Ese

"Ema Bovari", mesazhi që përcjell kjo vepër

“Burra, duajini gratë. Burra, shprehjani grave dashurinë që ndjeni përpara se të jetë tepër vonë. E ju gra FLISNI. Mos ndiqni Emën. Por, FLISNI. Ndoshta ai do t’ju kuptojë. Po s’ju kuptoi të paktën u përpoqët për të pasur atë dashuri përrallash”.

Në qendër të romanit shfaqet një ëndërrimtare. Një ëndërrimtare provinciale, që shkatërron veten për shkak të realitetit ku jeton. Dhe kush mund ta gjykojë?  


Kush nga ne mund të thotë se ndihet i plotësuar me jetën e tij? Se s’do të donte një jetë tjetër, apo të paktën ndonjë ditë ndryshe nga normalja. 


Asnjëri!


Sepse, Ema Bovari përfaqëson gjithsecilin prej nesh. Ajo është thjesht një njeri i zakonshëm që do të donte të kishte bërë diçka në jetën e saj. Të kishte shijuar pak më shumë atë jetë që i ishte dhënë. Do të donte të kishte jetuar pak më shumë.


Ti mund edhe të thuash se ajo po ëndërronte shumë. Se e teproi me veprimet që bëri.        

Por, ajo kishte humbur. Kishte humbur në atë provincialitet, në atë rutinë, në atë vorbull ëndrrash. 


Po vallë pse nuk mund të realizoheshin këto ëndrra të saj? Pse s’mund ta donte njeri aq fort, aq me pasion sa lulet do të çelnin nga e para. Pse s’mund ta donte dikush si në përralla?         

Ose më saktë pse s’interesohej njeri për të. Si ishte, çfarë bënte, çfarë do donte të bënte?


Pse nuk kishte me kë të thurte ëndrra? Pse duhej t’i thurte e vetme? 


Dhe kjo po e çmendte më shumë se çdo gjë tjetër. Që ishte e vetme. Që s’kishte askënd. 


U përpoq t’i përkushtohej shtëpisë, e ktheu shtëpinë siç donte. U kthye nga pianoja, as ajo nuk e shpëtoi. Madje u përpoq të fliste me bashkëshortin e saj, por s’mundi. Po priste qoftë edhe një shenjë nga ai, por nuk mori asgjë. I dha kaq shumë ëndrra asaj dashurie dhe në këmbim nuk mori as një “Zemër, më mori shumë malli për ty sot”.


Prandaj kërkoi për ngushëllim diku tjetër, sepse burri i saj i nderuar ishte tepër i zënë në të qenit naiv, saqë nuk e kuptonte. Burri i saj i nderuar ishte i zënë duke menduar sesa jetë perfekte kishte, se si çdo gjë ishte në rregull dhe nuk i kuptonte shenjat.                                

Madje as detyrën si mjek nuk e kreu dot. Nuk vuri re që kishte një paciente të sëmurë në shtëpi. Ema me të vërtetë ishte e sëmurë. Gjithë ai realitet i hidhur ia theu zemrën, ia copëtoi kockat një nga një pa mëshirë. 


A i vëmë dot faj? Realiteti ia theu krahët. Ai realitet aq i ashpër nuk e la të jetonte në atë botë ëndrrash


Dhe kështu ajo vdiq. Hodhi poshtë ëndrrat që e shtynin të jetonte dhe vdiq. 


A fitoi gjë? Po, fitoi. Sepse përcolli një mesazh. Një mesazh që duhet t’i ngulitet në kokë çdo burri e çdo gruaje kudo qoftë, që të mos ndjekin fatin e saj. 


Burra, duajini gratë. Burra, shprehjani grave dashurinë që ndjeni përpara se të jetë tepër vonë. E ju gra FLISNI. Mos ndiqni Emën. Por, FLISNI. Ndoshta ai do t’ju kuptojë. Po s’ju kuptoi të paktën u përpoqët për të pasur atë dashuri përrallash”. 


Evdhoksia Disho, klasa 11-12, shkolla "Sami Frashëri".


(Portali Shkollor)

22,404 Lexime
5 vjet më parë