ORIGJINALITETI

A mund të jesh vetvetja në një vend paragjykues?

Anja Dako, nxënëse në shkollën Migjeni, Durrës ka realizuar një shkrim rreth të qenit vetja. Argumentat e përdorura prej saj janë sa bindëse, aq edhe motivuese. Ju ftojmë ta lexoni!

Ji ai që je! Arritja më e madhe në ditët e sotme është të jesh vetvetja në një botë që keërkon të të shndërrojë në diçka tjetër. Shumica prej nesh kërkon perfeksionin dhe papritur humbet vetveten. Shpesh kërkojmë të ecim në gjurmët e të tjerëve dhe jemi aq të zënë duke u përpjekur të jemi perfekt, saqë harrojmë të jetojmë atë që në të vërtetë na bën të ndihemi mirë me veten. Por, të jesh vetvetja nuk është e thjeshtë. Sidomos sepse jemi mësuar që të vegjël të ndjekim rregulla preçize: duke u përgjigjur në një mënyrë të caktuar, duke u shfaqur mirëkuptues edhe kur nuk biem dakord me dikë, duke kamufluar defektet për t’i pëlqyer më shumë dikujt, si dhe një sërë sjelljesh që na kanë mësuar vetëm “sepse kështu duhet”.


Duke u rritur, mendojmë më shumë për shoqërinë, të cilat na thonë se në ç’mënyrë duhet të vishemi, çfarë muzike duhet të dëgjojmë, çfarë duhet të hamë dhe të gjitha tendencat e ndryshme që duhet të ndjekim që të jemi në një hap me kohën. Rezultati është: hyjmë të gjithë të bëjmë pjesë në një tufë, të cilën e ndjekim nga pas me kujdes nga frika e mospranimit. Por, në të gjithë këtë, ne me mendimet tona, defektet tona, opinionet tona, aftësitë tona, me natyrën tonë të vërtetë… ku jemi?


Besnikëria ndaj vetes është një kushtëzim i nevojshëm nëse duam që të kemi realizimin komplet dhe maksimal të ekzistencës sonë. Mendojmë për të gjitha kënaqësitë që marrim kur bëjmë diçka me vullnetin maksimal, apo kur ndihemi të lirë të shprehim mendimin, pa pasur frikën e gjykimit të të tjerëve.


Të jesh vetvetja, do të thotë të jesh unik dhe të ndihesh i çlirët ,t’i tregosh të gjithë botës se ti je ndryshe,ti je vetja.Nuk mund të jeni vetvetja nëse nuk dini sesi jeni. Ndaj është e nevojshme të dini se cili jeni, çfarë doni dhe cilat janë gjërat më të mira për ju, pa e lënë veten të ndikoheni nga asnjë kushtëzim i jashtëm. Askush nuk e di më mirë se ju për çfarë keni nevojë dhe ç’dëshironi realisht nga jeta. Gjykimi i të tjerëve ndonjëherë mund të rëndojë shumë. Sigurisht, njerëzit janë gjithmonë të gatshëm të shprehin mendimin e tyre (edhe nëse shpesh nuk u kërkohet) dhe të japin këshilla sesi duhet të silleni.


Për të qenë vetvetja është e rëndësishme të besoni në zgjedhjet tuaja dhe të mos i hyni një rruge vetëm për të mos zhgënjyer njerëzit që janë pranë jush. Jini të sigurt për veten, për aftësitë tuaja dhe talentin që keni. Braktisni të gjitha pasiguritë që ju transmetojnë të tjerët. Jini krenarë për atë që jeni dhe për udhën që keni nisur të bëni.


Shumë shpesh të jemi origjinalë është një çështje kurajoje, sepse do të thotë të dallohemi e të diferencohemi nga të tjerët, të jemi të ekspozuar më shumë ndaj gjykimeve e paragjykimeve të tyre.


Të jeni origjinalë, veç të tjerash, do të thotë edhe të ekspozoheni dhe të rrezikoni, sepse të jesh “delja e zezë” jo gjithmonë shihet me sy të mirë dhe është për këtë arsye që rrezikoni të përfshiheni për shkak të “diversitetit”. Po a është realisht e rrezikshme kjo gjë? Më e rrezikshme në fakt, është të ndrydhni kreativitetin tuaj, vetëm nga frika se mos nuk ju kuptojnë dhe ju keqgjykojnë.

Behu njeriu i ëndrrave të tua!



Shkroi nxënësja Anja Dako

Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

351 Lexime
3 muaj më parë