
21-vjeçari harton një projekt për të pastruar oqeanet
Nëse teknologjia e ideuar nga Slat do të ketë sukses, kjo mund të përdoret për të hequr vetëm në 10 vjet, të paktën gjysmën e 154 milionë mbetjeve plastike, që tani notojnë në atë që quhet Great Pacific Garbage Patch
Në vitin 2013 ai ishte vetëm 18 vjeç, por e habiti botën me një ide gjeniale për pastrimin e oqeaneve nga miliona tonelata plastikë që po vënë në rrezik habitatin detar. Tashmë Boyan Slat ka arritur të mbledhë paratë e nevojshme për të vënë në zbatim projektin ambientalist më të arrirë e ambicioz në planetin Tokë.
Në oqeane po vërehen gjithnjë e më shumë objekte plastike që qeniet njerëzore i hedhin pa asnjë lloj hezitimi në dete. Në sajë të rrymave, janë pesë ishujt e mëdhenj të mbeturinave që kanë grumbulluar ujërat oqeanike: vetëm në Paqësor flitet përrreth 150 milionë tonelata mbetje, që në disa zona tejkalojnë përqendrimin e planktoneve. Në total janë rreth 5.25 trilionë copa të mbetjeve që ndotin oqeanet dhe detet. Deri në këtë moment e vetmja rrugë e këshilluar është ajo e përdorimit më të paktë të plastikës, për të mos përkeqësuar edhe më shumë situatën.
Por Boyan Slat, i lindur në Holandë në vitin 1994, e ndryshoi perceptimin e këtij problemi: “Ishte e dëshpërueshme për mua të mendoja se vetëm limitimi i konsumimit të plastikës ishte i mjaftueshëm!”. Kështu në vitin 2012, i mbyllur në dhomën e tij të studimit, ai imagjinoi një sistem që shfrytëzon rrymat oqeanike për të grumbulluar plastiket në një vend të vetëm e për të reduktuar kështu në mënyrë drastike, në pak vjet, kohën e pastrimit të ujërave.
Në vitin 2013, ai, për këtë qëllim themeloi “The Ocean Cleanup”, fondacion me të cilin arriti të grumbullojë paratë e nevojshme (1.5 milionë euro) për të ndërtuar prototipin e parë të barrierës nënujore që fillon testin këto ditë në Detin e Veriut.
Është hera e parë që Boyan Slat dhe teknikët e këtij fondacioni eksperimentojnë pajisjen në shkallë të gjerë. Një moment historik.
Ideja bazë është kjo: një mur në formë V-je do t’i çojë mbeturinat në një zonë të demarkuar, nga e cila do të jetë e thjeshtë të merren dhe të riciklohen.
Nëse teknologjia e ideuar nga Slat do të ketë sukses, kjo mund të përdoret për të hequr vetëm në 10 vjet, të paktën gjysmën e 154 milionë mbetjeve plastike, që tani notojnë në atë që quhet Great Pacific Garbage Patch, një ishull i madh plehrash i vendosur në Oqeanin Paqësor.
Pa ndihmën e barrierës oqeanike dhe rrymave natyrore të tyre, njerëzimit do t’i duhej 79 mijë vjet për të pastruar ujërat nga mbetjet plastike.
Gjuha shqipe, ndër tre gjuhët më të vjetra në botë
Eklipsi i diellit, si ndodh ky fenomen?
Vendi i shqipes në familjen e gjuhëve indoeuropiane