ESE

Ese/ Nënvlerësimi që i bëhet natyrës dhe mjedisit tonë

Model eseje për çështje të mjedisit që u vjen në ndihmë nxënësve ose studentëve. Shkroi Xhoana Jaku.

Kush është e keqja më e madhe? Normalizimi i shkaqeve. Lajmet mbi përkeqësimin e kushteve atmosferike e mjedisore pulsojnë çdo ditë në portale dhe televizion. E megjithatë, një sy mbyllet, një vesh bëhet shurdh, flitet pak nëpër kafene, pak sa kohë nuk ndërmerren hapa veprues. Kur pyjet digjen, ndërrohet kanal. Kur kafshët shfaqen të ngordhura apo në rrezik zhdukje, të nesërmen zëvendësohen me diçka më pak të dhimbshme, me modë ose politikat për shtimin e digave rrëzë lumenjve. Njerëzit janë të ngopur e të lodhur nga lajmet negative mbi kohën dhe mjedisin. Po natyra, a është e ngopur nga neglizhenca njerëzore? 


Shenjat janë të dukshme, që nga prania e frikshme e plastikës në dete dhe liqene, gjer në transformimet e tokës, ndotja e ajrit, dhe niveleve të papastërtive. Nëse sot jemi të pasigurt mbi ushqimet konsumatore, me kohën siguria toksike do të shtohet, pasi toka po kthehet në toksike. Shkrirja e akullnajave vjen si fenomen i largët. Sidoqoftë, duhet të kujtojmë se viruset e kanë origjinën nga ndryshimet klimatike. Sa kohë njeriu është i varur nga kushtet e jashtme, atëherë respekti duhet të jetë rigoroz, dypalësh dhe i vazhdueshëm, larg politikave të varfra, e të pamjaftueshme. 


Si njerëz, faktet i harrojmë apo i nënvlerësojmë? Plastika merr deri në katërqind vite të dekompozohet plotësisht. UNICEF lajmëronte shifra të frikshme në 2017, ku 258 000 njerëz në Afrikë vdiqën si rezultat i ndotjes së ajrit. E nëse Afrika është larg, le të kujtohemi për shifrat e Organizatës Botërore të Shëndetësi, ku kemi 4.2 milion vdekje çdo vit vetëm nga ndotja e ajrit. Lajme kaq të hidhura shkaktojnë demotivim për të ardhmen, i tmerrojnë fëmijët, kur të rriturit manifestojnë politika të varfra në rikuperimin mjedisor. Pa dyshim, me këtë ritëm, e ardhmja do shndërrohet në përpjekjet e njeriut për të krijuar kushtet e mbajtjes së natyrës, se pa natyrën ne do jemi të humbur. 


A do munden brezat e ardhshëm të nënvlerësojnë me të njëjtin ritëm që bëhet sot nga shumë politika botërore? Sa frikshëm pikturohet e ardhmja e Tokës nisur nga statistikat që lexojmë dita-ditës!? A po punojnë shtetet në uljen e ngrohjes Globale? 


Vala e Pandemisë qëndron si paralajmërim për veprimet e mëtejshme. Çfarë do të kishte ndodhur ndryshe nëse cilësia e ajrit do të ishte normale? Me gjasë, virusi në Kinë nuk do kishte fituar shtrirje kaq të lartë, nëse kushtet do kishin qenë të duhurat. Smogu dhe papastërtitë përshpejtojnë përkeqësimin e shëndetit të njeriut, edhe tek individët në dukje më të shëndetshëm. Në këto kushte, njerëzimi duhet të mësojë e të sensibilizohet nga kërcënimet e pasojave të tij. Viruset janë të përsëritura, koha dhe historia ka treguar shembuj të frikshëm e të mjaftueshëm për zgjimin e çdo njeri anembanë. Koha e neglizhimeve duhet të përfundojë. 


Kush mund ta shpëtojë tokën sot që flasim? Sa në ndihmë vijnë zhvillimet novatore të shkencës? Pyetje, organizata dhe aktivistë ka plot. Sa ndihmojnë? Kur politikat përzihen me lakminë ekonomike, zhvillohen luftëra e fatkeqësi që luajnë drejtpërdrejtë me fatin e tokës. Lakmitë ndryshojnë kursin e së gjallës. Kështu, pak organizata fitimprurëse interesohen për biodiversitet e pakësuara, kafshët në rrezik zhdukje, erozionet dhe ndotjet toksike... Kur sytë drejtohen nga shkenca, atëherë na mbetët të shpresojmë se diçka dikur do bëhet, por jo shumë vonë, duhet tani sa kemi kohë. 


Njerëzimi po i mëson Tokës të tymosë mushkëritë me djegiet e pyjeve në Amazonë, apo gjetkë në pyjet e Australisë. Njerëzimi po i dhuron deteve plastikë, me kusht që të mos i marrë sërish mbrapsht. Shkencëtarja aktiviste Rachel Carson deklaronte me bujë se: “Më shumë se kurrë më parë, raca njerëzore është sfiduar që të tregojë aftësitë e saj jo duke u marrë me natyrën, por me veten tonë.” Nëse njerëzit fillojnë të merren me pasojat e veprimeve të tyre, pa mbyllur sytë dhe veshët, duke qëndruar vigjilent e të gatshëm, atëherë kursi i ngjarjeve mund të ndryshojë në favor të mjedisit, ç’ka është një e mirë e përbashkët. Fundja, sa e vështirë mund të jetë për racën njerëzore përmirësimi i mjedisit këtu në Tokë, kur po punohet me projekte të mëdha kozmike në Hënë dhe Mars?! 




Shkroi: Xhoana Jaku

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

298 Lexime
3 javë më parë