Shkrimtari i ri

Ermal Lala, fituesi i “Fondit të Krijimtarisë Letrare për të Rinj 2024”, për romanin “Purple 2”, që do të botohet nga ALBAS

Autori Ermal Lala është një ndër fituesit e “Fondit të Krijimtarisë Letrare për të Rinj” i shpallur nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit për vitin 2024. Së shpejti do të vij i botuar nga ALBAS romani i tij i titulluar “Purple 2”.

Fondi i Krijimtarisë Letrare për të Rinj, çdo vit, u jep mundësinë 3 autorëve të rinj të botojnë veprat e tyre të para. 


Bashkë me shkrimtarin Ylljet Aliçka, Bashkim Hoxha, shkrimtarë të rinj dhe nxënës të gjimnazit “Petro Nini Luarasi” në ambientet e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, u ndanë vlerësimet për fituesit e këtij viti. Juria e kryesuar nga Dom Gjergj Meta dhe anëtarë Blendi Salaj e Brajan Sukaj vlerësoi mes 9 dorëshkrimeve edhe veprën e autorit të ri Ermal Lala për romanin “Purple 2” me motivacionin: “Për  rrjedhshmërinë e një rrëfimi që përfshin problematika shoqërore të brezit të ri”. Shumë shpejt romani do të vij i botuar nga Shtëpia Botuese Albas. 

“Për herë të parë nuk kam fjalë për këtë vlerësim. Faleminderit Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, shtëpisë botuese ALBAS dhe anëtarëve të jurisë për vlerësimin Dom Gjergj Meta, Blendi Salaj dhe Brajan Sukaj. ‘Purple 2’ is coming soon this year!”, është shprehur kështu fituesi Ermal Lala fill pasi ka marrë këtë çmim. 


Ndërkohë dy fituesit e tjerë ishin: 


Andris Lleskai për librin me poezi “Laku i Plakut”, shtëpia botuese “Emal” me motivacionin: “Për poezi që synojnë gjetjen e shtigjeve të reja në figuracion dhe për imazhet që ndërton përmes vargjeve”.

Bujar Hoxhaj për librin me poezi “Vëllim me poezi”, shtëpia botuese “Dudaj” me motivacionin: “Për poezi që prekin tematika të ndjeshme të bashkëkohësisë dhe për një varg të ndërtuar mbi themele të letërsisë dhe kulturës botërore”.

Kaltra Tafani 

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

820 Lexime
3 javë më parë