Ese argumentuese nga Megi Ajdini: "Atdheu do të shkatërrohet në qoftë se prindët merren nëpër këmbë”- Balzak

Ese e Megi Ajdini, nxënëse në klasën e XI-3, shkolla “Ernest Koliqi”, Tiranë. Me këtë ese argumentuese ajo kishte fituar të drejtën për të vazhduar në Olimpiadën Kombëtare të letërsisë para periudhës së izolimit social. Ju ftojmë ta lexoni!

Tabloja balzakiane është vatra e vetmisë,përbuzjes, braktisjes dhe çnderimit të figurës prindërore. Materializimi i jetës humane gërryen fortesën familjare, ku flenë vlerat shoqërore. Në pallatet mbretërore kryesojnë përkëdheljet e sforcuara të fëmijëve dhe në kasolle dergjet shpërfillja brutale e tyre. Aroma e parasë deh "tragjikët e pafat" dhe shkëlqimi i së verdhës gllabëron të verbërit e përulur. Ndërveprimet sociale janë të rezervuara për paranë. Të qenit i zhveshur nga ky privilegj është humnera e jetës.  Groposesh në djerrinat e harresës, përplasesh me errësirën dhe mikpritesh nga boshllëku. Ati në rrugën e pasurimit gëzon vëmëndjen e skajshme të syve skllav dhe i njëjti at, në greminat e virtytshme i buzëqesh vetmisë. Atdheu pëson humbjen tragjike të themeleve njerëzore dhe bëhet vegël e lojës së monedhave vezulluese.


Paraja të jep gjithçka, edhe vajzat. Ky shpërfytyrim i humanitetit u shpalos para syve të vobektë të plakut Gorio. Vdekja i pëshpëriti brutalisht realitetin tragjik. E quan pa dorashka fatzi, palaço e të marrë. Mizorisht i çjerr botën vetjake iluzioniste. Babaçkoja e sheh veten si korrierin e parasë, si babanë e florinjve, si djallin pensionist e si të tepërtin e kësaj bote. Mëkatoi nën hundën e Perëndisë, se jetoi si i verbër mes së vërtetës së nuhatshme, se u kushtëzua pas dashurisë pasionante për të bijat, se e trajtoi veten si të njëjtë me një bankë fitimprurëse e se u gjunjëzua në lojën e parasë. Të bredhësh i nënshtruar nga dashuria familjare në kohën materialiste, është tragjedia mëkatare balzakiane. Trembja nga marrëzitë, turpërimet dhe mospërfilljet e bijave zemërgurta,  gdhendi zymtësinë e pandreqshme. Prindi u flijua në emër të buzëqeshjes së shtiruar, në emër të vështrimit kërkues e në emër të shpirtrave të shuar fëminorë, që shihnin te prindërit heronjtë e përjetshëm. Vdekja e atësisë së ndershme varros dritën për një shoqëri të moralshme dhe aspiratat për një atdhe me bazament stoik.


Në një shoqëri të keqndërtuar,  tragjedia e pret gjithësecilin në jetë. Shkaktar i kësaj drame të hidhur është vesi. Të eturit e parasë dhe vetësakrifikuesit e dashurisë,  vuajnë mëkatet e tyre. Të marrët pas parasë të zhytur në llumin e egoizmit,  ngecin në një jetë të rreme, kurse vetëflijuesit, duke u ushqyer me lumturinë e të tjerëve, ndodhen në prag të vdekjes të dërrmuar dhe të lënduar. Në emër të një shoqëri të virtytshme, familja nuk duhet t'i njoh as fëmijët e pashpirt përfitues dhe as prindërit e verbër përkushtues. Vatra familjare kultivon farëzën e shoqërisë. Prindi si skllav i fëmijës lind sojin e të rinjve lakmitarë e "bablokët" krijojnë robërit e tyre. Nga ky realitet i hidhur rrjedh shoqëria e përbërë nga shpirtrat e vjedhur nga paraja lakmitare dhe nga shpirtrat e vjedhur nga paraja tirane. Kjo shkelje me këmbë e familjes,  godet barbarisht humanitetin.


"Ne e duam jetën, jo ngaqë jemi bërë për të jetuar, por sepse jemi bërë për të dashur".


Kur paraja blen dashurinë, funksioni i jetës ka përfunduar. Çdo frymëmarrje e mëtejshme është në shërbim të djallit. Përbuzja e parajsës sublime shemb bukuritë humane. Vesi i shoqërisë franceze është një plagë e mbyllur, megjithatë çdo plagë lë shenjë. Mes përpëlitjeve të hidhërimit, përqeshjes së parasë, heshtjes dhe mortjes,  atëvrasësit kanë humbur arsyen e të ekzistuarit, duke i hapur rrugën realitetit të ëndërruar shoqëror. Nëpër djerrinat e aktualitetit gjen ndonjë Grande të marrë, ndonjë Gorio të dërrmuar a ndonjë karrocë bosh në varret e etërve, që tregon se lufta për të forcuar rëndësinë e dashurisë reciproke familjare, është një betejë e përjetshme, për sa kohë paraja ka kukullat e veta.


Shkatërrimi i familjes nga etja për para troket universialisht në portat aktualitetit. Zhvatja e prindërve trondit themelet e atdheut dhe buçet nevojën për të ringritur Boshtin e shoqërisë. Plaku Gorio iu përgjërua të bijave ta nxirrnin nga llumi i lotëve artificialë, por varfëria, si një figurë e përshtirë, e la të mbytej. Vdekja e gjeti të braktisur nga ngrohtësia familjare, të dërrmuar nga poshtërsia e parasë e të vetmuar mes mjerimit. Humbja e babaçkos ishte fitore për paranë, e cila arriti të shfaroste konceptin e dashurisë. Kështu sytë e verdhë të racës njerëzore, që shkelin me këmbë prindërit, do të fundosen së bashku me atdheun, duke dëshmuar se të qenit vegël e parasë,  është një vetëvrasje elegante.


Megi Ajdini, nxënëse në klasën e XI-3, shkolla “Ernest Koliqi”, Tiranë

PRILL 2020


© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

3,653 Lexime
6 muaj më parë