SHKRIM

Darvini ka patur të drejtë: çdo gjë evoluon, edhe imagjinata.

Ka vetëm një siguri në këtë jetë: ndryshimi. Sa më shumë të përpiqemi të rezistojmë, aq më shumë do të vuajmë. Kur mësojmë të ndjekim rrugën më të përshtatshme për nevojat tonat dhe të të tjerëve përreth, atëherë bëhet më e thjeshtë

Darvini paska patur të drejtë. Edhe pse vepra e tij është e datuar herët dhe që atëherë të tjera zbulime u kanë dhënë përgjigje pyetjeve të tij dhe shumë pyetje të tjera kanë lindur, pavarësisht kësaj është e padiskutueshme që baza e punës së tij mbetet me vlerë dhe e konfirmuar: jeta evoluon.  


Toka evoluon, universi evoluon, bota shtazore evoluon, bota njerëzore evoluon. Pse duhen thënë të gjitha këto? Sepse është marrëzi të mendosh të bashkëveprosh me fëmijët dhe adoleshentët e sotëm ashtu siç është bërë dyzet, tridhjetë apo edhe dhjetë vjet më parë.


Nëse dikush do të thoshte: po, e drejtë, ashtu është, edhe ky pohim do të ishte një hipokrizi. Sepse nëse vërtetë mendohet kështu, atëherë përse nuk zbatohet? 


Në fakt, kjo ndodh ngaqë të dish dhe të njohësh janë dy gjëra shumë të ndryshme nga njëra tjetra.

Secili nga ne e di që të komunikosh me një fëmijë apo një adoleshent, të duhet të zgjedhësh mënyra krejt të ndryshme nga ato me të cilët kanë komunikuar brezat pararendës me ne. Por problemi shfaqet në momentin kur do ta përdorësh këtë mënyrë. Shumë prej nesh nuk kanë njohje, nuk dinë një stil apo rregull qasjeje të ndryshëm nga paraardhësit, me anë të të cilit ta realizojnë në praktikë komunikimin me këtë target grup. Atëherë? E gjejnë dhe e gjejmë veten duke përdorur modele të vjetra, të provuara, të testuara dhe aspak efektive tashmë. 


Do t`i referohemi institucionit të psikologut pranë shkollave tona. Si pjesë prestigjioze e shkollës sonë, e cila bashkëpunon me stafin dhe komunitetin, roli dhe statusi i psikologut në shkolla është po aq i rëndësishëm sa ai i mësuesit. Bashkëpunimi i nxënësve por edhe i mësuesve me psikologun duhet të jetë epiqendra e punës në shkollë, nëse duam rezultate optimale në komunikimin me nxënësit. Por rastet nuk flasin në favor të këtij parimi. 


Në shkollat tona  psikologu ka për detyrë, ndër të tjera të qartësojë bashkëpunëtorët e tij për mekanizmat e trurit të qenieve njerëzore, të shpjegojë cilat janë proceset preferenciale të të mësuarit të një nxënësi të konsideruar problematik, ka për detyrë të argumentojë potencialet e kujtesës, të ekspozojë  koncepte të komunikimit strategjik, të sqarojë se disa aftësi imagjinare janë mundësi dhe jo probleme, më pas të kërkojë nga mësuesit dhe prindërit që të marrin përgjegjësi më të mëdha. 


Sigurisht, parë rrethanat ku mësuesi punon, nuk pritet ndihmë totale, e pakushtëzuar nga shkolla ... por të paktën përkrahje dhe dëshirë për të bashkëpunuar, po!

Por gjatë një studimi mbi përshkrimet që mësuesit u bëjnë aftësive të nxënësve në klasën e 11-të në një nga shkollat më të mira në vend, vërehet se në 92% të tyre asnjë koncept nga sa përmendëm më lart nuk është evidentuar; asnjë rresht nuk i jepet imagjinatës dhe rolit të saj në procesin e të mësuarit të nxënësit; asnjë konkluzion nuk është i lidhur apo i derivuar nga funksionet e imagjinatës së nxënësit. 

 

E pra imagjinata është shumë e rëndësishme në evolucionin e një shoqërie dhe rrjedhimisht edhe të një individi. Te fëmijët është shpeshherë vendimtare. Nëse në vitin 1898, dikush do t`i kishte thënë një mikut të tij se "Ti mund të shkosh nga Tirana në Romë për një orë" sigurisht që ai do ta kishte marrë për të çmendur, madje do të kishte reaguar keq. Imagjinata e tij në fakt do ta lidhte udhëtimin me një anije deri në Bari e më pas me një karrocë deri në Romë. Nëse këto do të llogariteshin me shpejtësinë e mjeteve përkatëse atëherë me anë të formulës: rrugë pjestim shpejtësi do të dilnin orët (ditët e javët në fakt) që do të duheshin për ta përshkuar këtë rrugë.  


Por vetëm pesë vite më vonë (1903), mendja njerëzore shpiku aeroplanin dhe ne sot jemi dëshmitarë të arritjeve të aeronautikës në shekullin në vijim!

Shikoni përreth! Çdo gjë me përjashtim të bimëve, kafshëve dhe natyrës në përgjithësi, është ndërtuar nga njeriu. Kjo do të thotë se kjo “çdo gjë” në fillim është imagjinuar, ka ekzistuar në mendjen e dikujt përpara se të ekzistonte në realitetin e sotëm. Le ta thellojmë arsyetimin: marrim një makinë që u shpik në shekullin e kaluar dhe e krahasojmë me simotrën e saj sot. Ndryshimi është i jashtëzakonshëm. Mendoni për gjithçka që u shpik dhe zbulua në shekullin e kaluar dhe krahasojeni atë me atë që është shpikur dhe zbuluar sot. Tani vendoseni këtë mekanizëm krahasimi në 20 vitet e fundit kur teknologjia po ecën me hapa gjigande. 


Ndryshimi është eksponencial! Njerëzimi vazhdon të evoluojë dhe gjenerojë burime të reja që zhvillohen gjithnjë e më shumë, e gjithnjë e më shumë bëhen të të menaxhueshme.

Kur në të tridhjetat Alan Turing, i diplomuar në Kembrixh, matematicien, informaticien, kriptanalist, filozof, teoricien biologjist siguroi një zyrtarizim të koncepteve të algoritmit dhe llogaritjes me makinën Turing, e cila mund të konsiderohet model i parë i një kompjuteri me qëllim të përgjithshëm, ai kishin në dispozicion të tij majat e teknologjisë së kohës, më të mirën e kërkimit, mjete të përdorshme vetëm nga shumë pak shkencëtarë, pa llogaritur mendjen e tij magjike. Sot “Turing” do të skuqej nga turpi para para modelit më të fundit të iPhon-it! Dhe asnjë nga ne nuk ka nevojë për një diplomë nga Kembrixh për të mësuar se si të përdorim një iPhon, aq më pak fondet nga Ministria e Arsimit apo e Mbrojtjes. Kjo ndodhi vetëm sepse dikush pyeti "Pse vetëm kjo?”, “Pse jo më shumë?” 


Po sikur procesi i mësimdhënies dhe mësimnxënies të kishte ndjekur të njëjtat linja si imagjinata? Po sikur mësimdhënia dhe mësimnxënia të kuptohen vërtetë si një proces që evoluon dhe ndryshon? Por pse studimi duhet të jetë i lodhshëm, i pakëndshëm dhe i mundimshëm?


Tani ne dimë kaq shumë aspekte të funksionimit të pavetëdijës dhe mendjes sonë, kështu që pse të mos bëjmë përpjekje për të mësuar t'i përdorim ato në avantazhin tonë?

Natyrisht që parandalimi është më i mirë se kurimi ... dhe kurrë nuk është vonë që të ndërhyjmë dhe të përveshim mëngët!

Sigurisht që kjo është sfiduese dhe çdo gjë është e vështirë para se të bëhet e lehtë. Rritja e e një fëmije, formimi i tij është një përvojë e jashtëzakonshme dhe e mrekullueshme.


Ka vetëm një siguri në këtë jetë: ndryshimi. Sa më shumë të përpiqemi të rezistojmë, aq më shumë do të vuajmë. Përkundrazi, kur futemi në rrjedhë dhe mësojmë të ndjekim rrugën më të përshtatshme për nevojat e domosdoshme tonat dhe të të tjerëve përreth, atëherë gjithçka bëhet më e thjeshtë dhe emocionuese.



(Natasha Poroçani; Portali Shkollor)

2,205 Lexime
4 vjet më parë