundë që rrëqeth edhe Dean e Butrintit. 


Ah, sa do të doja të shikoja një fytyrë atipike, me hundë të lartë, të mbushur, të mbrehtë. Me gojë të vogël dhe buzë rozë dhe në proporcion me tiparet e fytyrës. Me gjinj të vegjël dhe që qëndrojnë erotikisht dhe fizikisht mirë trupit. Me lëkurë të zbehtë dhe të kuqur hera-herës, prej ndonjë puçrre hormonale. Me flokë të shkujdesur sikurse i ka çuar era. Këto janë momente të cilat nuk i shikon dot në një foto: fryma për së gjalli e jetës së vërtetë që fsheh gjithë kjo “plastikë” e cila ushqehet prej mediave sociale. 


Mbërthyer në tundimin për të qenë edhe ajo pjesë e “lojës”, për të qenë edhe ajo në grup me miq plot, me bukurinë e stisur që të vendosë në qendër të vëmendjes, me ondet “trendi” që sjellin fotot dhe statuset, të cilat duket se reflektojnë një dinamikë lumturie ku koha nuk mbaron, nën kurthin e historikut të lënë pas për çdo njërin prej “klientëve” të këtyre mediave sociale. 


Nuk është e lehtë për secilin prej nesh t’i shpëtojë tërheqjes që krijojnë mediat sociale me anën tjetër të botës, të cilën e sjellin kaq pranë. Por sot. Ata që janë më të rrezikuar dhe më vulnerabël, janë fëmijët, më saktë, adoleshentët. Duket shumë e thjeshtë për një adoleshent, sfidat e të cilit shkojnë drejt ndërtimit të marrëdhënies, drejt ndërtimit të identitetit social apo seksual, t’i gjejë këto “të gatshme” në një tabletë elektronike. 


Kështu rrugëtimi për të arritur në përmbushjen e “detyrave të shtëpisë” të një adoleshenti, bëhet më i thjeshtë. Pra, një adoleshent nuk ka pse të mundohet, të derdhë djersë dhe të mbajë një marrëdhënie, duke shkuar dhe takuar shokët, duke i ftuar që të ballafaqohen në konflikte, duke i thënë për së gjalli se çfarë pëlqejnë dhe çfarë jo, duke u skuqur dhe zverdhur përballë pëlqimeve dhe dashurive të para, duke u kapur për dore për herë të parë ndërsa ndjejnë emocionet e takimit lëkurë më lëkurë. Jo, e gjithë kjo sot është e përkthyer me “like!” dhe me “emoji!”, me një jetë virtuale e cila nuk rrit emocionalisht dhe mendërisht shëndetshëm një fëmijë, një adoleshent. Ky i fundit do të duhet të kalojë të gjitha nivelet e kënaqësive dhe të vështirësive që jeta reale ofron, për të përkthyer në reflektime emocionet dhe mendimet që i shoqërojnë ato apo e kundërta, sa më drejt. Kur këto nuk përputhen me realitetin e së vërtetës, atëherë kthehen në gënjeshtra që “vrasin!”. 


Studimet tregojnë se adoleshentët e përjetojnë jo shumë mirë kur nuk marrin “like-t” e dëshiruara nga njerëz të dëshiruar prej tyre. Kur nuk pëlqehen nga njerëz të cilët as që i njohin mjaftueshëm, kur nuk marrin vëmendjen që presin të marrin prej miqve që kanë në faqe, edhe pse 1/3 e tyre njohin. Ata madje përjetojnë edhe episode depresioni, ankthi dhe zemërimi ndërsa hulumtojnë faqet e “lumturisë” që ofron kjo botë virtuale e mediave sociale. Të mos flasim pastaj për pasojat që sjell ky fenomen ndërsa shumë prej adoleshentëve bëhen pjesë e talljeve dhe poshtërimeve on-line nëpër këto media. Çfarë pushteti vrastar dhe njëkohësisht i domosdoshëm është kthyer media sociale! A do të shpëtojë ndokush pa iu nënshtruar këtij gjigandi të fortë mediatik? A do t’i lëmë të rinjtë sot të mbërthehen në këtë botë virtuale, me justifikimin se i përket kësaj epoke, thjesht se do të duhet, në një mënyrë apo në tjetrën, “të dukesh” ose në mos “të zhdukesh?” 


Ndoshta përgjigjja që kam në mendje është po aq kautike sa edhe mendimet e justifikuara të një adoleshenti. Por për një gjë jam e sigurt, për të vërteten e hidhur se jeta, në dukje, duket gjithnjë e më e bukur, “lumturisht” e bukur. Ndërsa jeta reale është thjesht e bukur, me vërtetësinë e trishtimit dhe çasteve magjike të lumturisë, si ylberi pas një rrebeshi të një dite vere! 


Referenca

(Nga: Drnt. Denata Toçe, Portali Shkollor)

6,278 Lexime
6 vjet më parë