Edicioni i 75-të i Panairit të Librit në Frankfurt, Kosova tradicionalisht pjesëmarrëse
Ka hapur dyert panairi më i madh i librit në botë, ai i Frankfurtit.I pranishëm është edhe shteti i Kosovës. Të shtunën, më 21 tetor, në aktivitetin gjithëditor shqiptarët që jetojnë atje, dashamirës të librave, do të kenë mundësi të marrin pjesë veçanërisht në promovimet e autorëve Ag Apolloni e Rita Petro.
Ka hapur dyert panairi më i madh i librit në botë, në Frankfurt të Gjermanisë, me mesazhin “Fjalët bashkojnë botën”. E ftuar nderi është Sllovenia. Janë mbi 7.500 ekspozues me mbi 285.000 profesionistë të fushës nga e gjithë bota që marrin pjesë në panair, ndër të cilët, tradicionalisht, i pranishëm është edhe shteti i Kosovës, organizuar e prezantuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, me ndihmën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Edicioni i 75-të i Panairit të Librit në Frankfurt fokusohet në agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe Hamasit në Izrael, duke artikuluar problemin e dhunës dhe agresioneve aktuale.
Nën moton "Koshere e fjalëve", e ftuar e nderit e këtij viti, Sllovenia, do të prezantojë zhvillimet dhe prirjet në jetën e saj letrare dhe kulturore dhe, veçanërisht, industrinë e saj aktuale letrare dhe krijuese. Përmes letërsisë, do ta zbulojmë këtë vend që nuk përfaqësohet vetëm me bukuritë natyrore të vlefshme për t’u vizituar.
Muaji tetor shquhet si muaji më i rëndësishëm për ngjarjet kulturore të fushës së librit me dy kryengjarjet: Çmimi Nobel dhe Panairi i Librit në Frankfurt.
Kosova është e pranishme në sallën 4.1 stenda F96, sallë e botuesve dhe shteteve ndërkombëtare si: Ukraina, shtetet skandinave, bota arabe, shtetet baltike, Belgjika, shtetet e Evropës Qendrore, Holanda, etj. Janë botimet më të reja të botuesve kryesorë të Kosovës, përfshirë edhe “Albas” Kosovë si dhe botime të institucioneve si Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë dhe Universiteti i Prishtinës.
Në fundjavë, panairi hapet edhe për qytetarët dhe vizitorët, me ç’rast mbahen promovime me autorë dhe orë letrare në stendën e Kosovës, që është edhe pikëtakim i qindra kosovarëve që jetojnë në Gjermani.
Të shtunën, në aktivitetin gjithëditor, shënohen përvjetorët e Ernest Koliqit, Petro Markos, Jakov Xoxës e Teki Dërvishit. Promovohen autorët Ag Apolloni, Rita Petro, Loreta Schillok, Sadije Aliti, Mechthild Henneke dhe Jetlira Avdijaj, prezentë në Panairin e Librit në Frankfurt edhe fizikisht, me ç’rast takohen me lexuesit dhe të interesuarit, koordinuar nga Seveme Fetiqi e Bekim Gashi.
Të dielen, stenda e Kosovës do të shërbejë si pikëtakim për Lidhjen e Shkrimtarëve Shqiptarë në Frankfurt dhe takimet mes autorëve e lexuesve.
Një rast i jashtëzakonshëm ky për të gjithë diasporën që jeton në Gjermani, që të njoftohet me prurjet nga letërsia dhe kultura shqiptare, duke mbajtur gjallë lidhjen e trashëgiminë kulturore.
Nanila Allkja Biçaku
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Pse duhet të lexosh? Këto 100 thënie për leximin janë për ty...
Edukimi përmes së djeshmes, së sotshmes dhe vizionit për të ardhmen
Junila Lala, ndër mësueset e gjuhës shqipe në Greqi që u shpërblye nga shteti shqiptar pas disa vitesh vullnetarizëm