"Të rrëfesh dhe të rrëfehesh", Ardian Vehbiu në Toronto, rrëfimi, kujtesa dhe e vërteta në Festivalin e Librit Shqip
Në Festivalin e Librit Shqip në Toronto, takimi i shkrimtarit Ardian Vehbiu, i moderuar nga Ajkuna Dakli, solli një bisedë mbi rrëfimin, kujtesën dhe të vërtetën. Për më tepër, lexoni artikullin në vijim.
Përgatiti Nanila Allkja Biçaku
Në qytetet e mëdha të diasporës shqiptare, atje ku mbase gjuha shqipe ruhet shpesh më shumë nga malli sesa nga afërsia me atdheun, aktivitetet kulturore marrin një kuptim tjetër. Nuk janë vetëm promovime librash apo takime me autorë. Janë mënyra për të mbajtur gjallë një lidhje shpirtërore me kulturën, kujtesën dhe identitetin. Kështu ndodhi edhe në Toronto, ku në kuadër të edicionit të dytë të Albanian Book Festival, u zhvillua biseda "Të rrëfesh dhe të rrëfehesh" me shkrimtarin dhe eseistin Ardian Vehbiu, e moderuar nga Ajkuna Dakli.
Takimi, i mbajtur në Barrett Centre For Technology Innovation në Etobicoke të Kanadasë, mblodhi lexues, autorë, botues dhe dashamirës të librit shqip, duke u kthyer në një nga bisedat më interesante të festivalit. Tema e zgjedhur nuk ishte rastësore. Në një kohë kur letërsia autobiografike dhe memuaristika po zënë gjithnjë e më shumë vend në letërsinë bashkëkohore, diskutimi u përqendrua te marrëdhënia mes rrëfimit, kujtesës dhe së vërtetës.
Siç tregoi Ajkuna Dakli për Portalin Shkollor Albas, biseda nisi nga vetë kuptimi i rrëfimit si akt njerëzor dhe si formë komunikimi.
“Tema e bisedës me Ardianin ishte ‘të rrëfesh dhe të rrëfehesh’. Me pak fjalë, rrëfimi si mjet komunikimi, si kujtesë dhe si art”, – u shpreh ajo.
Biseda u ndal te nuancat kuptimore të “rrëfej” dhe “rrëfehem”, te roli i rrëfimit në traditën folklorike dhe mënyra si këngët dhe kujtesa gojore u përcollën brez pas brezi, derisa u bënë pjesë e kulturës së shkruar. Por shumë shpejt diskutimi kaloi edhe në një terren më të ndërlikuar: raportin mes rrëfimit dhe së vërtetës.
“Nga biseda mund të veçoj ato minuta që i kushtuam memuareve, subjektivitetit dhe të vërtetës në to, si edhe përgjegjësisë morale dhe kolektive të autorit të një memuari për shkak të aftësisë për të ndryshuar perceptimin historik të lexuesve”, – tha Dakli.
Në fakt, vetë Ardian Vehbiu e zgjeroi këtë ide gjatë bisedës me lexuesit, duke e përkufizuar rrëfimin si një nevojë themelore të njeriut, si një përzierje mes kujtesës dhe imagjinatës.
“Në takimin tim biseduam për rrëfimin – si një veprimtari njerëzore elementare, martesë e kujtesës me imagjinatën, që na shoqëron gjithë jetën dhe na bën ata që jemi, duke na rrethuar me kontekst.”
Duke qenë një autor që ka lëvizur mes fiction-it dhe non-fiction-it, Vehbiu foli edhe për tensionin që ekziston sot mes këtyre dy mënyrave të të shkruarit, sidomos në kohën e rrjeteve sociale dhe komunikimit virtual.
“Jetojmë në një kohë kur rrëfimit letrar i duhet të gjejë mënyra komunikimi me rrëfimin historiografik, memuaristikën dhe narrativat kombëtare, të cilat janë rikthyer në qendër të vëmendjes kolektive. Ngaqë kam shkruar edhe fiction, edhe non-fiction, e kam përjetuar në vetën e parë tensionin mes këtyre dy regjimeve letrare, në rrethanat kur edhe letërsisë i duhet të përshtatet me socialitetin virtual dhe kur publiku jo gjithnjë është gati të dallojë mes veprës dhe autorit.”
Në këtë pikë, mendimi i moderatores dhe ai i shkrimtarit dukej sikur takoheshin natyrshëm. Edhe Ajkuna Dakli do të veçonte pikërisht këtë raport mes autorit, së vërtetës dhe lexuesit si mesazhin më të rëndësishëm të aktivitetit.
“Mendoj se mesazhi që solli ky takim, ose ai që do të veçoja unë, është pikërisht raporti i rrëfimit me të vërtetën dhe marrëdhënia e autorit me lexuesin në këtë aspekt. Përgjegjësia morale e rrëfimit të historisë në një kohë kur kemi një bum të botimeve në zhanrin e memuareve dhe letërsisë autobiografike.”
Por biseda në Toronto nuk mbeti vetëm te teoria e letërsisë. Ajo mori edhe dimensionin e vet njerëzor e kulturor, sidomos në momentet kur Vehbiu foli për marrëdhënien e tij me diasporën shqiptare në Kanada.
“Isha i ftuar në edicionin e dytë të Festivalit të Librit Shqip (Albanian Book Festival) në Toronto, si një nga autorët e përfaqësuar në festival me vepra, por edhe si botues i një reviste – Peizazhe të fjalës – që e ka pasur gjithnjë librin dhe shkrimin shqip në qendër të vëmendjes.”
Torontoja, sipas tij, është një nga ato vende ku komuniteti shqiptar vazhdon të mbajë gjallë interesin për kulturën bashkëkohore shqipe.
“Kam shkuar edhe herë të tjera dhe kam, mes shqiptarëve të atjeshëm, një numër të madh miqsh e kolegësh, me të cilët rri në kontakt të përhershëm. Ndihem më mirë mes komunitetit atje, se këtij në New York, që më duket ndonjëherë refraktar ndaj kulturës shqip bashkëkohore.”
Në festival, Vehbiu tregoi se kishte gjetur jo vetëm lexuesit, por edhe njerëzit me të cilët ndan prej vitesh jetën e librit shqip.
“Meqë jetoj jashtë Shqipërisë, më ndodh shpesh që në aktivitete të tilla të takoj edhe njerëzit me të cilët punoj, si botuesen time Rita Petro (Albas), e cila ishte edhe ajo e ftuar; botues të tjerë me peshë, si Bujar Hudhri, që është nga protagonistët e ‘rilindjes’ së librit shqip në SHBA dhe në Kanada; kolege si Aida Baro dhe Beti Njuma, me të cilat kam ndarë vit pas viti përvojat e promovimit të librit në Panairet në Tiranë.”
Ai përmendi gjithashtu edhe Rudin Daklin e ACDA-së, si një nga njerëzit që po investojnë seriozisht në kulturën shqiptare në diasporë.
“Meritën që më solli në Toronto e ka, megjithatë, Rudin Dakli i ACDA-së, një njeri me një vizion të jashtëzakonshëm për mbështetjen e kulturës shqiptare në diasporë dhe online dhe një nga organizatorët e Festivalit.”
Në rrëfimin e tij kishte edhe mall për Tiranën e dikurshme. Një mall që në Toronto, siç duket, bëhej më i prekshëm.
“Në Toronto rigjej edhe një grusht njerëzish me të cilët kam bashkëndarë vitet e mia të rinisë në Tiranë – dhe këtë s’e shpjegoj dot vetëm me rastësinë. Shoqe dhe shokë dhe të njohur me të cilët kam qenë në shkollë të mesme, në Universitet; ose edhe thjesht komshi në lagje. Ndoshta në pavetëdijen time emrat ‘Toronto’ dhe ‘Tiranë’ janë dy faqe të së njëjtës monedhë.”
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit preku edhe fatin e librit shqip në diasporë dhe mënyrën si teknologjia ka ndryshuar raportin mes autorit dhe lexuesit.
“Këtyre lidhjeve u rri ngushtë koncepti tradicional i diasporës, si ai i një bashkësie njerëzish të shpërngulur nga atdheu i vet dhe që tani jeton larg tij; gjë që duhet ta marrë parasysh edhe sistemi letrar, me mekanizmat e shpërndarjes së librit dhe të nxitjes së leximit.”
Më tej, Vehbiu ndaloi te mungesa ende problematike e qarkullimit të librit elektronik në shqip.
Disa nga veprat e shkrimtarit dhe eseistit Ardian Vehbiu, të botuara nga Shtëpia Botuese Albas
“Në rrethanat kur libri shqip ende nuk qarkullon në formatin elektronik (EPUB, MOBI), librat fizikë kanë mbetur mbrapa autorëve dhe lexuesve të tyre, që tashmë kanë zënë vend mirë në hapësirën virtuale. Festivali i Torontos kërkon që ta zbutë disi këtë kontradiktë, duke vënë në dispozicion të lexuesve atje një koleksion të admirueshëm titujsh shqip, nga disa shtëpi botuese kryesore në Tiranë.”
Sipas Ajkuna Daklit, biseda u prit me shumë interes si nga publiku në sallë, ashtu edhe nga ndjekësit online.
“Për mua ishte një bisedë shumë interesante dhe mjaft koherente, do të thoja, në një kohë kur letërsia autobiografike ose me elemente autobiografike është një trend në letërsinë e sotme, sidomos atë shqipe.”
Në fund, ajo që mbeti nga ajo pasdite në Toronto nuk ishte vetëm një diskutim për letërsinë. Ishte ideja se rrëfimi, personal, historik apo letrar, vazhdon të jetë një nga mënyrat më të fuqishme për të mbajtur gjallë kujtesën dhe për të lidhur shqiptarët me njëri-tjetrin, kudo ku jetojnë.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
15 Maji – Dita Botërore e Familjes
Gazeta Digjitale e Nxënësve, zëri i ri i kreativitetit në shkollën "Avni Rustemi" Kukës
Flori Kasaj: Libri si mision personal dhe përgjegjësi publike