“Abetaret elbasanase” nga Natasha Shuteriqi Poroçani
Shkrimi i Natasha Shuteriqi Poroçanit pasqyron historinë e abetareve elbasanase, duke nisur nga "Evëtari" i Veqilharxhit dhe duke vijuar me abetaret e Kristoforidhit, Shuteriqit e të tjerëve. Ajo thekson ndikimin e këtyre abetareve në zhvillimin e gjuhës shqipe dhe arsimin kombëtar.
Nga Natasha Shuteriqi Poroçani
Kongresi i Manastirit vendosi alfabetin e gjuhës shqipe.
Por në fakt udhën drejt alfabetit unik shqip, e kishin shkelur e çapitur dhjetëra abetare që përmes shpirtit patriotik të shqiparëve gatitën Kongresin e bekuar të Manastirit. Sot, plot 180 vjet nga abetarja parë, “Evëtari” i Veqilharxhit, do të udhëtojmë fare shkurt në disa prej tyre, në abetaret e shkruara nga patriotët elbasanas.
1. Babai i gjuhës shqipe, do ta cilësonte Xhuvani, intelektualin me përmasa europiane, Kostandin Kristoforidhin, i cili 23 vjet pas Veqilharxhit boton abetaren e parë në gegnisht dhe më 1868 në toskërisht. ABETAR SKIP (varianti gegnisht me gërma latine), për herë të parë përdor termin ABETAR, të cilin Çabej do ta cilësonte: si një fjalë e farkuar nga sa duket prej Kristoforidhit.
“Njeriu qesh e këndon, flet e qan. Zogjëtë këndojnë.” (K.K.)
2. Pas Kongresit të Manastirit, shqipja u afirmua si gjuhë shtypi, gjuhë librash, gjuhë e mësonjëtoreve. Më 1911, atdhetari Simon Shuteriqi, pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit sjell “ABETARËNË SHQIP, RRJESHTUARË NË GJUHË TË PËRBASHKËME”.
Simon Shuteriqi ishte mësues. Në 23 mësime solli 36 shkronjat. Ajo që e zbukuron këtë abetare janë përshëndetjet tipike elbasanase:
“mirmjes e mramja e mirë"
"bafsh natën e mirë'
"mir u gdhifsh"
"falemi e falimndersë"
"mirë se t’pruni Zoti ynë"
"tu gjatë jeta!", "Tu ngjatë e me nder".
"Mirë u pjekshim"
"Zotnia jote qofsh shëndoshë", "Kryt tat shëndoshë".
3. Për arsye të ndryshme shumë abetare botoheshin me iniciale. Ky është një variant (T.P.) 1911. Ka dy mendime, mund të ketë qenë i Tush Pinës (mësues i Kalasë dhe ish nxënës i Kristoforidhit) por me gjasa mbetet në fuqi autorësia e Taqi (Dhimitër) Paparistos (ish drejtori i shkollës qëndrore të Elbasanit dhe mësues i Normales), i cili e riboton për herë të tretë më 1920. Përtej kësaj, ky botim i Lef Nosit, ABETARE PËR SHKOLLA FILLORE, MESHKUJ E FEMRA, në një elbasanishte fantastike, nis me titullin aq domethënës “Bashkëvëllezënve të dashtun” dhe mbyllet, me emrat e gjithë trevave shqiptare sipas alfabetit shqip.
“Njerëzit e ditun janë ndriçim i kombit - u thotë autori fëmijëve - se i msojnë e i këshillojnë ta mbajne mëndjen e ditme të tyne. T’paditunit janë t’verbët, se ndonse kanë sy, nuk i njofin shkronjat.”
4. Edhe një variant tjetër me iniciale (L.K.-i pazbuluar) 1912, përsëri botues Lef Nosi, përsëri në elbasanisht, i pasur me një fill të fortë moraliteti nga individi drejt patriotit.
“Me anë të shpatës kombet coptohen, me anë të pendës bashkohen.”
5. Më 1912 vjen një tjetër ABETARE E RE PËR SHKOLLA FILLORE E
T’ULTA DJELMSH E VAJZASH (Sh. D. vërtetuar Shefqet Daiu). Ajo që më mbeti ndër mend ishte pasuria e madhe frazeologjike elbasanase dhe metaforat aq te afërta për nje fëmijë.
I mbytyni mbahet nga mokat.
“Grindja bie prapsi.
Gresa asht e tharët. / Mina asht vajzë e tharët.”
6. Elbasanit mburren me të. Ai i vuri titullin Kristoforidhit, por vetë i dha formën zhvillimit të arsimit, Nga viti 1922-1938 Abetaret mbajnë emrin e Xhuvanit. (më 1931 shton Pertef Pogonin). Më 1921 elbasanishtja ngrihet përkohësisht në normë. Xhuvani e nxit këtë nismë dhe falë autoritet të tij të padiskutueshëm, gjithcka shkruhet në elbasanisht. Askush si Xhuvani s’e vlerësoi profesionin e mësuesit:
“Msonjësi asht në vend të prindërve. Herë i lavdon nxansit e herë i qërton, herë u ep kshilla e herë i munon. Por të gjitha kto i ban për t’mirën e tyne. Nxansit duhet ta kenë msonjësin në vend të babës.”
7. Kolë Xhumari nuk ishte nga Elbasani, por ishte produkt i Normales së Elbasanit. Që nga viti 1945, për 50 vjet rresht në mësuam me këtë abetare. Shumë nga ne kanë mësuar të shkruajmë me ish normalistin Kolë Xhumari.
8. Me ardhjen e demokracisë, tregu u zgjerua dhe shumë penda të mençura lindën, por ne përsëri elbasanasit prodhojnë Abetaren e bukur, të veçantë të profesorit të nderuar Ali Shashaj, të tilluar KACAMICRI, personazh i përrallave shqiptare. Për herë të parë një metodologji moderne, bashkëkohore, e strukturuar sipas prurjeve të gjuhësisë bashkëkohore. Profesori i nderuar la një testament me këtë abetare.
9. Duhej të ishte ky udhëtim abetaresh elbasanase, që të vinim në vitin 2024, kur tanimë, një zonjë, do të merrte stilolapsin dhe do të hidhte në letër ëndrrën dhe gjithë potencialin e saj intelektual e do të shkruante: OPLALA ME ABC. Abetaria më e fundit e Shqipe Haxhihysenit, një konceptim perfekt i ndërlidhjes së njohjes së shkronjës, shkrimit të saj, të folurit dhe sidomos mendimit kritik te të vegjëlit.
Është vetëm 5 muajshe dhe ka bërë rrugë Oplala-ja. Me të po mësohet shqip në shkollat shqipe në Suedi, në Parma të Italisë, në Selanik. Faleminderit Oplala.
Kur para disa muajsh m’u dha detyra të përshtasja në variantin për fëmijë GUIDËN E ELBASANIT të prof. Astrit Bishqemit, përnjëherë bëra një pakt me veten: duhej një titull nderi për qytitin ku linda dhe u rrita. S’e pata të vështirë, e quajta: QYTETI I DIJES. Sepse si një frymë që lidh njerëzit me gurët e tij është dija për qytetin tonë 1800 vjeçar.
Xhuvani e mbyll abetaren e tij me vargjet e Kristoforidhit, Yll i vogël lart në qiell.
Më lejoni mua ta mbyll me vargjet e Hyjni Cekës.
Ku je moj fjalë shqipe
E dajë Kostandinit
Si këngë nëpër vite
Jehoje buzë Shkumbinit
Po ku na ike vallë
Si shkove e u trete
E kur dëgjohe rrallë
Më vjen të plas në vete.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“K’cimi i Tropojës” shpallet zyrtarisht pjesë e UNESCO-s
Myzejen Mullaj, sopranoja dhe pedagogia që eci me modesti në rrugën e vështirë të artit shqiptar
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe