Fotografët e shpendëve

Fauna e mrekullueshme në Liqenin e Shkodrës e fotografuar nga “Wild Europe”

Fauna e liqenit është e shumëllojshme dhe e pasur me 270 lloje shpendësh. Këto shpendë përbëjnë 87% të gjithë Ornitofaunës të Shqipërisë. Le të njihemi me disa prej tyre të fiksuara nga lentet e grupit të veçantë të fotografëve “Wild Europe”.

Ka gjuetarë të përditshëm të jetës. Kush gjuan lekë, kush gjuan ushqim të mirë, kush muzikë të mirë, kush dashuri e kush urrejtje. Jo domosdoshmërish në këtë radhë, e jo domosdoshmërish vetëm në këto shenja. Në Shkodër, është krijuar një emblemë fotografësh të shpendëve që janë pagëzuar me emrin Wild Europe.  


Çdo javë, grupit të pasionantëve të faunës dhe botës së egër, i mblidhen siç i mblidhen bletët mjaltit, fotografë me zemër të butë nga e gjithë Shqipëria, Kosova dhe Ballkani. 

Kam vëmendje dhe ngazëllim për të gjithë ata që ndjekin pasionet në këto kohë të vështira dhe surreale, kur lufta me jetën dhe ringritja për t’i kthyer gjërat në normalitet, duhet të kalojë nëpër mure të larta, kapërcimi i të cilave kërkon vullnet të madh dhe solidaritet spartan. Pa kthim. 

Fotografët e botës së egër vijnë nga fusha të ndryshme profesionesh, pedagogë, mjekë, ekonomistë. Porse, liqeni i Shkodrës, u ka dhënë të gjithëve zanafillën e frymëzimit që shpendët të fotografohen, të emërtohen, të katalogohen dhe të përcillen në fotografi mahnitëse që e dorëzojnë njeriun përpara natyrës dhe krijimeve të saj.


Jetmir Troshani, Ridvan Sokoli, Denik Ulqini, Ilir Hebovija e shumë të tjerë bashkë me ta, mundësojnë që me këto fotografi të shpendëve të ujit dhe jo vetëm, të dallohet syri rrumbullak e vëzhgues i pelikanit dhe krahët e mrekullueshëm ngjyrë kafe të tij, apo dhe fustanella e çafkës së verdhë, si më pëlqen ta quaj.  

Fauna e liqenit është e shumëllojshme dhe e pasur me 270 lloje shpendësh. Këto shpendë përbëjnë 87% të gjithë Ornitofaunës të Shqipërisë. Pika më e thellë e liqenit është rreth 45 metra, jo shumë më e thellë se qetësia që të jep qenësia pranë tij. 


Mënjanë fotografisë, njerëzisë, harmonisë, dëshirës për vëzhgim, syrit të stërvitur për të dalluar të bukurat e kësaj bote, vizitorët e këtij grupi kur bëra pjesë edhe unë, miklohen me një vlerë të shtuar për vendin, për njerëzit që na shërbejnë… Siç ishte Dritani, i sprovuar në lëvizjet në varkë edhe në kohë të shprishur, por që ne na e rregulloi ditën me një fluturim lundrimi në ujërat e liqenit fort të dashtun të Shkodrës.

Nga Arlinda Çausholli 



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.  

864 Lexime
6 muaj më parë