Digjitalizimi

12 kala shqiptare në 3D, tani vizitohen edhe virtualisht

Puna për digjitalizimin filloi më 25 prill 2016, duke nisur nga vizitat në terren, konsultimin me hartat e kështjellave... ka vijuar me ndërtimin e rrjetit të pikave gjeodezike dhe matur ato me GPS me një stacion të përgjithshëm në çdo kështjellë.

Projekti "Net Castle", një financim i BE-së për programin ndërkufitar Shqipëri-Greqi, janë 12 kala, të cilat ofrojnë për turistët vendas, por kryesisht për ata të huaj, ture virtuale 360 gradë.


Bëhet fjalë për kalanë e Gjirokastrës, të Tepelenës, të Kardhiqit, Libohovës, Këlcyrës, Shtepëzës, Melanit dhe Shën Triadhës. Do të bëhet prodhimi i panoramave 360 gradë duke përdorur foto të marra në kalatë Selo; Palokastër, Jerma (Antigonea) dhe Labova e Kryqit.


Specialistët shqiptarë që kanë punuar me këtë projekt janë: Blerina Bino, Përparim Ndoi, Arian Korkuti, Kebjana Haka, Ketrina Çabiri, Ornela Çuçi dhe Ylljet Aliçka për raportin final. Bleriana Bino tha se katër kala (Selo, Palokastër, Antigonea dhe Labova e Kryqit) janë bërë me foto 360 gradë panoramike, ndërsa 8 të tjerat me digjitalizim, ndërsa modelet 3D janë bërë për të gjitha.


Për ata që nuk kanë mundësi t’i vizitojnë fizikisht, apo për ata që duan të kenë një informacion paraprak përpara se t’i vizitojnë, është e mundur që të shohin një tur virtual 360 gradë të kalasë, bashkë me këtë edhe informacionin historik, kulturor të kalasë dhe të zonës në të cilën ata ndodhen.


Krahas vlerave turistike, turi virtual përmban përmasat reale të kalave. 

Janë digjitalizuar 12 kala, që do të thotë, janë përgatitur formatet e tyre 3D, duke dhënë volumin e plotë të kalasë, që shërben për të gjithë të interesuarit dhe profesionistët për të matur ekzaktësisht përmasat dhe karakteristikat tipike të çdo kalaje.


Puna për digjitalizimin filloi më 25 prill 2016, duke nisur nga vizitat në terren, konsultimin me hartat e kështjellave, etj. ka vijuar me ndërtimin e rrjetit të pikave gjeodezike dhe matur ato me GPS me një stacion të përgjithshëm në çdo kështjellë. Është përdorur gjithashtu pajisja mbështetëse, një dron me krahë S1000 që ka fotografuar çdo kështjellë parë në një lartësi prej 40-50 metra.


Në disa prej kështjellave, sidomos ato të vogla e larg qytetit, terreni nuk ka qenë mikpritës, dhe grupi punës e ka pasur të vështirë t’i vizitojë këto kështjella (Kalaja e Këlcyrës ka qenë rasti më i vështirë). Gjithashtu disa kështjella kanë qenë jo të mirëmbajtura, të mbuluar nga barishte dhe bimësi të tjera, gjë që ka penguar filmimet me dron për të pasur një model të qartë 3D drejtpërdrejtë nga fotot.


Për më shumë informacione rreth projektit klikoni në: netcastle.eu. 

Për shtete të tjera kjo procedurë tashmë është e konsoliduar, në vendin tonë është hera e parë që aplikohet ky projekt, i cili synon që shumë shpejt të shtrihet edhe në Qarkun e Beratit dhe Vlorës.


(Portali Shkollor)

3,065 Lexime
6 vjet më parë