Ese

Një dhjetë…përgjithmonë!

Duke u rritur, kam kuptuar që mësuesi është një figurë ideale. Këtë ideal ai e shkrin me shumë mjeshtëri në misionin e tij. Ç’mision? Të të mësojë. Matematikë? Jo. Letërsi? Jo pra. Po çfarë? Të të mësojë se kush je ti…

Nuk po pres më shumë, ndaj po e them hapur menjëherë…  ku ka më bukur se të jesh nxënës? Por, vetvetiu e padashur lind pyetja, a ka më bukur se të jesh mësues. Është një goxha peshë e rëndë për të dhënë një përgjigje të saktë mbi këtë të fundit, ndaj po zgjedh të mos jem unë ai që të përgjigjet. 


Të jesh mësues nuk është aspak e thjeshtë. Kjo e bën akoma më të vështirë rrjedhshmërinë time në të shkruar, sot përpara jush, pasi nuk dua kurrsesi të citoj shprehje klishe. Dua të flas shumë pastër për një temë, që në fakt është po aq e pastër, e si e tillë mbetet të jetë e bukur. Si çdokujt, edhe mua më kujtohen me shumë nostalgji ditët e para në shkollë. Më kujtohet tek ushqeja vetëbesimin tim me ca “A” të rrumbullakosura bukur e ca skica të hedhura drejt në letër. “Bravo Irvi, sot më kënaqe!” … Sa kënaqesha dhe unë! 


Ende kënaqem në fakt. Asgjë s’ka ndryshuar; esenca është po ajo që ka qenë. Vetëm se ato A-të janë shumëfishuar rrugës por, a ka kjo rëndësi?... Duke u rritur, kam kuptuar që mësuesi është një figurë ideale. Këtë ideal ai e shkrin me shumë mjeshtëri në misionin e tij. Ç’mision? Të të mësojë. Matematikë? Jo. Letërsi? Jo pra. Po çfarë? Të të mësojë se kush je ti… Aspak mos u çuditni! Unë jam këtu për të dëshmuar se kam mësuar kush jam pikërisht nga mësuesit e mi. 


Nuk e kisha ditur që logaritmet, forcat e Njutonit, alegoritë dhe metaforat apo hidrokarburet janë diçka që unë më të vërtetë i bëj me dëshirë. Gjithsesi, ky moment i fundit mbetet në kuadrin e figurës me të cilën mësuesi më së shumti është destinuar të shihet, në atë të figurës shkencore-pedagogjike, që në fakt përbën shumë pak të asaj çka ai perfaqëson. Një shtysë e vogël të është dashur gjithmonë që të krijosh shumë, e pastaj ajo shtysë të është bërë mbështetje. Një mbështetje që të ka ngrohur për shumë gjatë. 


Ngjan pak me sistemin diellor apo jo? Dielli në qendër, me planetet që i vërtiten; si një vallëzim! Po planetet cilët janë vallë? A mos jemi ne (nxënësit) që vazhdimisht jemi në lëvizje e kjo lëvizje bëhet e ftohtë kur jemi larg këtij Diellit tonë? Mos më thoni që e ekzagjerova se kështu është. Figura e mësuesit qënka solare atëherë, dhe jo vetëm. Ejani ta zbërthejmë këtë solaritet. Ndriçuese? Patjetër që po. Ngrohëse? Pa dyshim. Vetëmohuese? Absolutisht po. E patundur dhe e fortë? Sigurisht. 


Gërmoni në memorien tuaj për një kujtim. Nuk do të jetë aspak e vështirë, besomëni. Shkrifëtojeni kujtimin dhe çdo grimcë të tij ngjitjani njërës prej grimcave të atij solaritetit human, që më së miri i përket mësuesve. Bën sens apo jo? Ashtu siç bën sens shumëçka në jetët tona pikërisht falë këtij misioni. Dua të them diçka pa ngurrim dhe pa humbur kohë: Ju faleminderit, mësuesit e mi!


(Irvi Çela, klasa: XI-1, shkolla: Ernest Koliqi)


14,554 Lexime
5 vjet më parë