Reflektim

Evans Drishti: Çdo mësimdhënës shkruan një histori...

Dëshironi të ngeleni thjesht dhe vetëm një mësimdhënës/se i heshtur duke kapërcyer vitet pa u ndjerë fare apo “heroi” i shumëpritur për brezat që vijnë duke ndërtuar dhe shkruar historinë tuaj dhe të tjerëve “ndryshe” dhe “admiruese”?...

Që në momentin e parë të takimit ndjeu në lloj ndrydhjeje në vetvete, haste vështirësi edhe në të kapërdirë, pasi një emocion i fortë e kishte mbërthyer tërë trupin. Kishin kaluar shumë vite që s’e shihte mësuesin e tij dhe një mëdyshje e mbante si në hezitim se si do kuptohej dhe si do pranohej pas kaq shumë kohësh. 

Mësimdhënësi s’e pati të vështirë ta njihte, jo vetëm thjesht nga buzëqeshja e tij e spikatur, por edhe natyra e tij plot energji rrezatuese dhe flakëruese. Një eksperiencë e gjatë në fushën e mësimdhënies e kishte bërë të njihte më së miri psikologjinë e çdo nxënësi. Me punën e tij, me angazhimin e vazhdueshëm, me ngrohtësinë shpirtërore që dhuronte çdo natyre, por mbi të gjitha me dijen gjithëpërfshirëse dhe me horizontin e gjerë që kishte shfaqur dhe shfaqte pa ndërprerje kishte fituar lehtësisht zemrat dhe mendjen e të gjithë nxënësve, pa përjashtim.

Ishte i veçantë takimi me të, pasi çdo fjalë dhe frazë e tij mbeteshin të spikatura, ashtu sikurse kishte ndodhur edhe përherë. Kishte ngelur i befasuar pasi çdo batutë e kohës ishte shtruar me ngjyrime të arta në rrugëtimin e tyre.

Nxënësi kujtonte me plot endje frazat e mrekullueshme dhe plot virtualitet të mësimdhënësit që ai vetë i kishte hasur në jetën e tij passhkollore dhe që kishin përbërë padyshim boshte të vyera të rrugëtimit njerëzor. Kishte mësuar dhe kuptuar “të mos ishte armik i vetes”, “ta kuptonte tjetrin mu në bebëz të syrit”, “të reflektonte urtësi dhe maturi ndaj tjetrit” pavarësisht se një gjë të tillë s’mund ta gjente përherë tek bashkëbiseduesit, “t’i dilte për zot prejardhjes dhe trashëgimisë familjare dhe farefisnore”…, por mbi të gjitha ishte ndërgjegjësuar tashmë “të mos paragjykonte” dhe “të studionte” diçka më shumë se ç’ofronte vetë profesioni apo zanati. 

Për vite të tëra të rrugëtimit jetësor të tij, s’e kishte shkarë asnjëherë nga memoria e vet imazhin e mësimdhënësit të tij, që për hir të së vërtetës nuk ishte as mësuesi i klasës së parë që tradicionalisht ishin mësuar njerëzit të kujtonin. Kishte sjellë përherë në kujtesë sjelljet dhe reagimet e atij mësimdhënësi, natyrën e tij dinamike, këmbënguljen për ta nxitur nxënësit të jepte diçka më shumë nga ç’pandehte vetë nxënësi se mund të jepte, dijen dhe kulturën e tij e pakufizueshme vetëm në konturet e vetë lëndës që jepte… 

Mësimdhënësi për të ishte bërë simbolika e vetë jetës, pasi qoftë edhe një herë të vetme s’e kishte dëgjuar atë të sillej ashpër ndaj tij apo të tjerëve, pavarësisht vlerësimeve pozitive apo negative, një herë të vetme s’e kishte parë të vinte i papërgatitur në një orë mësimore, përkundrazi përherë e kujtonte një natyrë rigoroze, të mprehtë në mendime dhe gjykime, i arsyetueshëm dhe plot sarkazma qetë mbanin shpirtin gjallë, studios dhe kërkues, një individ që përherë sillte risi dhe lidhje të shumta të lëndës që jepte me të tjera lëndë dhe fusha të jetës… 

Ky imazh e kishte përcjellë për vite me radhë, pasi për të, ai mësimdhënës kishte shkruar një histori, historinë e jetës së tij… 



Ju që ndërtoni histori jete… 


Të jeni në fshat apo në qytet, në një zonë malore apo fushore, ç’rëndësi ka? Çdo mësimdhënës që në momentin kur hedh hapin jetik në mësimdhënie nuk është thjesht dhe vetëm një “mësimdhënës”, përkundrazi është dhe mbetet një figurë jetike që padyshim përbën një histori jo vetëm në shkrimin e historisë së institucionit ku punon dhe angazhohet, por edhe për çdo nxënës dhe familje ku ai ofron shërbimin e tij apo të saj… 

S’dëshiroj të besoj se ka akoma sot mësimdhënës që dëshirojnë të ngelen në kujtesën jetësore të fëmijës si: 

  • Mësuesi që s’di të ofrojë qoftë edhe një buzëqeshje të sinqertë.
  • Mësuesi që tregohet i ashpër në komunikim me fëmijën e çfarëdo moshe qoftë. 
  • Mësuesi që s’mban një qëndrim të rregullt dhe paqësor qoftë në laboratorin edukativ apo edhe në ambiente të ndryshme të institucionit arsimor. 
  • Mësuesi që s’di të shprehë qartë një mendim apo gjykim, qoftë për temën e ditës apo edhe për tematika të tjera. 
  • Mësuesi që s’merr erë nga aktualiteti. 
  • Mësuesi që qëndron tërë kohën i preokupuar pas celularit dhe jo pas fëmijës. 
  • Mësuesi që ironizon çdo këndvështrim që mund të jetë i ndryshëm nga pikëpamja e vet. 
  • Mësuesi që s’di t’u japë përgjigje pyetjeve të nxënësve, qofshin ato edhe më të thjeshta.
  • Mësuesi që pandeh se di të shpjegojë, por që në të vërtetë flet pa baza dhe bëhet i bezdisshëm për nxënësit. 
  • Mësuesi që më shumë bërtet se sa ofron një klimë të pastër dhe paqësore.



Çdo mësimdhënie kërkon një studim të mirëfilltë


Shumëkush e kujton filmin shqiptar “Shoku ynë Tili” dhe figurat e dy personazheve qendror të tij “mësuesen” e palodhur dhe “nxënësin” hiperaktiv. 


Pavarësisht koncepteve të kohës, mbetet në kujtesë impenjimi serioz dhe vizioni aspirues i figurës së mësimdhënëses, jo për t’u bërë një “heroinë”, por për të depërtuar në mendjen dhe shpirtin e një fëmije “të pagdhendur” sipas disave, duke e kthyer atë në simbolin e një jete që kërkon të lërë gjurmë në rrugëtimin e vet. Dhe kjo, vetëm për shkak të pasionit dhe dashurisë që kishte ndaj profesionit që ushtronte.


Në realitetin e sotëm mësimdhënësi e ka për obligim të mos ngelet i kufizuar në hapësirat që ofron “ditari i ditës”, por të hulumtojë dhe studiojë shumë më tepër duke bërë kërkime të ndryshme dhe të larmishme jo vetëm për lëndën që jep, por edhe për fusha të tjera të jetës. 


Kështu mbetet një domosdoshmëri: 

  • Studimi i detajuar dhe rinovim i njohurive në lëndën përkatëse. 
  • Kërkimi dhe hulumtimi në lidhjet dhe raportet e lëndës me lëndët e tjera. 
  • Leximi i sa më shumë shkrimeve të ndryshme që kanë të bëjnë më fushën ku vepron. 
  • Vëzhgimi dhe ndjekja nga afër e aktualitetit që ka të bëjë jo vetëm me fushën përkatëse, por edhe me fushat e tjera të jetës. 
  • Njohja sa më e detajuar e “dispozitave normative” si një çelës bazik në mësimdhënie dhe fushën e edukimit. 
  • Pasurimi i bibliotekës, qoftë individuale apo edhe institucionale,me literatura të ndryshme dhe gjithëpërfshirëse. 
  • Studimi dhe hulumtimi në lëmin e psikologjisë për të depërtuar akoma më shumë në botën e fëmijës në mënyrë që edhe puna edukative të bëhet akoma më produktive dhe frytdhënëse. 
  • Zhvillimi i strategjive afatshkurtra dhe afatgjata për një proces mësimdhënieje sa më efikas. 
  • Të qenurit aktual, koherent dhe logjik në aspiratat përkatëse. 
  • Të lexuarit e sa më shumë librave duke mbajtur shënime përkatëse dhe ofrimi si alternativa mjaft dobiprurëse dhe jetike për brezin e ri. 


Padiskutim që një mësimdhënës i kësaj kategorie do ngelet në memorien e çdo natyre nxënësi duke lënë gjurmë të thella dhe të pashlyeshme në jetën dhe historinë e secilit prej tyre. Pasi mësimdhënësi profesionist: 

  • E njeh shumë mirë lëndën përkatëse dhe fushat e tjera. 
  • Njeh shumë mirë dispozitat normative si legjislacioni bazik arsimor. 
  • Kupton mjaft mirë natyrën dhe karakterin e fëmijës. 
  • Depërton lehtësisht në mendjen dhe shpirtin e fëmijës duke plotësuar pritshmëritë përkatëse. 
  • Di të përdorë mjaft mirë gjuhën shqipe dhe shprehjet frazeologjike duke goditur dukshëm në memorien e brezit të ri .
  • Komunikon lirisht dhe pa mëdyshje me logjikën e fëmijës. 
  • Sjell risi të vazhdueshme. 
  • Di të jetë elastik në krijimin e shumë situatave ashtu sikurse edhe në zgjidhjen e shumë ngërçeve. 
  • Është një menaxhues i shkëlqyer në realizmin e shumë projekteve që zhvillojnë horizonte të reja në mendjen e brezit tëri…. 
  • Mbi të gjitha, vlerëson çdo aftësi dhe potencial të fëmijës, pavarësisht vlerësimeve përkatëse, duke e bindur atë se është dhe mbetet “një diamant” që duhet zotëruar. 

Dëshironi të ngeleni thjesht dhe vetëm një mësimdhënës/se i heshtur duke kapërcyer vitet pa u ndjerë fare apo “heroi” i shumëpritur për brezat që vijnë duke ndërtuar dhe shkruar historinë tuaj dhe të tjerëve “ndryshe”  dhe “admiruese”?...



Nga Evans Drishti 


©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,020 Lexime
2 vjet më parë