Krijime

Ese dhe poezi të përmbledhura nga Jonart Hadri

Më poshtë paraqiten disa ese por edhe poezi të Jonart Hadri, të cilat i ka shkruar gjatë kohës kur ka kryer shkollën e mesme. Shkrimet e tij dallojnë për mënyrën origjinale të trajtimit të temave ndërsa shërbejnë edhe si modele për nxënësit e tjerë.

 

"Gjuhës mëmë"


Të gjallës, të bukurës. të shenjtës e të lartës. 

Të madhes, sublimes, ngadhënjimtares e të moçmes. 

Të përmbiqenëshmes shqipe. Ç’lavde t'i thurësh?


S'është gjuhë, po është mëmë. Se me qumështin e saj ka nginjur që në djep gra e burra, fëmijë e pleq, fisnikë e mbretër. Gjithë brezat vijnë e i përulen me nderim fronit të saj, të gdhendur me shkronja të arta. I falen asaj që i rriti, që u mësoi të jetonin... Ajo i kundron, psherëtin e i sodit. Si nënë e dhembshur hap krahët për t'i marrë në gji. Duart e rreshkura e të thata gur, të përgjakura nga vitet, i shtrin ngadalë mbi bijtë e dashur. U derdh mbi krye frymë dashurie, frymë ndriçimi, që ata ta përlëvdojnë në shekuj të shekujve veprën e saj, të meditojnë mbi peripecitë që kaloi, hordhitë që shfarosi, të kuptojnë se nderi lahet me gjak. Vetëm kështu mund të skalitin me krenari identitetin e tyre dhe të kombit.


Unë, i pavyeri, s'kam dorë e penë ta himnoj denjësisht, as gjuhë për ta lëçitur. Por kjo dashuri, ky zell e kjo pakëz shpresë,  më mjaftojnë  që të paktën ta lartësoj me gjithë qenien, ndërgjegjen e shpirtin tim.

T'i shkruash gjuhës që belbëzove sa erdhe në jetë, mbi të gjitha,  është sfidë. Edhe pse thonë që ndjenjat e forta e të pastra shprehen lehtë, me shqipen s’është njësoj. Duhet të veshësh me kujdes veladonin e respektit, ndershmërisë, mençurisë e përulësisë,  në mënyrë që t'i afrohesh altarit të saj. Shumë e kanë lëvruar, në prozë apo vargje, por asnjë s'ka zbuluar plotësisht portretin e artë që mban. Zëri i saj është universal. 


Një retrospektivë në historinë e Shqipërisë, do të mjaftonte për të zbuluar "ç'hoqi" kjo gjuhë. Prandaj, fakti që mbijetoi, cilësohet literalisht si një mrekulli. Kur kujton se sa atdhetarë kanë flijuar gjak për të ujitur filizat e saj, çdo lloj dedikimi tjetër zhvishet nga nderimet. Mbetet si përqasje modeste për të paraqitur shqipen në arenën kombëtare e jashtë kufijve, si simbol krenarie, mishërim i forcës dhe vetëdijes së kombit.

Diku në tunelin e gjatë të vuajtjeve, principi i nderit të komunitetit, dallohej dhe ruhej akoma. U lartësua nga shqiptarët mbi eshtra martirësh dhe u shndërrua në idealin sublim, jo të një personi apo vendbanimi, po të një populli të tërë, të bashkuar në gjuhë. Prandaj dhe mbrojtja e saj është, mbi të gjitha,  simboli i dinjitetit personal i glorifikuar mbi historinë e një legjioni të madh brezash.

Megjithatë, dashuria për gjuhën, e ngjizur bashkë me ne, nuk ndërtohet mbi rrethana tokësore apo të çfarëdolloj. Ka qenë dhe do të jetë gjithmonë e rrënjosur në shpirt. Prandaj asnjë ligj natyre, asgjë e mbinatyrshme apo joracionale, nuk mund ta shuajë, përderisa është destinuar të shkrihet me unin tonë, që nga lindja, deri në pafundësi. Kjo i jep asaj karakterin e përbotshëm.

Dhe së fundmi, dua të theksoj,  se ne jemi pjesë e shpurës së atdhetarëve dhe iniciatorëve të ruajtjes së gjuhës, me vullnetin tonë të plotë. Si rrjedhojë, duke vendosur në piedestal gjuhën mëmë, nuk kryejmë një detyrë të përcaktuar nga fati, por pastrojmë ndërgjegjen kolektive prej llumit të mosmirënjohjes, atdhemohimit dhe tradhtisë. 

Prandaj dhe linguistët si Çabej, e përcaktojnë qartë:

"Gjuha është pasqyra e një kombësie dhe kulturës së saj. Shkalla e pasurisë dhe pastërtisë që përmban është treguesi i nivelit të kësaj kulture."


Shkruar më 2021 


                                   


Letër atdheut

                             


Fort të shtrenjtit atdhe, me shpresë të paepur e dashuri të ngrohtë, Sot, vendosa të të dua. 

Po, po! U zgjova me një etje të zjarrtë për të qëndruar edhe një herë në krahët e tu, në atë liman të gjerë paqeje ku dikur çapitesha me hap të ndrojtur. Sapo shqova fijezën e parë të dritës së vagëlluar përtej horizontit, m'u stis një ndjenjë e ethshme për t'u ndjerë sërish pjesë e jotja, si në kohët kur s'dija ç'ishe... kur s'dije ç'jam.

Të them të drejtën, e pazakontë nga unë të shpreh se ç'mbaj të fshehur nën tisin e papërshkueshëm të ndjesive shpirtërore, por ti, vetëm ti arrite të çjerrësh këtë mantel për t'u endur mes skutave më të thella të nënvetëdijes sime e për të  zbuluar të përtejshmen, aty ku veten, në fakt, do ta shihje më të vlerësuar e glorifikuar se kurrë, pasi për mua përfaqëson shumë më tepër se vendin ku jetoj. Si do të përkufizohej më qartë kjo dashuri, se sa trupëzimi i solemnitetit që shpërfaq ngjizja e një mozaiku të ri ndjenjash me gjenezë dhembshurinë ndaj teje, një dhembshuri që jep e s'kërkon të marrë?


 Sot, Shqipëri, vendosa të të dua. Mendova të zbraz një grusht brengash me shpresën se do të bëhesh det e t`i mërgosh ndër brigje, se do të bëhesh mal e t'i përpish në fund të dheut, se do të bëhesh pyll e t`i përhumbesh në hardhishte shqotash.

 Mendova, atdhe, se do të bëheshe një Dedal modern, e me brengat- pendë të ndërtoje flatra të reja ngazëllimi, flatra që do të të prinin drejt të ardhmes. Më kot... Ti heshte, Shqipëri! Ti vazhdon të heshtësh! Ndonëse s'të ndjej e s'të shoh dot, arrij me intuitë kristal të qartë, si biri nënën, të kundroj vuajtjet e të dëgjoj kujën e ofshamtë, që më plekset si vegim i zymtë para syve. Me zemër të gurtë e të rreshkur prej vuajtjesh, gati-gati thëngjill të shuar, të shoh tek qëndron stoike si shtatore e lashtë, tek poshtërohesh e lartësohesh në një çast të vetëm, tek përhumbesh e nxitimthi rimëkëmbesh si simbol lirie, që ngadalë humb nën gjurmët e tij. 


Arrij të shoh tek gërmon varrin tënd, atdhe. Tek vdes e fle përjetshëm. Si feniksi mistik, të shoh tek rrëzohesh e ringrihesh prej hirit tënd, për t'u venitur e ngjallur sërish, në një cikël të pafund, të përbotshëm e të zhveshur nga koha e hapësira.

Sot, Shqipëri, vendosa të të dua. (Sa të vështirë e kam!). Nëse do të më jepje sikur më të voglin motiv, do të të kisha dashur dyfish, ndonëse më dhimbsesh sa më tepër kështu siç je, me petk të arnuar e pa kurorë mbi krye.

 Si Migjeni, "përditë shoh qartë e ma qartë dhe vuej thellë e ma thelle", andaj nëse sadopak ndjen çfarë ndiej unë për ty, përpiqu të hedhësh hapa të vegjël ndryshimi. Përpiqu të shkelmosh fuqishëm këtë sistem të koklavitur, këtë hordhi cerberësh të frikshëm që të kanë mbërthyer e prangosur prej vitesh e që s'të lënë të frymosh lirisht! Përmbys elitën mizore të grykësve e pushtetarëve që po të mbajnë të lidhur nën zinxhirët e robërisë duke vrarë gjenerata! Grushto burokracinë që nën thundrat e saj, mbyt brezat e së ardhmes, atdhe! 


Godite tiraninë me një grahmë të fundit! 

Sot, Shqipëri, vendosa të të dua, sepse nesër, s'do të jem këtu. Sot, ndonëse s'jam patriot e atdhetar, rroka të të prek ty e ëndrrat e tua, të cilat jam i bindur se i tejkalojnë të miat. Sot, për herë të fundit, klitha në agoni duke shpresuar se ti më dëgjon si nëna që pret të mëkojë foshnjën, përkundër gjendjes së mjeruar në të cilën  ndodhesh.


 Sot t'u luta me lotët e Marias të më mbash këtu, në gjirin tënd, që vepra ime të mos japë fryt në vend të huaj. Sot mëmëdhe, unë mbylla kapitullin tim për t'ua hapur pasardhësve, trupat e të cilëve, porsa të vijnë në jetë, do të bien mbi dheun tënd të shenjtë e të larë me gjak. Kështu, shpresa për të të parë të shëruar e me kokën lart s'do të ronitet kurrë, sepse ti, çurga e lirisë, ke vërtetuar ndër gjenerata se s'je veç një atdhe, je ideali legjendar mbi të cilin u formësua identiteti i një kombi të tërë heronjsh!

Nuk dua të përsiatem rreth të njëjtit pellg, andaj po të jap përshëndetjen e fundit, atdhe. Duke shpresuar që kjo nuk është një përshëndetje lamtumire, mëtoj të ritakohemi sërish në një ditë ku dhimbja e plogështisë do të kthehet në lotë nostalgjie, atëherë kur dashuria për ty të mos mbetet ndjesi fiktive, por simbol i gjallë i krenarisë që gëlon në vena duke më bekuar me emrin shqiptar. 

E di dhe kam besim të hekurt se do të kthehem, do të kthehem për të të dhënë dorën të ngrihesh nga përroi i dhimbjes, për të të mjekuar plagët e shekujve, për të të kthyer ngadhënjimin që të mbulonte dikur. E di se një ditë do të lartësohesh në lavdinë që të takon, si në kohët e moçme, nga unë e bashkëkohësit e mi. 

Të parin e jo të fundit përqafim, deri kur të çmallemi sërish... 

Atdheut të etërve të mi, nga biri yt i përkorë!


(Tiranë, nëntor 2022)



Shpesh duhet ta kuptojmë një personazh, që ta duam

(Refleksione dhe interpretime mbi personazhin Medea)



"Nga tërë krijesat me shpirt e gjykim, shumë më të mjera qenkemi ne gratë."

Klithma tragjindjellëse e Medeas në këto vargje, nuk kërkon justifikim, interpretim apo mbështetje. Depërton si jehonë e gjallë për të na hedhur poshtë gjykimet hipokrite që i drejtojmë kësaj gruaje të nëmur. Të nëmur nga fati, hyjtë dhe i shoqi.


Po le të shohim ç'metamorfozë pëson jeta e Medeas: Nga mbesa e Zotit lavdiplotë të diellit, Heliosit; nga vajza e mbretit të Kolkidës, magjistarja e madhe së cilës i trembeshin të gjithë, kthehet në një lodër, në një grua fillikate e të mjerë, të cilën tani e nëpërkëmbin dhe e përbuzin. Dy janë gabimet që kryen Medea e shtyrë nga rrethanat: besimi i verbër te një mashkull i pafytyrë, egoist e mosmirënjohës dhe mënyra e hakmarrjes. Jasoni është një mishërim i shpirtligësisë, i tillë që nuk meriton të analizohet as si antagonist. Dhe çudia është që në pamje të parë, faji nuk rëndon mbi të por mbi Medean. Një vajzë e shkathët, që tundimet e rinisë e çojnë në udhë pa krye. Tërhiqet fizikisht ndaj një heroi e luftëtari tipik helen, deri në pikën sa për ta ndihmuar këtë të fundit flijon edhe familjen e saj. Jo shumë vite më pas, si shpërblim merr një syrgjynosje larg atdheut bashkë me fëmijët.


Ndaluni e shikoni se si Medea, me gjithë këto të liga që i rëndojnë mbi supe, e mban veten vetëm për hir të fëmijëve: "Për vete s'më ha malli se nisem në mërgim; por vajtoj për të ardhmen e fëmijëve." E rrënuar dhe e sfilitur, Medea e kupton se fundin e vulos vetë ajo: ose do t'i japë një shuplakë të fortë shoqërisë që po e dërrmon gjininë e saj, të ngrihet e të hakmerret për një ideal sublim; ose të mbetet përgjithnjë aty, mes katër rrugëve, derisa vdekja e zezë ta përpijë bashkë me të vegjlit e saj. E pamposhtur,  pavarësisht gjithçkaje: Medea është gruaja më e fortë që ka njohur historia, një gruaja "e hekurt". Ajo e bën zgjedhjen e saj: do t'i tregojë një civilizimi të mbytur nga pabarazia se ç'është femra. E për këtë i duhet të flijojë. Po kë të flijojë? Njomëzakët e pafajshëm që e shohin me habi, që kundrojnë se si ajo vuan, që mërziten pse ajo nuk i merr më në prehër, që dëgjojnë dadon tek u thotë të mos i dalin përpara të ëmës. Ç'dhimbje!


Edhe pse i kishte rritur me gjirin e saj, edhe pse e ndjente këtë plagë shumë herë më tepër se çdokush që e gjykon, Medea nuk mund të lejojë farën e Jasonit të lulëzojë mbi tokë.

Vdesin fëmijët, e bashkë me ta, epoka e errët e poshtërimit të grave;

Vdesin fëmijët, e bashkë me ta, shoqëria hipokrite e paragjykuese;

Theren të vegjlit e panjollosur nga mëkati, e bashkë me ta, burrat mizogjenistë që çojnë gra të tëra në humnerë.

Me hapjen e varreve të tyre, hapet një faqe e re për historinë njerëzore.

Cili është ai, që guxon të futet nën petkun dhe shpirtin e Medeas, denjon të meditojë mbi jetën e saj  dhe e damkos si "vrasëse gjakatare të pashpirt"?





Poezi

Në fillim ishte Fjala 



Në fillim ishte Fjala,

dhe Fjala ishte me Perëndinë,

dhe Fjala ishte Perëndi.


Me tropare mësuam ta nderojmë,

himne lavdesh denjuam t'i këndojmë.


Nënës që farën tonë ngjizi,

dhe me çurka dijesh e mëkoi.


Edhe Fjala ngjalli Jetën,

vdekjen kyçi n'Hadh të zi.


Drynat e hekurt mortjendjellës,

u bënë virtytet, as unë, as ti.


Udhë e lartë,

Fortesë diturie,

Frymëzim shenjtorësh!


Zbrit prej qiejsh flakërues,

rend ndër tokë, ec ndër popuj.


Që të lartët Serafime,

t'adhurueshmit Keruvime,

madhështinë e gjithë Krijimit,

që Mbreti' Botëve solli në Jetë,

drejt ta sjellësh e përshkruash.


Siç edhe je urdheruar,

prej që lartazi mbi re.


Logos-Fjalë Perëndi,

liman diturie bëhu,

kandil poetësh famëlartë,

që mes dallgëve të Jetës,

të ndriçosh...

të parëformuarin njeri.


Edhe Fjala u bë Mish, e banoi ndër ne.


dhe ne soditëm lavdinë e tij, 

si lavdia e të vetëm lindurit prej Atit, 

plot hir e të vërtetë.



 ‘’Pluhur mbi Pasqyrat e Narçizit’’ - në përkujtim të 120 vjetorit të lindjes së Ernest Koliqit

 


‘’Dashunova prrallën e Narçizit me të tânë hovin e gjakut t’im prandveruer. E gjithëkund e gjithëkah kërkojshem pasqyra ku m’u pasqyrue. Narçiz e quejta veten ndër ditët e rinis së parë, tue mos parandie asokohe sa trishtim mâ vonë do të më shkaktonte ky emën luluer.’’

 

Me këto fjali hapet proza filozofike ‘’Ujët e pusit’’, si pararendje e gjithë reflektimeve e meditimeve personale të një prej korifenjve më të ndritur të letërsisë shqipe, Ernest Koliqit. Kur flitet për trashëgiminë e tij, ajo çka vlen të rrënjoset thellë në memorie është gjurma që la ky autor në themelimin e një legjioni të lavdishëm shkrimtarësh, të cilët lëvruan ndjesi të reja në të shprehurit shqip, duke ecur në të njëjtat hapa. Mjeshtëria artistike, përmes së cilës ravijëzohen motivet që ai shpërfaqi si dashuria, atdhepërkushtimi, mirënjohja, shpresa,  qëndron në kompozicionin perfekt,  mbi të cilin vepra dhe jeta e tij ndërlidhen në harmoni të plotë.


E megjithatë, përpos gjenialitetit që shpërfaq karakteri i tij letrar, ekziston një kompozitë shëmbëllimesh, mbi të cilën ndërtohen shumë silueta të tjera të personalitetit të këtij poeti, silueta të cilat me apo pa qëllim, janë mbuluar nga pesha e pluhurit për 12 dekada. I njëjti pluhur është epur të mbulojë me tis të kobshëm harrese edhe veprën dhe kontributin e papërshkrueshëm të Koliqit në fushat ku punoi me zell. 


Por, a ia doli dot?


Përgjigjen në fakt, ndonëse mëtojmë ta gjejmë ndër rreshta librash e pirgje pergamenash, mjafton ta dallojmë vetëm duke hedhur sytë përreth. Më tepër sesa një grumbull shkrimesh, ky autor sakrifikoi vitet më të rëndësishme të karrierës për të lënë pas histori të prekshme, përvoja dhe eksperienca,  që duhet të lartësoheshin mbi piedestale. E për ironi të fatit, ajo çka mori si shpërblim, përkundër mirënjohjes së merituar, ishin një grusht përbaltjesh të paskrupullta mbi figurën e tij intelektuale, apo më mirë të thuhet, një shtresë pluhuri mbi pasqyrat që i adhuroi aq shumë. Qëllimin e nëntekstin e Koliqit arritën ta rrokin vetëm ata që para se t’i hidhnin sytë nga propaganda, i çuan së pari në ndjekje të së vërtetës, të po asaj të vërtete,  e cila mistershëm trupëzohet mbi libra, institucione e katedra,  që ngërthejnë magjishëm çdo përçapje të tij drejt ‘’së mirës së epërme’’.


 Nocionin e po këtij ideali sublim, vetë poeti e shpreh kur thotë: ‘’T’rrëzuemin due ta çoj nga balta, due m’u ngjit m’i maje t’nalta me shtegtar qi kërkojnë dritën…’’


“Pasqyrat e Narçizit’’ tashmë e kanë humbur shkëlqimin e dikurshëm. E për këtë çështje, sa më pak flitet, aq më tepër zhytet në harresë. Koliqi nuk është narratori që struket për t’u shmangur nga personazhi. Ai, siç citon dhe vetë, është Narçizi: Narçizi në mërgim, Narçizi në Ministrinë e Arsimit, Narçizi në Institutin e Studimeve Shqiptare, Narçizi në prozë, poezi e publicistikë. Kudo i njëjti Narçiz, vetëm se jo i paraqitur me komplekse superioriteti e egocentrizëm të sëmure, ashtu siç jemi mësuar ta shohim këtë personazh. Si shëmbëllim i Koliqit, Narçizi shndërrohet në konceptin metafizik të supernjeriut,  mbi të cilin ngrihen dilema konfliktuale me karakter të përbotshëm e motive idilike. Në këtë aureolë, Koliqi-Narçiz mbetet në të njëjtën kohë heroi i vetes dhe i botës, e  akoma më tepër, pa nuanca hiperbolike,  por me një sinqeritet që buron nga depërtimi në labirintet e veprës së tij, heroi i Shqipërisë.


Çka më bën krenar të studioj në një shkollë që mban emrin e Ernest Koliqit, nuk është thjesht fasada e lavdeve që i blatohet autorëve me kontribut në gjuhën shqipe. Ndihem me fat,  për shkakun e vetëm që mes shumë të rinjve, pata fatin të prek nga afër një relike të gjallë,  që mban copëza të vogla nga shpirti letrar e fryma atdhedashëse e një personaliteti të shquar, kompleksitetin artistik të të cilit, nuk arritën ta shpërfaqin librat, por përjetimet.


Sot, jehona e Koliqit ndihet e gjallë në konferenca, simpoziume, referate  e fjalime që mbahen në emër të tij, në çdo shkollë,  në çdo foltore, në shumë novela e po aq në poezi. Buçet prej thellësisë së shqipes si për të na rikujtuar t’i pastrojmë pluhurin që e ka mbytur prej vitesh. E kjo përgjegjësi sot, më shumë se kurrë, ka ardhur koha t’u përkasë të gjithëve. Ernest Koliqi jetoi dhe u shua si kandil për atdheun. U përpoq t’i jepte një trajtë të re letërsisë shqipe larg ndikimit të ideologjive politike.


Ajo çka mbetet… është histori.


20 maj, 2023





‘’Romantizmi shqiptar e ka të huaj dukurinë e pikëllimit botëror.“

 (Argumento përmes ngjarjeve dhe ideve që përcjell poema e Milosaos.) 



Përgjatë kalibrit penëndritur të veprave letrare, sidomos në periudhën e romantizmit, njihemi me portrete heronjsh, ndjenjat e të cilëve u shpërfaqën në sfera të ndryshme. Ashtu të qashtra e të pastra, këto ndjesi, në thelb tropare plogështimi, nuk mbetën si përsiatje emotive të egos personale, por u glorifikuan në simbolin e përbotshëm romantik, që himnon të bukurën.


Kështu, pasi u ngjiz në unin e artdashësve europiane, kjo rrymë, apo më mirë të themi, ky revolucion, hodhi rrënjë edhe në Shqipëri. 


Po kush ishin heronjtë tanë? Karaktere që vajtojnë dëshpërimisht fatin e tyre? Të humbur që lëngojnë nga dhimbja? Mërgimtarë të zhgënjyer dhe princër aventurierë? 


Nuk do të thosha kështu. Protagonistët e romantizmit shqiptar në veprat e De Radës, Pashko Vasës, Naimit, Mjedës e Çajupit, nuk stepen nga lëndimi, as përpiqen "të arratisen". Përkundrazi, saga e personazheve të shek.XIX, mëtoi të lartësonte motive dhe ideale sublime, pikësynim i cili për bashkëkohësit europianë, nuk shprehte ndonjë rëndësi fort të madhe, për sa kohë ata i mëshonin shprehjes estetikisht të pështjellimeve emocionale dhe jo zgjidhjes së tyre. Ky qëllim i romantikut shqiptar, s'mund të arrihej ndryshe, veçse me përpjekje për të rrokur atë metamorfozë shpirtërore, e cila kthen zhgënjimin në shpresë, dhimbjen në forcë jete...  


Nëse për Gëten apo Bajronin ky ekspresivitet pasqyrohet nëpërmjet të himnuarit e natyrës, largimit nga atdheu apo arratisjes në dimensione e kohë të tjera, për De Radën me shokë, ajo shpaloset përmes një kontrasti tepër të furishëm: përballë vënies së dhimbjes njerëzore me rendjen pas lumturisë. 

Pa dyshim, duke u ndikuar edhe nga fryma atdhetare e kohës, heroi Milosao, e vendos mozaikun e melankolisë në një plan të dytë, duke u vetëflijuar për tokën mëmë, siç thotë edhe në poemë: "Domosdo, të vdekur ne mbi shtrat do të shtrihemi, në mos duke bërë luftë përpara shtëpive tona!".


A do të themi pra, se heroin nuk e shqetësonin mendime të errëta? Që nuk dashuronte dhe ai një vashë?

 Patjetër që jo, madje Milosao u kthye në vizionarin e parë që na njohu me idealin demokratik, përpos atij filozofik: luftës ndaj pabarazisë, paragjykimeve dhe mentalitetit regresiv. Prandaj dhe figura komplekse e romantikëve shqiptarë duhet vendosur në piedestal. Jo sepse arritën të rroknin të pamundurën, por sepse zotëruan forcën që të shndërronin ndjenjat, duke mbetur  gjithmonë predikues të romantizmit. 

E njëjta natyrë ku po zhvilloheshin beteja të përgjakshme e ku dergjeshin lipsane martirësh, për Milosaon ishte vetë Parajsa  me kopshtet e saj mbresëlënëse, me "vreshtat verdhullore e yjet pranë së bardhës hënë". Parajsa ku Milosao gjeti dashurinë e jetës, ku dëgjoi belbëzimet e birit të shtrenjtë, ku dëfrente hareshëm me njerëzit e zemrës. Parajsa ku flijonte lëngatat për t'u mbushur me frymë jete. Parajsës qe s'i largohej,  por i gëzohej aty,  ku "ulet por s'do të flejë". 


Vëzhguar si një parabolë, kjo poemë i ngjason edhe shëmbëlltyrave biblike, tipar të cilin jo pak romantikë shqiptarë e përdorën në veprat e tyre. Duke filluar me vetë fshatin baritor e jetën në të, të ngjashëm me mjediset e Judesë, duke vazhduar me tragjedinë personale të largimit nga atdheu (Jona, Ruthi e profetë të tjerë), me tragjedinë kombëtare të luftërave, qëllimin e Milosaos për të shenjtëruar fshatrat, vatrat e fiset duke i bashkuar e deri në motivin final: rendjen drejt Shqipërisë së lirë, atë të cilën folklori shqiptar e sheh si "Tokën e premtuar", e cila mbrohej vetëm me gjak. 


Kështu, poemat romantike shqiptare janë poemat e jetës! Në to pleksen ndenja të forta e komplekse, të cilat, nën petkun e dashurisë, lumturisë, lirisë dhe shpresës, arritën të perifrazonin frymën romantike në një rrafsh të ri: atë që i këndon mbrothësisë e dashurisë përmes alegorisë së jetës njerëzore.



Shkroi Jonart Hadri

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

802 Lexime
1 vit më parë