Gazeta Digjitale e Nxënësve, zëri i ri i kreativitetit në shkollën "Avni Rustemi" Kukës

Në shkollën "Avni Rustemi" Kukës nis Gazeta Digjitale e Nxënësve, një nismë që nxit kreativitetin, komunikimin dhe përdorimin e teknologjisë. E realizuar nga vetë nxënësit, ajo sjell rubrika mujore mbi jetën shkollore, kulturën dhe edukimin.

Në kuadër të nxitjes së kreativitetit, inovacionit dhe zhvillimit të aftësive të komunikimit te nxënësit, në shkollën 9-vjeçare “Avni Rustemi” Kukës është ndërmarrë një nismë e re dhe domethënëse: krijimi i Gazetës Digjitale të Shkollës.


Klikoni këtu për të lexuar numrin e parë të gazetës. 


Kjo gazetë është një projekt i realizuar nga nxënësit e Klubit të Teknologjisë dhe Komunikimit, të cilët, përmes bashkëpunimit dhe përdorimit të teknologjisë, kanë krijuar një platformë ku shprehen idetë, mendimet dhe krijimet e tyre.


Gazeta është përgatitur nga nxënësit: Daniel Duraku, Arber Dulla, Andi Onuzi, Realda Axhami dhe Ester Dokle, nën drejtimin dhe mbikëqyrjen e koordinatores së këshillimit për karrierë, Alketa Beqiraj.


Kjo nismë synon të krijojë një hapësirë të qëndrueshme ku nxënësit të zhvillojnë dhe forcojnë:

  • aftësitë e shkrimit dhe komunikimit;
  • mendimin kritik dhe kreativ;
  • përdorimin e teknologjisë në mënyrë të përgjegjshme dhe produktive;
  • bashkëpunimin dhe punën në ekip.


Gazeta Digjitale e Shkollës do të publikohet çdo muaj dhe do të përfshijë rubrika të ndryshme informuese, edukative dhe krijuese, të cilat do të pasqyrojnë jetën shkollore, aktivitetet e nxënësve, si dhe tema që lidhen me kulturën, artin, teknologjinë dhe edukimin për karrierë.


“Kjo iniciativë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kulturës së komunikimit, informimit dhe pjesëmarrjes aktive të nxënësve në jetën e shkollës. Në të ardhmen, ekipi i gazetës synon zgjerimin e kësaj nisme edhe në formë të shtypur, me qëllim që të arrijë një audiencë më të gjerë. Kjo gazetë është dëshmi se, kur nxënësve u jepet hapësira dhe mbështetja e duhur, ata janë të aftë të krijojnë iniciativa me vlerë, që pasurojnë jetën shkollore dhe zhvillojnë aftësitë e tyre për të ardhmen”, pohon mësuesja Alketa Beqiraj.




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

97 Lexime
2 orë më parë