Nesër në "Tirana Gate 2026", zërat e letërsisë bashkëkohore në qendër të aktivitetit "Trupi flet, fjala rrëfen"
Nesër, në "Tirana Gate 2026", shkrimtaret Rita Petro, Flutura Açka, Majlinda Rama dhe Raluca Nagy nga Rumania, bëhen bashkë në panelin “Trupi flet, fjala rrëfen”. Një bisedë mbi trupin e gruas, kujtesën, identitetin dhe fuqinë e letërsisë për të rrëfyer përvojën personale.
Një bisedë mbi trupin e gruas si gjuhë, kujtesë dhe rrëfim do të mbledhë nesër në Tiranë katër autore nga Shqipëria dhe Rumania. Në kuadër të Festivalit Letrar Ndërkombëtar për të Rinj “Tirana Gate 2026”, që zhvillohet nga 7 deri më 9 tetor në Vila 31 x Art Explora, në orën 10:30, zhvillohet paneli “Trupi flet, fjala rrëfen”, një nga aktivitetet e programit që i kushtohet letërsisë, përvojës personale dhe mënyrës se si fjala e shkruar mund të ndryshojë këndvështrimin mbi trupin dhe identitetin.
Në këtë panel do të jenë të pranishme poetja dhe shkrimtarja Rita Petro, shkrimtarja Flutura Açka, shkrimtarja Majlinda Rama dhe autorja rumune Raluca Nagy, ndërsa diskutimi do të moderohet nga Maniela Sota.
Prania e Rita Petros, një prej zërave të njohur të poezisë dhe letërsisë shqiptare bashkëkohore, i shton takimit një tjetër dimension, në një diskutim ku letërsia shihet si hapësirë për të rrëfyer atë që shpesh mbetet e pathënë.
Përballë autorëve dhe publikut do të shtrohet pyetja se kush e ka shkruar deri tani historinë e trupit të gruas dhe çfarë ndodh kur ajo merr vetë penën në dorë për të treguar përvojën e saj.
Dëshira, mëmësia, seksualiteti, dhuna, plakja, bukuria, sëmundja apo trauma janë disa prej përvojave që mund të marrin formë përmes letërsisë, jo si një figurë e parë nga jashtë, por si një histori e treguar nga vetë gruaja. Pikërisht kjo marrëdhënie mes trupit, kujtesës dhe fjalës do të jetë në qendër të bisedës së autoreve, në një takim që synon të hapë diskutim edhe me publikun e ri mbi mënyrën se si letërsia mund të na bëjë ta shohim veten dhe të tjerët ndryshe.
Paneli do të zhvillohet në shqip dhe rumanisht, ndërsa menjëherë pas tij, në orën 11:30, autorët do të sjellin lexime nga krijimtaria e tyre, duke vijuar takimin nga diskutimi te fjala e drejtpërdrejtë poetike dhe letrare.
“Tirana Gate 2026” vjen këtë vit në edicionin e tij të 12-të, i organizuar nga Instituti i Librit dhe i Promocionit, nën drejtimin e Irena Toçit, duke vijuar një traditë të nisur prej vitesh për ta afruar letërsinë bashkëkohore me të rinjtë dhe për të krijuar ura komunikimi mes autorëve shqiptarë dhe atyre nga vende të ndryshme. Përgjatë viteve, festivali është shndërruar në një hapësirë takimi për shkrimtarë, lexues dhe krijues të rinj, përmes diskutimeve, leximeve dhe shkëmbimit kulturor.
“Tirana Gate 2026” zhvillohet për tri ditë (7-8-9 tetor) me një program që përfshin panele diskutimi, lexime në gjuhë të ndryshme, punëtori, promovime dhe të ftuar nga vende të ndryshme, duke synuar të krijojë një hapësirë takimi mes të rinjve, autorëve dhe letërsive të ndryshme. Aktivitetet zhvillohen nga ora 10:00 deri në 19:00, në Vila 31 x Art Explora.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Roli i mësusit/ Funksionet dhe detyrat
2 Prilli, Dita Botërore e Librit për Fëmijë/ Disa fraza domethënëse nga “Princi i Vogël”
Pse duhet të lexosh? Këto 100 thënie për leximin janë për ty...