"Bëj gjëra të vogla me dashuri të madhe!"- Nga shfaqet teatrale në një mision solidariteti

Nxënësit e “Marie Kaçulinit”, të udhëhequr nga mësueset e tyre, shndërruan provat teatrale në një mision solidariteti. Përmes dy shfaqeve, ata sollën dhurata e gëzim për fëmijët talasemikë, duke provuar se gjërat e vogla, kur bëhen me dashuri të madhe, ndryshojnë jetë.



Ne e nisëm udhëtimin tonë drejt tyre muaj më parë. I patëm në mendimet tona të vogla e të shkujdesura ditë e ditë më parë. Flisnim për ta pa i ditur kush ishin e pa i njohur nga afër, madje edhe informacionin rreth shtegut nëpër të cilin shkonin çdo muaj, e kishim të vogël dhe të ngushtë. Mami i Rajnes ishte infermiere e ne shpresonim se ajo do të dinte më shumë nga ne për fëmijët talasemike. Të gjithëve na thanë e na shpjeguan, dhe emëruesi i përbashkët i gjithë bisedave të tyre ishte “gjaku”! 


Ne u rreshtuam pas mësuese Almës, mësuese Denisës dhe mësuese Ledit gjithë kuriozitet dhe dëshirë për të mësuar sesi mësohet një tekst në bocë (me këtë fjalën qeshëm sa u kënaqëm herët e para!), sesi qëndrohet në skenë, si mbaheshin sytë te publiku, sesi të flisnim me diksionin e duhur sepse “duhet të goditnim zemrat e publikut” – thoshte mësuese Alma.


Si fillim e morëm si lojë, por më vonë provat u intensifikuan, kërkesat e llogarisë u shtuan dhe vetëdija jonë u rrit. 

Ne kishim marrë përsipër të jepnim dy shfaqe teatrale, me kontributet e të cilave do të blinim dhurata dhe ndihma për fëmijët talasemikë në Spitalin Pediatrik në Tiranë. 


Dhe, ne ia dolëm! 


(Ronela Balliu dhe Jasmina Jakupi,  klasa IV-B, shkolla “Marie Kaçulini”, Durrës.)





Gjatë gjithë viteve të mia në mësimdhënie si mësuese e Edukimit Fizik dhe Mjeshtre Atletike, kam parë qindra sy plot dritë kur fitojnë çmimet e para, valë djerse të garave e të maratonave, lot gëzimi sa herë kemi marrë kupa e çmime fitoreje, por asgjë nuk krahasohet me emocionet që më ka dhënë ky projekt. E kam parë të rritet ngadalë çdo ditë me prova pas mësimi, me angazhimet feminore plot guxim të fëmijëve të klasës së III-B, të cilët më kanë mahnitur me durimin dhe përkushtimin e tyre për t’ia dalë, sepse kishin marrë përsipër të bënin diçka më të madhe se vetja. Ata, u poqën të gjithë gjatë këtij projekti dhe dolën më emfatikë, më të fortë emocionalisht dhe më të dashur me këto, përtej vetes.


Kishim ditë që planifikonim vizitën me zonjën Jona Dervishaliaj, përfaqësuese të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhe kryetaren e Shoqatës së Fëmijëve me Talasemi, zonjën Anduela Pinguli. 


Vizituam pavijonin e Hematologjisë dhe Onkohematologjisë më datë 4 nëntor. Emocionet që përjetuam ishin pa emër, pa zë e pa fjalë. Doja të qaja, por nuk mundja, doja të flisja, por vetëm buzëqeshja. Na merr përditshmëria dhe harrojmë sa me fat jemi që punojmë me fëmijë të shëndetshëm e të gjallëruar dhe ankohemi kot më kot kur ndonjëherë bëhen a tregohen mistrecë... 


Ka qenë një ndërmarrje e re dhe e vështirë  edhe për mua, ku ndonjëherë ka pasur momente tensioni e zhgënjimi, por e përgëzova veten që kisha pranuar të isha pjesë e atij projekti si koordinatore dhe me shumë përkushtim e çuam deri në fund. Kuptova akoma më shumë së ne nuk mund të bëjmë gjera të mëdha, por të vogla me dashuri të madhe!


U pritëm me shumë dashuri nga mjeket hematologe pediatre Dr. Manika Kreka, Dr. Donjeta Bali, infermieret buzagaz Myrvete Hasa dhe Laureta Bici, por përqafimin në grup, si kujtimin më te veçantë të asaj dite, fëmijët tanë e morën nga drejtoresha e QSUT-së, zonja Anxhela Paparizo e cila jo vetëm i priti me shumë gëzim, por i shoqëroi ata në çdo dhomë, i pyeti e i përgëzoi, i dha kurajo dhe guxim, recitoi bashkë me ta dhe vizatimet e tyre i vendosi në ambientet e Pediatrisë.


Jam e sigurt se shumë nga nxënësve tanë, i janë ndezur, brenda vetes, dritat e projektimeve të së ardhmes e nuk do të jetë fare çudi nëse, nesër, do i shohim si pjesë e grupeve botërore kërkimore për kura shpëtimi e lehtësimi të sëmundjeve e patologjive për fëmijë! 

Denisa Gajda, mësuese e Edukimit Fizik, Sporte dhe Shëndet 



Unë jam Samuel Sula. Kisha rol protagonist në shfaqen “Fluturimi i njëbrirëshit me krokodilin” e bashkë me Alrisin, ishin krokodilët e vetëm në shfaqe. Njëbrirëshi ishte Enea. Ergi dhe Enesi ishin dy zogj binjakë, edhe pse nuk ngjanin fare. Ergi bënte Zogun Zig dhe i kishte mësuar batutat e veta pikë për pikë (edhe tonat ndonjëherë!), ndërsa Enesi, zogun Zag, dhe ia dilte të dilte nga situata me shumë zotësi dhe me shumë humor, madje. O Zot sa kemi qeshur e jemi argëtuar gjatë provave dhe në prapaskenë! 


Por, nuk është kjo që do të doja të ndaja me ju! 


Është diçka tjetër! Është një poezi që kisha përgatitur ditë para se të shkonim për të takuar shokët tanë kampionë. Kisha dashur tu thoja se ne i duam shumë edhe ata, edhe pse, ata mund të mos luajnë futboll aq shpejt si ne, apo mund të mungojnë ndonjë ditë në shkollë, prapë së prapë, ata janë kampionë të vërtetë.


Gjatë gjithë këtij projekti kam kuptuar se ne fëmijët kemi dëshira dhe mundësi të pafundme dhe se të jesh fëmijë, nuk do të thotë se nuk mund të besh gjera të rriturish! 


Faleminderit të gjithë shokëve dhe shoqeve të grupit të shfaqjes “Fluturimi i njëbrirëshit me krokodilin”, që nuk u dorëzuan asnjëherë, as u mërzitën sa herë na kthente mësuese Alma. 

Ata janë: Ergi Shini, Enes Tafilaj, Alris Tërshalla, Enea Gjymyshka, Greis Bozo, Rajna Kani, Leandra Xhelili, Roel Proga, Alsin Hida, Sion Xhaibra, Kloan Kastrati dhe Aisel Keptiu.


Falemnderit shokëve dhe shoqeve të shfaqjes “Sonte nuk jam vetëm”: Isabela Nikolli, Greis Gajda, Rajna Lako, Liam Kurani, Noel Bashllari, Ronela Balliu, Jasmina Jakupi.

Samuel Sulaj, klasa e IV – B, Shkolla “Marie Kaçulini” 


© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë

447 Lexime
1 ditë më parë