ANDREAS VESALIUSI

Andreas Vesaliusi (1514-1564)

Andreas Vesaliusi këmbëngulte që, gjatë kohës së ligjëratave, studentët të asistonin kur ai vetë bënte autopsinë e kufomave të njerëzve, duke shmangur metodën klasike të duarve të pastra dhe të leximit nga librat.

 

Kronologji

• Lindi në vitin 1514 në Bruksel, Belgjikë.

• Në vitin 1537 emërohet profesor i anatomisë dhe i kirurgjisë në

Universitetin e Padovës.

• Në vitin 1543 boton librin e parë mjekësor të saktë anatomikisht, Mbi strukturën e trupit të njeriut.

• Në vitin 1543 ai kalon në Oborrin e Habsburgëve, ku shërben si mjek i mbretit Karli V dhe më vonë

edhe i mbretit të Spanjës, Filipit II.

• Në vitin 1564 vdes gjatë pelegrinazhit për në Tokën e Shenjtë.



Duhet pasur shumë guxim që t’i kundërvihesh një autoriteti të shquar, sidomos një autoriteti që për 1400 vjet nuk është vënë në pikëpyetje, dhe aq më shumë, kur njeriu që do të shprehë mospajtimet e veta, nuk është më i madh se njëzet e tetë vjet dhe sapo ka mbaruar fakultetin. Një detyrë të tillë e mori mbi supe Andreas Vesaliusi. Shumica e bashkëkohësve të tij nuk e shihnin si ndonjë guximtar, përkundrazi, ata e konsideronin gënjeshtar dhe të çmendur.


T’I KUNDËRVIHESH GALENIT

Autoriteti, të cilit Vesaliusi guxoi t’i kundërvihej, ishte Galeni, mjeku i famshëm romak, shkrimet e të cilit trajtoheshin si fjala e fundit në fushën e anatomisë së njeriut. Ndikimi i tij ishte aq i madh, saqë në Europë, edhe kur u lejua autopsia për qëllime kërkimore dhe eksperimentale, lektorët mjaftoheshin të lexonin drejtpërdrejt Galenin, ndërsa autopsia e kufomave bëhej nga kasapi a asistenti. Të bindur verbërisht, ata harronin se Galeni nuk kishte parë asnjëherë në brendësi të kufomave njerëzore, sepse ia ndalonte ligji fetar romak. Megjithatë, shkencëtarët para Vesaliusit e mbanin Galenin si autoritet suprem dhe të ndryshoje veprën e tij ishte e pamundur.



QASJA E RE

Vesaliusi solli një qasje krejt tjetër. I lindur dhe i shkolluar në Belgjikë, në një familje mjekësh të respektuar oborri, Vesaliusi që në fëmijëri u bë mjeshtër për autopsinë e kafshëve. Studioi mjekësi në vende të ndryshme të Europës, veçanërisht në Universitetin e Luvenit, Parisit dhe të Padovës, ku u emërua profesor i anatomisë që në moshën 24-vjeçare. Ai këmbëngulte që, gjatë kohës së ligjëratave, studentët të asistonin kur ai vetë bënte autopsinë e kufomave të njerëzve, duke shmangur metodën klasike të duarve të pastra dhe të leximit nga librat.


ANATOMIA E NJERIUT

Edhe pse ishte i shkolluar sipas traditës së Galenit, Vesaliusi nga fundi i viteve ‘30, filloi të dyshonte në saktësinë dhe vërtetësinë e saj. Që nga viti 1540 e në vazhdim, pasi studioi një numër të madh kufomash, shumica të ekzekutuar të zonës, në fund ishte bindur plotësisht. Të dhënat e Galenit nuk paraqisnin anatominë e njeriut, por atë të majmunit dhe kjo kishte çuar në shumë gabime, që buronin nga hamendësimet e Galenit për ngjashmërinë midis tyre.




TEKSTI PËRFUNDIMTAR

Në vitin 1543 Vesaliusi paraqiti kryeveprën e vet Shtatë libra mbi ndërtimin e trupit të njeriut. Kjo ishte vepra e parë përfundimtare mbi anatominë e njeriut, më e sakta e shkruar ndonjëherë dhe që bazohej në të dhëna konkrete. Për më tepër, vepra kishte ilustrime të qarta, stampat e të cilave, me siguri, i kishte gdhendura në dru ndonjë artist nga atelieja e Ticianit, dhe, përveç kësaj, ka qenë mrekullisht e organizuar dhe e strukturuar. Kjo vepër i zhvlerësoi të gjitha ato që njiheshin deri atëherë, duke u kthyer në një udhëzues për mësuesit e ardhshëm. U desh njëfarë kohe që të pranohej vlera e saj, madje, Vesaliusi përballoi shumë armiqësi për shkak se kundërshtoi Galenin. Për shembull, Vesaliusi thoshte se nuk gjente asnjë të dhënë te Galeni që të tregonte se zemra ka vrimëza që e kalojnë gjakun nga barkushja e djathtë në barkushen e majtë, gjë që ishte një pikë kyç e traditës së Galenit dhe që mbrohej symbyllur nga shumë prej bashkëkohësve të Vesaliusit. Pjesën më të madhe të jetës, Vesaliusi e kaloi në shërbim të mbretit Karli V, pastaj të Perandorit të Shenjtë Romak e në fund të Filipit II të Spanjës, si dhe duke shkruar veprën Fabrica. Ai u largua nga Spanja në vitin 1564 për një pelegrinazh në Jerusalem, por vdiq gjatë kthimit.



ARRITJE TË TJERA

Edhe pse vdiq i ri, Vesaliusi la pas një trashëgimi të paçmuar në fushën e anatomisë. Falë veprave të tij, anatomia dhe mjekësia filluan të shiheshin si dy shkenca më vete. Me qasjen racionale dhe kritike ndaj Galenit, ai zhduku varësinë e verbër me të cilën studiohej “mjeshtri” i vjetër dhe pasardhësve të vet u dhuroi modelin e kërkimeve të pavarura dhe racionale, si themeli i shkencës së mjekësisë. Vesaliusi ndryshoi organizimin e dhënies së lëndës së autonomisë, përmes pjesëmarrjes aktive të mjekut e studentëve në autopsi.



Materiali është shkëputur nga libri "100 shkencëtarët që ndyshuan botën", i pëkthyer nga Latif Ajrullai

(Portali Shkollor)

2,169 Lexime
5 vjet më parë