Histori personale

22-vjeçarja Aurela Kullolli fitoi medaljen e Artë

Për 22-vjeçaren, mjekësia është një sfidë e vështirë, por aspak e pamundur. Aurela është studente e shkëlqyer, një nga të rrallat në degën mjekësi e përgjithshme.

Kur ishte e vogël ëndërronte të bëhej mësuese matematike, pa e ditur se disa vite më vonë sëmundja e babait të saj do ta lidhte përgjithmonë me mjekësinë.


Dëshira për të shpëtuar njeriun më të dashur të saj e çoi në auditorët e Fakultetit të Mjekësisë, ku studion prej 4 vitesh. Kjo është historia e Aurela Kullollit.


“Të gjithë kur jemi të vegjël shikojmë disa profesione, por nëse ke njerëz të sëmurë në familje, siç kam patur unë babin, që e kam parë të shtruar nëpër spitale, atëherë fillon dhe ndjen një dashuri për profesionin e mjekut dhe të duket sikur mjeku është si Zoti, që do të shpëtojë atë njeriun tënd”, - rrëfen Aurela.


Për 22-vjeçaren, mjekësia është një sfidë e vështirë, por aspak e pamundur. Aurela është studente e shkëlqyer, një nga të rrallat në degën mjekësi e përgjithshme.

Dashuria për librat, për shkollën ka nisur herët dhe nuk është shuar as  sot, kur kohën më të mirë ja kushton leksioneve, praktikave në spitale dhe leximit në bibliotekë.


“Jam munduar ta ruaj rezultatin. Edhe kur kam marrë nja dy nënta, i kam dërguar për përmirësim në vjeshtë, jo thjeshtë ego personale, por ka qenë edhe marrja e ndonjë burse. Pjesën më të madhe të shpenzimeve e mbulon familja, ndërsa bursa shpërben më shumë si stimul”, - shprehet ajo.


Aurela e di mirë çfarë kërkon. Ajo i kishte vënë vetes 3 qëllime të cilat thotë se i ka realizuar. Të ruante rezultatet për të cilat nuk negocion fare, madje as me notën 9, të vazhdojë të përfitojë bursë nga shteti dhe marrjen e medaljes së artë të cilën ja dorëzoi Kryeministri Rama.


“Shikoj familjen time. Shikoj sesi mami është ajo që e mban familjen, është punonjëse policie në paraburgimin e Elbasanit, por kam parë edhe babain ushtarak, që gjatë gjithë kohës kanë qenë në profesione të vështira dhe kanë bërë të pamundurën për të punuar dhe për të na siguruar të ardhurat që unë dhe motra të kishim maksimumin e atyre që mundeshim”,- tregon 22-vjeçarja.


Mjekja e ardhshme jeton në konviktet në Tiranë, por marrëdhënia e ngushtë që ka me prindërit e bën të marrë furgonin çdo të premte për të kaluar fundjavën në Elbasan, pranë familjes.


“Medaljen e artë, qëkur mbarova gjimnazin dhe pashë që mund ta plotësoja, e kisha një ëndërr dhe ka qenë një moment që ka kaluar shumë shpejt për aq kohë sa e kam pritur. Edhe momenti i dorëzimit ka qenë një moment emocionues, më janë dridhur këmbët”.


Ajo është një zonjushë plot shpresë, këmbëngulëse dhe e qartë për çfarë do të arrijë. 

“Unë vetëm katër netë fle këtu. Tre netët e tjera të javës shkoj tek familja. Kam zgjedhur konviktin dhe të jem këtu pranë sepse rruga është pak e lodhshme”, shprehet 22-vjeçarja.


Tregon se e ka projektuar të ardhmen në Shqipëri, ku ka vendosur të qëndrojë dhe jo në Gjermani, ku synojnë të shkojnë shumica e atyre që mbarojnë mjekësinë. 


“Unë kam përfituar një bursë për të bërë kursin e gjermanishtes. Dëshira ime është që t’i shërbej Shqipërisë sepse në fund të fundit unë jam shqiptare, kam lindur dhe po jetoj këtu dhe njerëzit kanë nevojë për njerëz të aftë dhe jo të gjithë të synojmë që të ikim jashtë shtetit”, - përfundon studentja e ekselencës.

(Top Channel)

3,014 Lexime
6 vjet më parë