“Ditën e parë të punës dridhesha nga emocionet”

“E kam dashur dhe e dua këtë profesion njëlloj si në ditën e parë”, kështu nis intervista jonë me mësuesen e ciklit të ulët në shkollën “Dora D'Istria”

“E kam dashur dhe e dua këtë profesion njëlloj si në ditën e parë”, kështu nis intervista jonë me mësuesen e ciklit të ulët në shkollën “Dora D'Istria” Liliana Cenalliu Kaimi. Mësuesja me përvojë 25-vjeçare na tregon se ky profesion i ka rrëmbyer edhe shpirtin.


Sa vite keni që punoni si mësuese?

Kam 25 vite në arsim, nga këto 17 vite që punoj si mësuese.


Kur vendosët të bëheni mësuese dhe përse?

Mbase që në bankat e gjimnazit, i kisha idhull mësueset që më jepnin mësim dhe më pëlqente shumë të punoja me fëmijët.


Si e kujtoni ditën e parë të punës?

Isha vetëm 21 vjeç, u drejtova për tek oborri i shkolles "Fan S.Noli", dridhesha nga emocionet. U rrethova nga prindër e fëmijë, m’u mbushën duart me tufa me lule. Ishte vërtet një moment i bukur të të besonin edukimin e atyre fëmijëve të vegjël.


A ju kujtojnë nxënësit tani?

Patjetër që më kujtojnë. Më kujtojnë shpesh, janë të shpërndarë kudo në botë, më dërgojnë shpesh mesazhe, kontribuojnë në fusha të ndryshme të shkencës dhe artit. Për shembull: Jola Rexha, Endrit Yzeiri, Ronela Hajati, Xheni Hallulli, Livia Bulku, Erinda Rexha, Admir Dedej e sa e sa të tjerë.


Cila është dhurata më e bukur që keni marrë në festën e “7 Marsit”?

Një album me foto. E gjithë klasa në kujdestarinë time kishte bërë një album me foto të shumë momenteve të gëzueshme.


Cila është marrëdhënia juaj më nxënësit çapkënë?

I kujtoj shpesh nxënësit çapkënë. Të tillë ka në çdo klasë. Më kanë dashur edhe kur unë u flisja e i qortoja.


Cila është shprehja më e bukur që ju ka thënë një nxënës?

Ka shumë të tilla por një nga shprehjet që më ka mbetur në mendje është kur pasi shpjegova një mësim të gjithë një nxënëse me pyeti: "Mësuese, a nuk lodheni duke folur kaq shumë?"


A jeni ndjerë ndonjëherë e fyer për shkak të profesionit që keni? Nëse po, pse?

Po, besoj se ka ndodhur ndonjëherë pasi jo të gjithë prindërit janë të ndërgjegjësuar për rolin e tyre në edukimin e fëmijëve. Jo gjithmonë ka funksionuar partneriteti. 


Nëse do e kthenit pas kohën, a do zgjidhnit sërish të bëheni mësuese?

E kam dashur dhe e dua këtë profesion njëlloj si në ditën e parë.


Cili është mesazhi juaj për të gjithë nxënësit?

Të vazhdojnë të duan shkollën dhe librin. Kurrë të mos heqin dorë nga ëndrrat e tyre dhe të mos e humbin dëshirën për të mësuar.


Cili është mesazhi juaj për të gjithë ata që duan të bëhen mësues?

Profesioni i mësuesit është një profesion i bukur, i nderuar, me plot sfida, nëse e zgjedhin duhet të jenë gjithë jetën nxënës të mirë.


(Portali Shkollor)

4,447 Lexime
8 muaj më parë