ESE

Desa Harxhi: “Metamorfoza” konsiderohet si një vepër e hapur për lexime dhe interpretime pa fund

Çfarë përcaktojmë ne si metamorfozë? A janë vetëm flutura dhe hëna që shpërfytyrohen për të arritur formën e tyre më të vërtete? Apo mos është kjo një përvojë mëse e njohur dhe për ne? Ese nga maturantja Desa Harxhi, shkolla “Ernest Koliqi”.

Ne na dallon një jetë nën evolim konstant. Pikërisht kjo është përvoja që Kafka shqyrton në veprën e tij "Metamorfoza", ku një burrë i zakonshëm, Gregor Zamza, e gjen veten pas zgjimit të transformuar në kandërr. Përmes absurdit dhe tragjizmit, tipik për krijimtarinë e tij, Kafka eksploron një mbisituatë ekzistenciale e gjithëpërfshirëse, qe nuk i përmbahet veç tjetërsimit fizik, por dhe diçkaje më të thellë, më parësore. Është pikërisht ky "shpirt" i veprës, që bëhet subjekt i diskutimeve dhe interpretimeve të shumta, sipas tejqyrës kontekstuale nëpërmjet secilës e shikon lexuesi. 


Disa studiues janë të mendimit se zgjimi i Zamzës s'është gjë, përveçse një gënjeshtër mizore; ai ka ngecur në një makth pa mbarim,në  një ëndërr të deformuar. Ëndrrat, zakonisht janë ndodhi me fuqi të madhe simbolike në letërsi, ato kanë pësuar një metastazë figurative dhe janë kthyer në kurth për psiqikën e Gregorit, e cila nuk do arrijë dot kurrë katarsisin e nevojshëm. 


Të tjerë e konsiderojnë "Metamorfozën" si një antipërrallë. Motivi i shndërrimit, kaq i përhapur në përralla dhe fabula, na shfaqet i përmbysur dhe bashkë me të dhe fundi klasik i gjetur zakonisht në këto tregime. Ndryshe nga personazhet e përrallave, Zamza nuk arrin dot të shkëputet dot nga trajta e shëmtuar dhe e neveritshme e kandrrës, duke i dhënë kështu një mbyllje të hidhur. 


Është krejtësisht e mundur që, teksa lexon ndodhinë fantastike, ku shformimi i njeriut në kandërr nuk trajtohet me çudinë që i takon, por si një fakt i padyshueshëm, të mendosh se ke të bësh me një histori,  ku qëllimisht autori tregon dyzimin e reales me irrealen. Duket sikur Kafka ka konceptuar një dimension të ndarë nga i yni, ku sundimi i fantastikes ka deformuar rregullat e natyrës. Pozicioni i tij si paraardhës i realizmit magjik, që ka influencuar shkrimtarë të zhanrit si Gabriel Garcia Marquez, e mbështet këtë si perceptim. 


Ndërkohë, për një lexues të mirëinformuar, është mjaft e lehtë që midis jetës së Kafkës dhe Gregorit të lidhen pika takimi, të gjinden paralelizma të qëllimshëm. Kafka vuante nga anoreksia nervoze dhe nga një depresion plogështues. Ai ndihej i përjashtuar nga shoqëria, i veçuar që në gjenezë, viktimë e familjes dhe dashurisë së përvuajtur, në konflikt konstant me veten dhe identitetin. 


Ishte Zamza çka e lejoi Kafkën të shprehej për vuajtjet më intime, duke gdhendur pas imazhit të vetes një protagonist të dobët e të pamotivuar, me probleme mendore dhe çrregullime të ushqyerjes, pa dashurinë e duhur familjare dhe romantike, të shtypur nga mjedisi dhe koha ku jeton.


Ose ndoshta kandrra nuk përfaqëson vetëm krijesën sinkretike, Gregor-Kafka, por edhe ne, edhe njeriun, edhe lexuesin. Vuajtja e Zamzës është vuajtja e individit në një botë mizore dhe indiferente. Tjetërsimi i tij, s'është veçse alegori për qenien humane të pafuqishme para rendit kapitalist, që e kthen në asgjë më tepër se një ingranazh të makinerisë së parasë, në një proces të quajtur ‘’selbstentfremdung’’ ose dehumanizim. 


Zamza ka humbur natyrën e vetes dhe autonominë si person. Atij s’i lejohet një jetë përmbushëse, sepse nuk është më njeri, por një hallkë e zëvendësueshme në sistemin plutokatrik. Vlerë  të madhe për familjen dhe punësuesit ka produkti që ai jep, kontributi i tij financiar. 


Ashtu si kandrra është një punëtor pa rëndësi në hierarkinë sociale të insekteve, që punon pa reshtje tërë jetën derisa i vjen fundi, ashtu është dhe Gregori. I shkëputur siç është nga esenca e tij, çfarë e bën njeri, nuk është e çuditshme që pamja fizike shndërrohet për të pasqyruar gjendjen e brendshme. 


Kështu, është krejt e mundur që Kafka, i cili si vetë protagonisti duhet të sakrifikonte dashurinë ndaj artit dhe ndjeshmërinë e thellë për hir të punës burokratike, të ketë shkruar‘’Metamorfozën’’ si një histori paralajmëruese dhe kritikë të depersonalizimit e përjashtimit të njeriut nën shtypjen shoqërore të babëzisë. Gregori është një shembull i regresit të njeriut në një botë moderne, që e ofron si flijim në altarin e parasë. 


Kafka e cilëson historinë njerëzore si çasti midis dy hapave të udhëtarëve’’. Pikërisht ‘’Metamorfoza’’ shërben si një eksplorim i këtij çasti, i groteskut dhe bukurisë së tij, të shprehur ndërmjet jetës së Zamzës dhe makthit kafkian që e ka mbërthyer. 


Bashkë me të jemi dhe ne udhëtarë, që e gjejmë veten të pasqyruar, sado pak, në dimensionet që na ofron ‘’Metamorfoza’’ për të interpretuar. Si vetë personazhi kryesor, nuk mund të mos ndihemi të mbërthyer në trupat tanë, teksa na kaplon dëshira për introspektivë dhe meditim. Është pikërisht ky emocion që na shtyn dhe ne në metamorfozën tonë personale, duke mohuar botën e jashtme për të njohur veten. 




Nga Desa Harxhi, klasa XII-1, shkolla “Ernest Koliqi”

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,655 Lexime
1 vit më parë