Rëndësia e lojës

Fëmijë, lini tabletat e dilni në lagje për të luajtur!

Interneti është i hapur për të gjithë, por pakujdesia jonë po i ҫon fëmijët drejt rrugëve të gabuara dhe modelit më të keq. Ata po rriten para kohe duke mos i provuar kënaqësitë e lojës me bashkëmoshatarët e tyre.

Larg fëmijët nga telefonat, tabletat e interneti, fëmijët e formojnë personalitetin duke luajtur me shokët në oborr, lagje, rrugë.


Zhvillimi i teknologjisë po na merr kohën më të rëndësishme. Nuk na lë të flasim, luajmë e diskutojmë me fëmijët tanë. Ajo që është më shqetësuese është që edhe fëmijët nuk po i  heqin dore këto teknologji. Interneti është i hapur për të gjithë, por pakujdesia jonë po i ҫon fëmijët drejt rrugëve të gabuara dhe modelit më të keq. Ata po rriten para kohe duke mos i provuar kënaqësitë e lojës me bashkëmoshatarët e tyre. Informacioni që marrin nga interneti mund të jetë shumë i dëmshëm.


Fëmijë, lini tabletat e dilni në lagje për të luajtur!

Loja dhe rëndësia e saj në zhvillimin e personalitetit    

Fëmijët luajnë për t’u argëtuar, por në qoftë se shohim më nga afër do të zbulojmë që ndodh diҫka tjetër. Loja personifikon për fëmijët një mënyrë për të njohur botën. Loja është e rëndësishme për zhvillimin e intelektit dhe të personalitetit të fëmijës po aq sa është gjumi apo ushqimi për fizikun. Nëpërmjet lojërave aktive fëmijët mësojnë sa të fortë janë dhe si të lëvizin në mënyrë të koordinuar. Lojërat e fantazisë i mësojnë fëmijëve botën e emocioneve dhe rolin e të rriturve. Lojërat krijuese i bëjnë fëmijët të krijojnë nga materialet që kanë në duar gjëra krejtësisht të reja. 


Shohim për shembull lojën Ku-Ku, ku i rrituri fsheh fytyrën me duar dhe pastaj e tregon atë, përveçse fëmija argëtohet dhe qesh me këtë lojë ai edhe mëson që njerëzit mund të ikin dhe mund të kthehen përsëri. Më vonë, kur duke shtypur një buton të një loje ajo bën “Bip”, fëmijët mësojnë lidhjen, shkak-pasojë. Fëmijët gjithashtu mësojnë të krijojnë miqësi dhe të raportojnë me të tjerët me anë të lojës. Loja i stërvit të respektojnë turnet ose se ҫfarë ndodh kur nuk i ndajnë gjërat me të tjerët.


Fëmijët e kanë lojën si një instinkt natyror që në lindje, por kjo bëhet e plotë rreth moshës 2-3 vjeҫ. Fëmija njeh botën materiale nëpërmjet lojës. Prindi jep kontributin kryesor në procesin e të mësuarit të fëmijës duke i dhënë atij mjete të ndryshme për të luajtur. Në këtë moshë fëmijët luajnë në grup, por ende jo në një skuadër. Këtë aftësi ata e fitojnë pak më vonë. Kërkojnë të marrin role brenda grupit, shpeshherë duke imituar personazhe të njohura nga librat, filmat, përrallat, televizori ose mjedisi. Roli më i rëndësishëm që ata pëlqejnë të luajnë, është roli i nënës dhe i babait. Kjo lloj loje është një pasqyrim i shqetësimit që kanë të vegjlit me një nga çështjet kryesore të zhvillimit: me zbulimin që ata bëjnë mbi raportet midis njerëzve në situata të ndryshme. 


Rreth moshës 6 vjeç duken shenjat e para të pjesëmarrjes së tyre në një aktivitet, ku për herë të parë ata pranojnë të heqin dorë nga disa dëshira personale, si një kompromis për t’u bërë pjesë e grupit. Janë çastet e para të “sakrificës”. Gjatë lojërave ata zhvillojnë ende aftësitë lëvizore dhe kërkojnë të pushtojnë një territor dhe mjetet që ju duhen për t’u kacavjerrë, lëkundur, hedhur apo rrëshqitur. Deri në moshën 7-vjeçare aftësitë e tyre të pjekura fizike bëhen kryesore dhe më të rëndësishme se imagjinata. Vajzat kanë më shumë interes për lëvizjet e gishtave, duarve, hedhjen në litar, lidhjen e fjongove, hedhjen e topit, përdorimin e gjilpërës, shpesh të shoqëruara me këngë fëminore. Ritmika e përdorur gjatë lojërave shoqëron pothuajse të gjitha aktivitetet e kësaj periudhe. Është shumë interesante se si vetë fëmijët krijojnë hapësirën e lojës, një hapësirë boshe në të cilën futen shumë fëmijë. Menjëherë ata vendosin rregulla. Secili prej tyre e di se është vetëm një anëtar i grupit. Fëmijët kërkojnë t’i japin vetes mundësinë të dallohen si individë, duke mbetur në grup. Hapësira boshe kthehet në një hapësirë të drejtuar, mbrojtëse dhe të rehatshme. Por, mbi të gjitha, kjo është një hapësirë krijuese. Një fëmijë në mes të kësaj hapësire mund edhe të trembet, por menjëherë hapësira e lojës në të folur, në të kënduar dhe me rregulla të përcaktuara bëhet qetësuese. 


Ju kujtohet rrethi i fëmijëve që luan “Hodha një letër mu në postë”? është shumë e rehatshme të ulesh si pjesë e rrethit. Nuk ka asnjë siklet dhe ka shumë mundësi që papritur të të rastisë të jesh në qendër të rrethit sipas lojës, duke u bërë “mbret” ose “mbretëreshë” në mes të grupit. Kjo është arsyeja që brez pas brezi disa lojëra të thjeshta, të shpikura nga vetë fëmijët, rrojnë kaq gjatë dhe trashëgohen nga mosha në moshë, nga kultura në kulturë.


Brenda kësaj loje, fëmijët më të rritur nuk kanë nevojë të kujdesen për fëmijët më të vegjël, vëllezër dhe motra. Argëtimi është i plotë. Lojërat në këtë moshë zhvillohen në të njëjtën kohë me aftësimin e tyre për historitë, përrallat, si dhe me detyrimet e para të të mësuarit të leximit, shkrimit, vizatimit dhe përgatitjes për shkollë. Ndërsa i nënshtrohet rregullave të grupit, fillon t’i bëjë “sfidë” rregullave familjare. “Nuk e vesh fustanin, sepse shoqet e mia nuk e pëlqejnë!”. 


Këndon këngët e shoqeve në shtëpi dhe luan lojërat e mësuara nga shoqet. Marrëdhëniet me moshatarët bëhen një pasuri e vërtetë. Dëgjohen fjalë të reja dhe gjuhë të tjera. Fëmijët 5-6 vjeçarë nuk janë të aftë për sjellje raciste (për të sharë të tjerët se janë të një race tjetër).Po se çfarë është loja, këtë e përcakton vetë fëmija. Loja e fëmijëve nuk duhet të japë asnjë produkt final, por ajo i shërben si një qëllim afatgjatë me pasoja shumë të rëndësishme dhe vendimtare për karakterin dhe temperamentin e fëmijëve. Roli që luan loja në zhvillimin e karakterit të fëmijës është shumë i rëndësishëm dhe nuk duhet nënvlerësuar. Ta privosh fëmijën nga bota e lojës është njëlloj si t’ia heqësh oksigjenin, t’ia presësh hovin e zhvillimit e pse jo ta mbytësh atë fëmijë.


(Klodjana Gega, Portali Shkollor)

5,381 Lexime
5 vjet më parë