kurrikula e re

Arsimi parashkollor në fokusin e reformave të plota arsimore

Rreth 5 mijë mësues pritet të trajnohen dhe kualifikohen për këtë kurrikul të re në arsimin parashkollor, krahas ngritjes së rrjeteve profesionale të mësuesve të parashkollorit.

Programet e arsimit parashkollor dhe programet e arsimit parauniversitar për herë të parë ndërlidhen nëpërmjet kornizës së hartuar kurrikulare me ekspertët më të mirë. Ministria e Arsimit ka arritur të unifikojë lidhjen mes këtyre programeve për fëmijët nga 3-18 vjeç duke lehtësuar kalimin nga parashkollori në klasën e parë dhe formuar kompetencat e nxënësve. Gjatë aktivitetit të zhvilluar me temë “Arsimi parashkollor në fokusin e reformave të plota arsimore” ministrja e Arsimit deklaroi se  integrimi i kurrikulës së arsimit parauniversitar është një investim për të ardhmen sepse sa më shumë të investojmë në fëmijërinë  e hershme aq më shumë do të kemi komunitete më të zhvilluara, shoqëri më të zhvilluara dhe ekonomi më të mirë në vend.


“Është një moment i rëndësishëm, sa më i plotë dhe se sa më cilësor të jetë investimi në fëmijërinë e hershme aq më e lehtë bëhet kalimi nga kopshti në klasën e parë duke përshtatur gjithë ato ndryshimeve sociale, fizike e shoqërore të fëmijëve kur kalojnë në shkollë. Besoj ky është një nga momentet që ky proces adreson dhe sigurisht patjetër për ta bërë gjithë kurrikulën e arsimit parauniversitar, një kurrikul të integruar për çdo fëmijë nga 3 deri në 18 vjeç.” – u shpreh Nikolla.


Nikolla u shpreh e vendosur që këtë reformë ta konsolidojë edhe më tej pavarësisht se disa institucione të arsimit parashkollor janë nën përgjegjësinë e pushtetit vendor.

“Fakti që procesi i decentralizimit ka çuar që institucionet e arsimit parashkollor të jenë nën përgjegjësinë e pushtetit vendor, e bashkive, nuk do të thotë hap mbrapa, nuk do të thotë që gjithçka që ne kemi nisur tashmë  do  të tërhiqemi, në kuptimin e një përgjegjësie nuk është më e arsimit por është e bashkive, kurrsesi jo edhe jo. Në mënyrë shumë të qartë ne nuk mund të tolerojmë dhe nuk mund të bëjmë që paratë dhe  investimet që vijnë nga partnerë tanë të rëndësishëm, investime që vijnë nga buxheti, nga para të prindërve shqiptarë të mbeten në mes të rrugës vetëm për faktin që ne tashmë kemi vetëm një kalim përgjegjësie në një institucion tjetër.” – deklaroi ministrja.


Ministrja Lindita Nikolla u ndal edhe tek një lajmi i mirë për reformën e mësuesisë duke theksuar se është renditur e treta në preferencat e maturantëve këtë vit. Mësuesia theksoi drejtuesja e arsimit, jo vetëm që është ndër më të preferuarat por ka studentë këtë vit me mesatare të lartë të cilët do të bëjnë ndryshimin cilësor në sistemin arsimor.


“Një lajm i mirë sot për të thënë që ajo që ne shpallëm si prioritet dhe duke thënë se mësuesia është prioriteti kombëtar i kësaj qeverie filloi të japi frytet e veta në informacionet që kemi marrë të përgjithësuar sepse është një proces që edhe disa ditë do që të përmbyllet ai i regjistrimit në universitet. Reforma ka filluar të japë rezultate. Mësuesia nga një fushë që renditej shumë më poshtë në kërkesat e studentëve, sot në momentin që flasim renditet e treta. Pra ekonomia, shkencat sociale, mësuesia, pastaj vjen infermieria e pastaj juridiku. Nuk ka qenë kurrë më parë kështu dhe besoj se kjo është një gjë shumë e mirë për të thënë edhe më shumë për t’i dhënë edhe më shumë fokus punës sonë dhe nga ana tjetër krahas kësaj ne kemi edhe një moment që, unë e di besoj se dukem si shumë optimiste, por është historike sepse mësuesia ishte zgjedhja e fundit e maturantëve më të dobët. Sot të gjithë të regjistruarit në programet e mësuesisë kanë të gjithë notën mesatare mbi 7-të” – përfundoi Nikolla.


Rreth 5 mijë mësues pritet të trajnohen dhe kualifikohen nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit për këtë kurrikul të re në arsimin parashkollor, krahas ngritjes së rrjeteve profesionale të mësuesve të parashkollorit. Ndërkohë që janë miratuar edhe standardet profesionale të formimit të përgjithshëm të mësuesit të arsimit parashkollor, dokument që përmban 11 standarde të rëndësishme për mësuesin.


(Portali Shkollor)

8,532 Lexime
5 vjet më parë