Artemisa Bushi: Roli i redaktorit në botimin e një libri
Redaktori është çelësi i cilësisë së librit, një bashkëpunëtor i rëndësishëm që i jep formë dhe ngjyrë veprës. Pavarësisht se shpesh qëndron në hije, puna e tij është thelbësore për të larguar gabimet dhe për të bërë çdo tekst të shkëlqejë. Pa redaktorin, asnjë vepër nuk arrin në majat e saj.
Nga Artemisa Bushi, redaktore
Asnjë shkrimtar nuk e kupton në krye, se redaktori është çelësi i cilësisë së librit. Por, herëdokur, kur dorëshkrimi dorëzohet për botim, nis dhe ballafaqimi me redaktorin, të cilin gjer më atëherë shkrimtari nuk e ka menduar se është shumë i rëndësishëm. Dhe sa më shumë rritet një shkrimtar, aq më shumë vlerëson dhe përzgjedh me kujdes redaktorin e tij. Sepse edhe veprës më të arrirë, do t’i ketë shpëtuar një gabim. Dhe autori asnjëherë nuk është aq i ftohtë me veprën e vet për të kuptuar gabimet, aq më tepër që i njehsohen me tekstin dhe ka keqardhje të heqë qoftë edhe një germë.
Redaktori i mirë është po ashtu krijues, por gjakftohtë. "Mpreh gërshërët" dhe bën krasitjen për të hequr tepricat, për të korrigjuar “gafat”, që edhe krijuesit më të mirë është e pamundur të mos i shpëtojnë.
Duhet thënë se është fat të gjesh një redaktor të mirë. Përtej profesionalizmit, krijohet edhe ajo “kimia” e dyanshme: besimi i autorit për t’ia besuar veprën e tij redaktorit nga njëra anë, dhe përkushtimi i redaktorit për të njohur më mirë stilin e autorit dhe për të hyrë në “lëkurën” e veprës.
Në një vepër, çdo germë, çdo fjalë ka rëndësinë e vet, dhe është art të qëmtosh, të latosh, të rregullosh, të zbusësh e të ashpërsosh fjalët, për t’u dhënë vlerën që duhet.
Në vendin tonë, për shkak se megalomania dhe dëliri janë në majën më të lartë, redaktori ende nuk e ka marrë pozicion që i takon. Lihet në hije, fshehur në rreshtat milingonë të frontespiceve.
Të mos harrojmë se shumë shkrimtarë janë bërë të mëdhenj falë punës së jashtëzakonshme të redaktorit dhe të përkthyesit. Dhe ndoshta edhe këtu do vijë dita që shkrimtari të rendë pas redaktorit më të mirë dhe ta ketë si vulë cilësie në librin e vet.
Ka dorëshkrime që nuk njihen më kur dalin nga botimi, sepse rikrijimi, rregullimi, latimi i ka bërë të shkëlqejnë. Redaktori është syri i dytë krijues, duke e bërë të plotë veprën.
Sigurisht, flasim për ata redaktorë që e meritojnë këtë titull.
Ps. Pas një takimi dashamirës me shkrimtaren Zhaneta Barxhaj, midis të tjerave folëm edhe për rolin e redaktorit gjatë botimit të një libri. Dhe ajo nuk hezitoi të ma përmblidhte sa më lart shkrova. “Paska edhe autorë që vlerësojnë punën e një redaktori, para se libri të kalojë në duart e lexuesit”, mendova.
Unë jam me FAT që më është dhënë mundësia të punoj me librat. Shpresoj shumë që t’ia kem dalë mbanë!
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
"Gjuha shqipe, dhurata që u lashë fëmijëve të mi" nga Zamira Dedja
Artistët shqiptarë të periudhës së Pavarësisë
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe