Libri

Udhëtimi më i bukur për një fëmijë është libri…

“Udhëtimi më i bukur për një fëmijë, është libri…Bota më e pasur për një individ është biblioteka e tij”.

Një nga kënaqësitë më të mëdha që prindi përjeton, është kur shikon sytë plot shkëlqim të fëmijës së tij, i cili me një aftësi “magjike”, të lindur, të fton të bashkëveprosh dhe të jepesh i gjithi në marrëdhënie me të. Është kjo aftësi, të cilës i nënshtrohen të gjitha instiktet tona të lodhjes dhe të ashpërsisë prej jetës për t’i  ardhur në ndihmë rritjes dhe edukimit të fëmijës. Është kjo marrëdhënie që kërkon kujdes për t’u ndërtuar dhe për t’u kuruar që fëmija të përfitojë më të mirën prej nesh.


Në mënyrë shumë të natyrshme, po ky vështrim i shoqëron fëmijët drejt të panjohurës, mbushur me kuriozitet, që nga lodrat shumë ngjyrëshe ndërsa i rrokin t’i manipulojnë, e deri tek situatat, njerëzit dhe historitë magjike të librave plot figura, të cilat shembin çdo realitet duke i lënë vend imagjinatës. Të gjithë këto, janë rrugëtime që i mësojnë fëmijët të jetojnë, por ndër këto do të veçoja mbi të gjitha librin dhe aftësinë e tij për të depërtuar thellë në mendjen, inteligjencën, karakterin dhe personalitetin e individit. Të gjithë këto bashkë, formojnë shëndetshëm botën e një njeriu.  


Njohja më e gjerë që një individ fiton, është nëpërmjet leximit, dhe nëse prindërit do të donin që fëmijët e tyre të jenë inteligjent në udhën e jetës, do të duhet të fitojnë dashurinë për leximin. Kjo ndjenjë ka aq shumë përfitime sa do të ishte e vështirë t’i përmblidhnim në një artikull të vetëm, por dua të ndaj me ju ato më kryesoret: Ju mund të zhvilloni dashurinë për leximin që në vitet e para të jetës duke i lexuar fëmijës që në muajt e parë të tij.


Studimet: Leximi ka efekte shumë pozitive

Shumë studime kanë treguar dhe konfirmuar tashmë se leximi ka efekt mjaft pozitiv tek fëmijët. Një prej studimeve që e tregojnë këtë është ai i Spitalit pediatrik Rhode Island. Ata krahasun dy grupe fëmijësh të moshës 18 muajsh: një grup përfitoi lexim të vazhdueshëm të librave prej prindërve gjatë ditës, dhe një grup tjetër nuk e përfitoi këtë ritëm leximi të librave prej prindërve. Të dhënat kanë treguar se gjuha e kuptuar e fëmijëve që u ishte lexuar shpesh prej prindërve (fjalët të cilët ata mund të kuptonin) ishte 40 % më e lartë që prej foshnjërisë dhe grupi që kishte përfituar më pak prej leximit vetëm 16 %.


Në fakt, është tashmë e konfirmuar prej një numër të gjerë studimesh se leximi i librave tek fëmijët dhe prej fëmijëve, është mënyra më efektive për të ndërtuar gjuhën, duke krijuar lidhjet neurale në trurin e fëmijës gjatë rritjes dhe zhvillimit të tij. Disa prej përfitimeve të çmuara në këtë drejtim mund t’i përmendim si më poshtë:

  • Leximi ndihmon fëmijën dhe prindërit që të krijojnë një lidhje të afërt midis tyre. Fëmija përjeton bulzat e para të intimitetit dhe të mirëqenies, sigurisë pranë prindërve. Kjo mirëqenie siguron që fëmija të ndërtojë të qenit të dashur duke marrë vëmendjen në mënyrën me të shëndetshme të mundshme dhe ndihmon që të rritet i zgjuar.
  • Ndjenja e intimitetit çliron një kënaqësi kaq të këndshme sa i mëson fëmijës që të ketë një qëndrim shumë pozitiv me librin ndërsa ai rritet.
  • “Zbut” fëmijën tuaj ndërsa ai mund të jetë i tensionuar ose i shqetësuar.
  •  Zhvillon dhe rrit komunikimin midis prindërve dhe fëmijës.
  • Fëmijët parashkollor që janë të ekspozuar ndaj fjalëve të dëgjuara prej leximit, ka shumë të ngjarë që të jenë frytdhënës në periudhën e shkollës.
  • Shumë studime tregojnë gjithashtu se nxënësit që e duan edukimin dhe ia dalin mjaft mirë në shkollë, kanë qenë të ekspozuara ndaj leximit që në moshë të hershme.
  • Fëmija juaj mëson hershëm bazat e leximit të një libri, që fjalët përcaktojnë tinguj dhe koncepte, që fjalët lexohen nga e majta në të shkruar dhe se tregimi vazhdon vetëm nëse do të ktheni faqen e librit.
  • Ndihmon fëmijët që të rrisin përqendrimin si një cilësi mjaft e domosdoshme për të mësuar rreth botës.
  • Ndërton aftësitë e të dëgjuarit aktiv dhe mbi të gjitha zhvillon imagjinatën.
  • Fëmijët fillimisht mësojnë nga bota që i rrethon rreth ngjyrave, formave, numrave dhe shkronjave; ndërsa leximi i ofron zgjerimin e njohurive mbi këto fenomene duke zgjuar interesa më specifike dhe frymëzuese.
  • Libri i ndihmon fëmijët që të përmirësojnë aftësitë e të menduarit. Kur ju lexoni, fëmija mëson që të kuptojë shkakun dhe pasojën, ushtron logjikën dhe gjithashtu për në një moshë më të madhe, rreth pubertetit, arsyeton mbi terma abstrakte.
  • Fëmija mëson pasojat e veprimeve dhe bazat e gjykimit se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar.
  • Librat i mësojnë fëmijët rreth marrëdhënieve, situatave, personaliteteve të ndryshëm me të cilët përballen në jetën e përditshme.
  • Librat me tematikë fantazinë, sigurojnë material për imagjinatën e tij gjatë lojës së lirë. Përrallat mbi të gjitha e impresionojnë fëmijën dhe më vonë e ndihmojnë fëmijën të ndajë realitetin nga jo-realiteti.
  • Leximi i historive të ngjashme me eksperiencën e fëmijës suaj, e ndihmon këtë të fundit që të reduktojë ankthin dhe të zgjidhë situata të ndryshme. P.sh.: nëse fëmija do të ishte i stresuar në ditën e parë të kopshtit, në ditën e parë të shkollës, në ndërrimin e shtëpisë etj., një histori e ngjashme në libër do të ndihmonte fëmijën që të përballej me situatën në mënyrë më të qetë.
  • Leximi, më në fund, kur zhvillohet në moshë të hershme, themelon në qenien e fëmijës dëshirën për të lexuar akoma më shumë dhe për të mësuar gjëra të reja, të cilat do t’i vlejnë në formimin e tij individual. Ju nuk do të ndjeheni të shqetësuar si prindër se kur, çfarë dhe si do të duhet të lexojë, pasi fëmija vet do të ketë interes për librin.

Të gjitha sa më sipër, janë një pasuri dhe një vlerë e pazëvendësueshme e fëmijës suaj.Por jo të gjithë prindërit janë të mirinformuar se si do të duhet ta nisin rrugëtimin e edukimit të dëshirës për të lexuar. Më poshtë do të mund të gjeni disa këshilla praktike se si mund të rrisni një fëmijë me dëshirën për të lexuar:

  • Shikoni interesat e fëmijës suaj me vëmendje. Jini vëzhgues të mirë dhe mbani shënim nëse do të jetë e nevojshme. Kështu ju do të mund të provokoni, të motivoni fëmijën me tematikat që i sillni nëpërmjet librave.
  • Gjithashtu, ju mund të zgjoni interesa të reja. Krijoni një bibliotekë të vogël të fëmijës dhe ndajini me sektorë se çfarë do të lexoni këtë javë. Nëse do të flisni për kafshët e egra, atëherë fëmija do të fillojë të mësojë për ato gjatë javës.
  • Bëni që fëmija të jetë interaktiv në procesin e të lexuarit. Pyeteni, merrni mendim, krijoni personazhet e preferuara, etj.
  • Kujdes! Përdorni strategji në procesin e leximit të përshtatshme për moshën e fëmijës. Ndërkohë, lexojini fëmijës për mosha të ndryshme duke i prezantuar sfida dhe mundësi të ndryshme.
  • M.q.s fëmija mëson më së shumti nga modelet që i prezantohen, pra ju imiton ju, lëreni të shikojë çdo ditë se si ju lexoni për të. Kështu ju i mësoni se leximi është pjesë e jetës.
  • Ftojeni që të lexoni një libër, dhe bëjeni me kënaqësi, silleni si një ide e këndshme, dhe mos i tregoni përtesë, pasi fëmija mëson ta dojë dhe jo të sforcohet për ta bërë në të ardhmen.
  • Krijoni një zakon, një rutin në procesin e të lexuarit me fëmijën tuaj: çdo orë në ditë, ose disa herë në javë, e mirëpërcaktuar si koha së bashku me librin. Kështu i krijoni fëmijës një stil jete, një rutinë, një kohë intimiteti pa të cilën nuk qëndron dot.
  • Zgjidhini librat së bashku, por duke u fokusuar tek interesi i fëmijës dhe që i përkasin moshës së tij. Fëmijët e vegjël kanë shumë dëshirë që të blejnë libra me figura të ndryshme të jetës së përditshme dhe me figura njerëzish që mundësisht edhe të ngjyrosen.
  • Që të ndihmoni fëmijën që të mësojë shkronjat vizualisht fillimisht dhe fjalët gjithashtu, tregojeni historinë duke vendosur gishtin tek fjalët, duke filluar mbas moshës tre vjeç, por mos e detyroni fëmijën që të ndjek me patjetër gishtin tuaj.
  • Fëmijët përgjithësisht kanë shumë dëshirë që ju t’i lexoni të njëjtat histori, t’ia përsërisni e përsërisni për një kohë të gjatë. Mos ia dekurajoni këtë iniciativë për sa kohë kjo i jep kënaqësi, fundja ai po kërkon që ju t’i lexoni dhe mezi pret të dëgjojë atë histori të cilën me siguri i ka dhuruar momente shumë të bukura në imagjinatën e tij.
  • Ekspozojeni fëmijët të zgjedhë libra të ndryshëm.
  • Kthejeni librin si një faktor ndihmues që fëmija të kalojë me sukses tranzicione të ndryshme në jetën e tij.
  • Rrethojeni fëmijën me libra. I mbani librat atje ku fëmija mund të ketë akses.
  • Mësojeni fëmijën që të kujdeset me shumë respekt për librat. Mësojeni që në fillim se librat nuk grisen.
  • Merrni gjithmonë libra me vete nëpër udhëtime ose kur ju duhet të prisni. Shpesh prindërit presin në radhë në bankë, tek doktori, etj. Do të ishte shumë mirë sikur prindërit të marrin libra me vete dhe t’i nxjerrin nga çanta sa herë që do të duhet të presin, një për fëmijën dhe një libër për ata vet.

Procesi i të lexuarit është siguria e një të ardhmje të kënaqshme për mirë formimin e fëmijës. Mos harroni ta vendosni në “sirtarin” e prioriteteve në rritjen dhe edukimin e fëmijës. Ju premtoj se do të krijoni një individ të pandashëm me vlerën e paçmueshme siç është libri. 


(Nga: Drnt. Denata Toçe, Portali Shkollor)

6,260 Lexime
2 vjet më parë