Manushaqe Hoxha Laçi: Mësuesi, amortizatori i heshtur i përplasjeve të shoqërisë
Mësuesi është amortizatori i heshtur i përplasjeve të shoqërisë. Mbi të përplasen stuhitë e fëmijëve, boshllëqet e sistemit dhe pritshmëritë e pafundme. Ai zbut goditjet që të tjerët të mos rrëzohen. Por kur mësuesi thyhet, nuk bie vetëm një njeri, dobësohet mburoja e së ardhmes sonë.
Manushaqe Hoxha Laçi
Mësuese kimie në gjimnazin “Skënderbeu” Krumë, Has
Në skajet e kësaj shoqërie, aty ku rrugët bëhen të rrezikshme dhe drejtimet humbasin, qëndron një figurë e palëvizshme, si një barrierë e vendosur përpara greminës, që është mësuesi.
Mbi të përplasen stuhitë që vijnë nga shtëpitë e nxënësve, fjalët e pathëna, mungesat, dhimbjet që fëmijët nuk dinë t’i emërtojnë. Ai përthith lodhjen mendore, ankthin, rebelimin, heshtjet e gjata dhe shpërthimet e papritura. Mbi të rëndojnë edhe boshllëqet e sistemit, kërkesat e pafundme, pritshmëritë që rriten si dallgë të një deti të trazuar.
Dhe si në një rrugë malore, kur mjetet rrëshqasin, përplasja kërkon një vend ku të ndalet. Mësuesi bëhet ajo barrierë sigurie që zbut goditjen. Ai mban peshën e të gjithëve, përthith përplasjet, ndalon rrëzimet. Ndonjëherë shndërrohet edhe në tabelë qitjeje, ku drejtohen pa kursim fajet, zhgënjimet, dështimet. Është më e lehtë të godasësh atë që qëndron, sesa të kërkosh arsyet që lëvizin.
Por harrohet shpesh se mësuesi nuk është hekur, as beton. Ai është njeri. I përket së njëjtës shoqëri që përpiqet të mbrojë. Ka familjen e tij, plagët e tij të heshtura, lodhjen që i rëndon supet. Ka net të gjata dhe mëngjese që i fillon me buzëqeshje të fituar me mund. Ka ndjenja që lëndohen dhe një shpirt që, edhe pse i fortë, mund të kriset.
Megjithatë, ai qëndron. Çdo ditë, sërish. Jo që nuk e ndjen peshën, por sepse beson se dikush duhet të jetë mes përplasjes dhe së ardhmes. Dikush duhet të zbusë goditjet që të tjerët të mos rrëzohen.
Dhe e vërteta më e heshtur është kjo: kur mësuesi thyhet, nuk bie vetëm një njeri, por dobësohet mburoja e gjithë shoqërisë.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Si lexuese, mes Rita Petros dhe Mimoza Ahmetit: dy gjendje për të mos heshtur…
Ditjona Osmanaj: Turp për gjithsecilin që fajin ia hedh mësuesit!
Gjuha e gjakut – midis shenjtërisë dhe rrezikut të harresës