Ese filozofike në kuadër të shtetit të së drejtës
Ese filozofike tepër domethënëse nga mësuesja e shkencave sociale Elona Sulovari, nga shkolla e mesme e bashkuar "Astrit Hyka", Kutalli.
ESE
NË VEND TË HYRJES
Mirë se vini në botën e dijes!
Në botën e sofistëve dhe skeptikëve!
Në botën e Sokratit që dinte se nuk dinte asgjë!
Mirë se vini në shpellën e Platonit dhe alegorinë e saj, në qytetin ideal të tij.
Mirë se vini në “agorat”e ditëve të sotme ku shiten e blihen vlerat morale.
Mirë se vini në obskurantizmin në të cilin është zhytur shteti i së drejtës.
Mire se vini në luftën e të gjithëve kundër të gjithëve ku ende veprohet në bazë të të drejtave natyrore.
Mirë se vini në shtetin liberal që dhe vetë Xhon Loku do ta kishte zili.
Aty ku pushtetet s’ndahen nga njëri-tjetri derisa të arrijnë despotizmin.
Mire se vini në shtetin ligjor që lind dhe vdes në kufijtë e imagjinatës.
Aty ku të drejtat janë marrë peng nga ‘’Leviathani;
Ku gënjeshtra është ulur këmbëkryq me individët.
Ku dija ka humbur shkëlqimin e saj sepse ai që paguhet më tepër është i padituri.
Ku flitet për filozofi dhe retorikë po për çudi jo nga filozofët.
Doni të dini më shumë?
Na ndiqni në udhëtimin tonë…
Të premtojmë udhëtim në kohë…Vendmbërritja kurrë si dihet…!
ESE
UDHËTIM NË ANTIKITET
Në qoftë se do të më duhej të zgjidhja mes tre kohëve: të tashmes, të shkuarës dhe të ardhmes pa hezituar do të zgjidhja të shkuarën.
Gjithmonë më ka tunduar ideja për një udhëtim të tillë, vendosa që ta ndaja me ju pasi ndryshe s’do të kish të njëjtin kuptim.
Studimi i filozofisë ndër vite më ka bërë që të më shtohen shumë pikëpyetjet (besoj se si të gjitha shkencat e tjera).
Ajo që duhet ta shoqërojë njeriun gjatë gjithë jetës duhet të jetë kureshtja nuk ka shoqe më të mirë se kjo e fundit.
Dëshira për dijen dhe zgjerimin e saj më lidh pazgjidhshmërisht me një emër SOKRATI (469-399 p.e.s).
Filozof skeptik i antikitetit dialektikës së të cilit s’do t’i shtoja dhe as t’i hiqja as një presje.
Mendimet e tij mbi vlerat morale dhe respektin ndaj ligjit do të doja t’i gdhendja sot mbi ju, të formoja me to një Sokrat të kohëve moderne.
A gjendet sot një individ që jep edhe jetën vetëm për të respektuar parimet morale dhe vlerën e ligjit? (Duke e ditur që është i pafajshëm)?
Ligjet janë babai dhe nëna ime (Sokrati).
Rëndësia dhe respekti që ne u japim i bëjnë ato më të fortë.
Po ju çfarë mendoni për rolin dhe vendin që zë ligji në shoqërinë e sotme?
Çfarë bëni ju për mbarëvajtjen e shtetit ligjor?
A keni dhënë ndonjëherë kontributin që shteti i së drejtës të funksionojë siç duhet?
A e keni ndier ndonjëherë veten pjesë të kontratës sociale?
Reflektoni! Kthehuni pas në kohë, veprime dhe opinione.
Mundohuni të shqyrtoni vazhdimisht vetveten.
Që një shtet të funksionojë siç duhet ka nevojë për qytetarë aktivë e të devotshëm.
Për vlera morale e ligjore.
Le të marrim shembull nga antikiteti dhe të zbulojmë brenda vetes virtytet tona.
Të mësojmë mos t’u bëjmë të tjerëve atë që nuk do të donim të na e bënin ata neve.
Të bëhemi nga pak ‘’Sokrat”.
Nga Elona Sulovari
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
S’të vranë ty…
“Manushaqja”, tregim nga Iriana Papamihali
“Manushaqja”, tregim nga Iriana Papamihali