Intervistë

Albina Azizi, drejtoreshë e Bibliotekës së Preshevës: Libri, ura e kulturës

Panairi i Parë i Librit Shqip në Preshevë solli emocione të veçanta e shpresë për të ardhmen kulturore. Në këtë intervistë post-panair, drejtoresha Albina Azizi rrëfen sfidat, bashkëpunimet dhe vizionin që e frymëzon për ta kthyer librin në qendër të jetës qytetare.

Ka momente kur një ngjarje kulturore nuk është thjesht një aktivitet, por një kthesë shpirtërore për një qytet dhe komunitetin e tij. Panairi i Parë i Librit Shqip në Preshevë ishte pikërisht një nga ato momente, i mbushur me emocione, krenari dhe një rilindje të thellë të dashurisë për gjuhën dhe librin. Në mesin e këtij ngjarjeje historike, spikati një figurë e palodhur, e përkushtuar, e qetë dhe e qartë në vizionin e saj: znj. Albina Azizi, drejtoreshë e Bibliotekës së Qytetit "Mehmet Jusufi".

Ishte pikërisht ky takim i veçantë në Preshevë që më frymëzoi ta vijojmë bisedën tonë, tani në një formë të qetë e reflektuese, pas zhurmës së bukur të panairit. Në vijim, znj. Azizi ndan me ne përjetimet e saj personale, sfidat dhe emocionet, bashkëpunimet dhe ëndrrat që e mbajnë gjallë zjarrin kulturor të këtij qyteti në kufijtë e shpirtit shqiptar.


Intervistoi Nanila Allkja Biçaku 


Znj. Albina, ju përshëndes me shumë përzemërsi! Takimi ynë në Panairin e Parë të Librit Shqip para pak ditësh në Preshevë ishte vërtetë emocional dhe frymëzues, ndaj dua të bisedojmë post këtij eventi. Si e përjetuat ju personalisht këtë ngjarje të parë historike për qytetin dhe bibliotekën që drejtoni?


Ishte një ndjenjë krenarie dhe emocion i veçantë. Si drejtoreshë e bibliotekës “Mehmet Jusufi” e ndjeja barrën e përgjegjësisë por edhe privilegjin që të isha pjesë e këtij kapitulli të ri për qytetin tonë. Panairi i parë i Librit Shqip në Preshevë shënoi jo vetëm një festë kulturore, por një rilindje të dashurisë për librin dhe gjuhën shqipe. Pa dyshim se ishte përgjegjësi dhe kërkonte angazhim të madh por me vullnet dhe punë them se arrihet gjithçka!



E vërtetë, e gjithë atmosfera në ambientet e Shtëpisë së Kulturës “Abdulla Krashnica” ishte e mbushur me solemnitet dhe krenari. Kur e kujtoni sot, çfarë kujtimesh ju vijnë të parat në mendje?


Më vjen në mendje momenti kur dyert e Shtëpisë së Kulturës u hapën dhe ambienti u mbush me të rinj dhe të moshuar , prindër, intelektualë dhe dashamirës të librit. Atmosfera e ngrohtë, buzëqeshjet dhe emocionet e pjesëmarrësve e kthyen atë ditë në një kujtim të paharrueshëm për mua.


Padyshim organizimi i një panairi të tillë kërkon pasion, përkushtim dhe bashkëpunim. Si u ndërthurën këto përpjekje nga biblioteka dhe institucionet partnere që kjo ëndërr të bëhej realitet?


Gjithçka nisi me një ide dhe një vizion të qartë që ka vite që është menduar por këtë herë ia arritëm ta bëjmë një ëndërr realitet, të sjellim librin në qendër të jetës kulturore të qytetit. 


Ishte një proces bashkëpunimi i ngushtë me institucionet arsimore, Shtëpinë e Kulturës, dhe botuesit. Vullneti, përkushtimi dhe dashuria për kulturën na bashkuan të gjithëve.


Falënderoj nga zemea ambasadorin z. Bardhyl Canaj nga  për financimin e këtij panairi dhe besimin që pati tek ne sepse pa ndihmën financiare te ambasadës së Shqipërisë në Beograd nuk do të ishte e mundur realizimi i kësaj ngjarje historike për Luginën e Preshevës!



Cili ka qenë momenti më prekës ose më domethënës për ju gjatë këtyre dy ditëve të panairit?


Momenti më prekës ishte kur pashë një fëmijë të vogël që kërkonte me ngulm një libër që kishte parë në një stendë. Ajo dëshirë e pastër për të lexuar më preku thellë dhe më kujtoi pse ia vlen çdo përpjekje.


Ndërkohë përveç ekspozimit të librave, pati edhe aktivitete promovuese dhe diskutime të ngrohta. Si i pritën këto lexuesit preshevarë? A ndjetë një “uri” të veçantë për libër dhe për fjalën shqipe?


Pa dyshim! Interesimi dhe pjesëmarrja treguan qartë se ka një uri shpirtërore për librin shqip. Takimet me autorë, diskutimet për letërsinë, dhe debatet mbi identitetin kulturor u pritën me shumë entuziazëm.



Si e përjetuat praninë e botuesve nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut? Çfarë do të thotë për një qytet si Presheva të ndjehet e lidhur kaq ngushtë me gjithë trevat shqiptare përmes librit?


Është një afirmim i përkatësisë sonë kulturore. Prania e botuesve nga të gjitha trevat shqiptare ishte një dëshmi e unitetit tonë përtej kufijve. Libri bëhet ura që na bashkon dhe na forcon si komb.


Duke qenë se ky ishte edicioni i parë, a mendoni se sapo është hedhur një “farë” që ka potencial të rritet në një traditë të përvitshme? Çfarë shprese apo dëshire mbani në zemër për vitet në vijim?


Shpresa ime është që ky panair të kthehet në një traditë vjetore, e cila jo vetëm që promovon librin, por edhe nxit mendimin kritik, krijimtarinë dhe dashurinë për kulturën shqiptare. Besoj se ky është vetëm fillimi.



Biblioteka e qytetit “Mehmet Jusufi” ka qenë në zemër të këtij organizimi. Na tregoni pak më shumë për rolin dhe misionin e saj në jetën kulturore të Preshevës.


Biblioteka e qytetit "Mehmet Jusufi” ishte  zemra e këtij organizimi. Ne u kujdesëm për çdo detaj bashkë me Qëndrim Hetemi përfaqësuesin e shtëpisë botuese Albas dhe bashkëpunuam ngushtë për të sjellë një program dinjitoz e gjithëpërfshirës. Gjithashtu një dorë bashkëpunimi pa hezitim na e dha edhe autori dhe gazetari Liridon Mulaj të cilin e falënderoj përzemërsisht!



Cilat janë disa nga iniciativat apo synimet që keni për të ardhmen, pas këtij panairi? A keni plane për ta mbajtur gjallë frymën që lindi në këto dy ditë?


Po, kemi shumë plane për aktivitete të rregullta kulturore, klube leximore për të rinjtë, takime me autorë dhe punëtori krijimtarie. Panairi na dha një shtysë të fuqishme dhe dëshirojmë që kjo energji të shtrihet gjatë gjithë vitit.



Dhe për fund, si drejtoreshë, si lexuese, si njeri i kulturës: Çfarë ju frymëzon më shumë në këtë rrugë që keni zgjedhur, të jeni zë i dijes, kujtesës dhe shpresës në Preshevë?


Më frymëzon dëshira për të qenë një zë i dijes dhe i shpresës në Preshevë. Të lexuarit është një akt i fuqishëm, dhe nëpërmjet librit ne e ngrisim më tepër qytetin tonë, ruajmë identitetin dhe ndërtojmë të ardhmen.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

177 Lexime
18 orë më parë