“Dashuri, që s’ka nevojë për fjalë” nga Elida Shkëmbi

“Dashuri, që s’ka nevojë për fjalë” është shkrimi letrar i Elida Shkëmbi, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.

Kur isha nxënëse, sa herë e mendoja të lehtë, të bukur dhe po aq emocionues profesionin e mësuesit...


Kur nisa punën në vitin 1992, më mbërthente dëshira të bëja më të mirën. S’e mendoja kurrë, sa herë do lumturohesha, kur nxënësit e mi do bënin më të mirën e tyre duke më bërë krenare. 


Frikësohesha, kur ndodhte të sëmurej një nxënës... Asnjëherë nuk u lodha me nxënësit specialë apo hiperaktivë, të cilët për t’i mbajtur të aktivizuar dhe të përqëndruar më duhej të sajoja lojëra dhe aktivitete shpirtdhënëse dhe plot energji. 


Momenti më delikat ka qenë, kur një ditë trokiti dera dhe një grua e veshur me uniformë ushtarake m’u drejtua me zë të dridhur prej emocioneve:


-Ju jeni mësuese Elida?

Më rrëfeu për dritën e syve të saj, që e kishte shumë të vështirë vijimësinë e mësimit në një shkollë në Tiranë, pasi ndihej jo mirë, ndërkaq mësuesja i kishte dhënë një sugjerim për ta përsëritur klasën. Ndihej e lodhur dhe sytë i kishte me lot. 


S’e di pse, por fillimisht ngurova dhe i kërkova ta takoj fëmijën.


Kur e takova, vura re se ishte një djalë shumë i ëmbël, pak i trembur dhe i pasigurtë, por sytë e tij që më shihnin me ëmbëlsi më bënë të mendoja se duhej ta merrja në klasë. Do bëja përpjekje ta ndihmoja këtë fëmijë, që ishte ndryshe nga të tjerët. 


Çdo fëmijë ka nevojë për një zemër durimtare për ta dëgjuar atë, dhe jo për një mendjelartë për ta kritikuar, ka nevojë për krahë të hapura, që e pranojnë atë, dhe jo për sy të rreptë që i vënë re gabimet e tij... ka nevojë për duar inkurajuese, që e drejtojnë atë, dhe jo për një zë të fortë që e urdhëron...

Nuk ishte hera e parë që kisha nxënës të veçantë në klasë...

Kisha pasur dhe fëmijë të tjerë, paksa të vështirë, por duke i trajtuar me dashuri dhe me durim kishin arritur rezultate shumë të mira.


E pranova. 


Vendosa ta mbaja afër kudo. E kisha gjithnjë pranë, në korridoret e shkollës, në rrugën për në shtëpi, në takimet me mësues dhe duke më mbajtur dorën fort më thoshte: 

-Të dua shumë! Ti je mësuesja më e mirë në botë! 


Fëmijët janë të pafajshëm për shkak të dobësisë së tyre trupore, jo për shkak të shpirtit të tyre. Ata kanë shpirt të pastër dhe të dëlirë.


Në bankë e ula me një vajzë të mrekullueshme që quhej Kamila dhe të dyja ne punuam fort për ta aktivizuar dhe ta përfshirë në aktivitete të ndryshme. Në pikënisje qe pak e vështirë, por shpejt u miqësua dhe puna po ecte mirë. Gjithë klasa e donin dhe e trajtonin me shumë ngrohtësi. Megjithëse ngjarje të hidhura na ndodhën, siç ishte edhe largimi nga jeta e një shoqeje të klasës në një aksident, sërish vijuam të mësonim duke kërkuar të bëheshim të fortë për të vazhduar rrugën drejt dijes...


S’mund të harroj lotët në fytyrat e tyre dhe trishtimin e L. që kur më shihte të mërzitur më vinte afër dhe më përqafonte, teksa më fshinte lotët...


Kuptova që ishte shpirt i ndjeshëm dhe shumë i dashur.


Sot, kjo klasë dhe nxënësi special mbaruan maturën dhe ndihem shumë krenare për arritjet e tyre. Sidomos për nxësin L., i cili vazhdoi një shkollë profesionale dhe është gati të punësohet në një biznes privat.


Asnjëherë të mos tërhiqemi, por të ankorojmë me plot dashuri në zemrat e nxënësve tanë  spirancën e dijeve, të njohurive e aftësive. 


Nëse një mësues ruan thjesht, vetëm dashurinë për punën, ai do të jetë një mësues i mirë. 


Nëse një mësues ruan një dashuri të veçantë për nxënësin si të jetë babai dhe nëna e tij, ai do të jetë më i mirë se mësuesi që ka lexuar me dhjetra e qindra libra, por nuk ka ushqyer dashuri për 

punën ose për nxënësit.


Nëse një mësues gërsheton dashurinë për punën me dashurinë ndaj nxënësve, ai është një MËSUES I PËRKRYER.



Elida Shkëmbi

Ka kryer gjimnazin “Janaq Kilica” në Fier. Ka mbaruar arsimin e lartë në Universitetin “Eqerem Çabej”; Dega Cikël i Ulët, Gjirokastër në vitin 1992. Ka marrë pjesë në shumë trajnime për mësimdhënien, edukimin, gjithpërfshirjen, komunikimin. Është bashkëautore e disa librave shkollorë. Pika e fortë mbetet përfshirja e nxënësve në projekte, aktivitete dhe bashkëpunimi me prindër për një ecuri të mirë në procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies. Punon mësuese pranë shkollës 9 vjeçare “Ahmet Gashi”; Tiranë. 



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,805 Lexime
6 muaj më parë