Ekonomist dhe shkrimtar, dy profesione, një emër

Gjon Neçaj është bashkëpunëtori i Portalit Shkollor në Tropojë. Ai është publicist, autor i 10 librave dhe redaktor letrar

Gjon Neçaj është bashkëpunëtori i Portalit Shkollor në Tropojë. Ai është publicist, autor i 10 librave dhe redaktor letrar. Gjoni ka lindur në fshatin Peraj të krahinës së Nikaj-Mërturit dhe është diplomuar për financë. Ju do mendoni se si qëndron poeti dhe financieri tek Gjoni.

“Mitrush Kuteli, (alias Dhimitër Pasko) është jo vetëm ndër proatorët më të mirë shqiptarë, por ishte ndër ekonomistët e parë që ngriti nga themelet financat shqiptare. E ai shpesh citonte se profesioni e nxiti drejt krijimtarisë. E mbase edhe mua,vrullet e të shkruarit m’u shtuan  më shumë kur studiova për ekonomi financë.

Pra profesioni im është financier, profesion që e ushtroj prej mbi 40 vitesh,veçse  krijimtaria është binomi i pandarë, e sikur edhe një ditë të mos hedh diçka në bllokun tim të shënimeve, mendja ime do vërtitej në pafundësinë e natës duke u sjellur në krevat sa në një anë në tjetrën, a thua jam ndonjë lypsar i devotshëm i pagjumësisë. Profesioni është ndërthurur me pasionin dhe ka lindur hibridizimi i dçkaje që unë e quaj pamëdyshje fat, se më relaksion,më largon mërzinë kur jam i dëshpëruar,apo më lumturon si një fëmijë kur shkruaj një poezi,një skicë,një reportazh.

Unë e quaj ditë me fat, kur shkruaj një varg, një rresht apo një haiku. Sidomos haiku më relakson, e lumturohem kur në rrugicat e qytetit tim lindin në mendjen time trevargjet haiku si luledelet pas larave të borës në ditët e fundit të prillit maleve të mia”, rrëfen Gjoni.

Në fakt ai ka nisur të shkruajë që në fëmijërinë e tij dhe këtë pasion të tij nuk e ka lënë pas asnjëherë.

Gjoni ka botuar në gazetat e kohës poezi, prozë e publicistikë. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, nënkryetar i Lidhjes së Shkrimtareve dhe Artistëve të Tropojës, anëtar i Organizatës Botërore të Poetëve (WPS), anëtar i Haik-Klubit Shqiptar dhe ka fituar disa çmime.

“Shkrimin e parë e kam shkruar në gazetën “Pionieri”, andej nga klasa e pestë, në mos gabohem dhe ka qënë një kronikë për një aktivitet artistik të shkollës. E kam postuar në postë dhe pas një muaji doli numri i radhës. Mësuesi i letërsisë Dedë Markaj më thërret dhe ma jep gazetën. Gati sa nuk kam fluturuar. E kam palosur mirë dhe sapo kam hyrë në derë të kullës ua kam lexuar prindërve të mi. Duhet falënderuar Murat Gecaj, redaktor i gazetës “Pionieri”, i cili ishte inisiatori i botimit të shkrimit tim të parë. Pastaj here pas here kam botuar, kryesisht poezi në gazetën “Zeri i Rinisë”,”Studenti”, (kur isha student), në revistën “Ylli”, në gazetën lokale “Ushtima e maleve” në shkollë të mesme... Sot botoj pothuajse në të gjitha gazetat e përditshme dhe ato letrare në Tiranë, Prishtinë, Maqedoni dhe web site të ndryshme”, tregon Gjoni.

 Libri i parë “Në hijen e mrizave”

“Unë kam lindur në një mëngjes mesqershori nën hijen e mrizit të stanit në bjeshkët e mia.E ky objekt duke qënë jo vetëm  simbol i bjeshkës,po edhe si vatër ku linda dhe belbëzova për herë të pare,ishte mrizi te stani im.Ndaj kjo fabul është zanafilla e titullit të librti tim të parë me lirika,mbase vonë,tepër vonë,më 1994, “Nën hijen e mrizave”. Kumbari i botimit të librit tim të parë është krijuesi dhe publicisti, miku dhe kolegu im, Ramiz Lushaj, i cili në ato vite administronte Shtëpinë Botuese “Dardania” dhe mori përspër botimin dhe sponorizimin e librit.”

"Këto ditë pres të dalë nga shtypi libri me publicistikë “Mëngjeset e qyteti të veriut”, po punoj për një libër poetik me haiku dhe një tjetër me poezi të shkruara kohët e fundit."

Trazimi i shpirtrave të venitur…

Nën peshën prehistorike të shekujve,

Curraj Epër u ngrit trimërisht për t’u rrënuar një ditë;

E qyqet s’pushuan kukamën asnjëherë,

majave trishtuese n’rrokaqiej tek lartësitë…

Ikën mëngjeset e agut me zëra fëmijësh,

Ikën netët e gjata të dimrit me pleqtë mendimtarë

ballë oxhakut…

Ikën nuset dhe çikat e reja në mjegullnajën e kohës;

Tashmë nuk lajnë teshat breglumit,

Kur qysh larg dritësonin në çdo stinë vetëm diell…

Sot…

Sot kullat e shkretuara mbajnë peshën e viteve,

E shembjen trishtuese të mureve rrënuese,

Nën rrfanat e jetës të plakave motit netëve dimërore.

Ajkuna qan përmallshën për ikjen e banorëve,

Zogjtë moti vajtojnë vetminë vrastare,

E bjeshkët veç lotojnë e ngushëllojnë…

Sado të mallohemi, veç shkruajmë fjalë lojcake,

Se zëri ka mbetur varur bjeshkëve të fëmijërisë,

Prapa një rudine, prapa një kodre…

Delir i trazuar vargu im,

E ndjej dhimbjen mikluese për këto rreshta,

Përzier me britma, imazhe dhe kujtime të rinisë…

Varret,

Trazim i shpirtrave të venitur;

Curraj Eper !

Fillimi dhe fundi i një epoke.

2,218 Lexime
8 vjet më parë