ATDHEU IM

Cili është atdheu im?

Të dashur nxënës atdheu juaj është Shqipëria dhe në të njëjtën kohë jehoi zëri i nxënësve si në kor – SHQIPËRIA!

-Të dashur nxënës atdheu juaj është Shqipëria dhe në të njëjtën kohë jehoi zëri inxënësve si në kor – SHQIPËRIA!


Në klasë heshtje. Filloi ora e gjuhës shqipe. Mësim i ri. “Trojet shqiptare në Ballkan”. Mësuesi filloi të shpjegojë mësimin. Ai mundohej jo vetëm nëpërmjet tekstit por edhe hartave të na e bej të qartë se ku shtriheshin trojet shqiptare në Ballkan. Por një POR e madhe shpërthente në zemrën time, pse gjithë ata kufij në mes trojeve shqiptare? –Fjala kufij, na është ngulitur në kokë sa herë që shkojmë në vendlindje! – Pritje, doganë, kontroll, kufi, kolonë, punojnë, s`punojnë, këndej kufirit, andej kufirit...janë shprehjet të cilat na shoqërojnë gjatë gjithë pushimit, si në shkuarje ashtu edhe në ardhje. Pse ajo kasaphanë në mes kufijve tanë? – Ç`faj kemi ne fëmijët që pushimet tona shoqërohen me një fjalor të tillë? 


- Më duket se lufta e Kosovës nuk ka përfunduar, ajo shihet në të gjitha trojet shqiptare. Kufi andej, kufi këndej, shqiptarë andej, shqiptarë këndej. Pse kjo Evropa moderne e lejon një gjë të tillë! Si mund ta arsyetoj ajo ekzistencën e popullit shqiptar nën hijen e shteteve të ndryshme? -  Dua ta pyes mësuesin por nuk di nga t`ia filloj sepse kam shumë pyetje, kam shumë shqetësime dhe shumë paqartësi. A thua ç`mendojnë shoqet dhe shokët e klasës? - A thua mendojnë edhe ata si unë.

- Nuk është me rëndësi, unë nuk mund të duroj pa e pyetur mësuesin tim, dhe ngrita dorën!

- Mësues unë diçka nuk e kam të qartë!

- Urdhëro Valbonë, pyet mësuesit, më thuaj se çka nuk e ke të qartë?

- Unë nuk e kam të qartë, pse të gjithë këta kufij i ndajnë tokat shqiptare? - dhe përveç kësaj më thuaj  mësues, cili është atdheu im? - Unë kam lindur në Preshevë, dhe dua ta dijë se cili është atdheu im?

Mësuesi fshau thellë dhe dukej se nga thellësia e shpirtit të tij po nxjerr diçka të rëndë. Nuk ishim mësuar ta shohim në atë gjendje, sepse ai si zakonisht përgjigjet i kishte në maje të gjuhës. Por edhe kësaj radhe na befasoi, nga një pozitë e mrrolur, buzëqeshi dhe tha. 

-Atdheu yt, Valbonë është Shqipëria.

Por, unë mësues ia priti Iliri, jam i lindur në Shkup, nënën e kam nga Gjilani, kurse babanë nga malësia e Shkupit. Cili është atdheu im?

- Edhe për ty nuk ka përgjigje tjetër, atdheu yt është Shqipëria. 

- Hë thashë me mendjen time shpërtheu lumi i pyetjeve që i kisha unë në mendjen time të trazuar. A thua të gjithë po menduakan si unë!

Nga fundi i klasës e shqetësuar dhe me një zë që dridhej pyet Vlora, po unë mësues jam e lindur në Ulqin, cili është atdheu im?

- Shqipëria!Shiko në Shqipëri kemi qytetin me ermin Vlora, Vlora e pavarësisë së Shqipërisë, Vlora e Ismail Qemalit.

Në anën tjetër, aty afër dritares së fundit të klasës me një zë të fortë pyet Betimi – po mësues unë jam i lindur në Kumanovë, kam banuar me prindërit disa vite në Prishtinë dhe tani jetoj në Zvicër – cili është atdheu im?

Kësaj radhe mësuesi e vuri edhe më shumë buzën në gazë dhe me gjithë zemër tha: Shqipëria!


Por në anën tjetër më dukej  se mësuesi ka hyrë në një fushëbetejë me nxënësit, ata pyesim dhe ai përgjigjet, ai i shikon dhimbshëm dhe pas pyetjes më duket se shqetësohet, merr frymë dhe e shqipton me një tingëllimë të pastër fjalën SHQIPËRIA!


Por pyetjet vazhdojnë: Abetarja nga Struga, Kastrioti nga Elbasani, Gëzimi nga Prizreni, Merita nga Bujanoci, Arta nga Gucia, Genti nga Gjakova, Berati nga Ferizaji, Saranda nga Dibra, Shqiponja nga Kaçaniku, Erjoni nga Durrësi .... pothuajse nuk mbeti nxënës pa pyet, secili në mënyrën e vetë e fillonte, por të gjithë e përfundonin me pyetjen - Cili është atdheu im? Mësuesi u ndal në një skaj të bankës mori thellë frymë dhe tha: -Të dashur nxënës atdheu i juaj është Shqipëria dhe në të njëjtën kohë jehoi zëri i nxënësve si në kor – SHQIPËRIA!



 



Vaxhid Sejdiu është mësues i shkollës shqipe në Zvicër

2,738 Lexime
4 vjet më parë