Aktiviteti

Fëmijët dhe Kryqi i Kuq, “Protagonistët” flasin për eksperiencën e pjesëmarrjes në konkursin e vizatimeve kombëtare të KKSH

Thuajse në të gjitha shkollat e vendit është zhvilluar konkursi i përvitshëm i vizatimeve “Fëmijët dhe Kryqi i Kuq”. Komisionet tashmë kanë zgjedhur fituesit e krijimeve më domethënëse për rolin e Kryqit të Kuq Shqiptar. Për këtë eksperiencë jemi ndalur te shkolla jopublike “Protagonistët”.

Në kuadër të konkursit të përvitshëm të organizuar nga Kryqi i Kuq me temë “Fëmijët dhe Kryqi i Kuq”, edhe këtë vit nuk ka munguar në shkolla të ndryshme të vendit ky aktivitet i veçantë i cili është organizuar nën moton: “Vullnetarizmi nuk njeh moshë”.


Konkursi përfshiu shkollat 9-vjeçare, publike dhe jopublike. Projekti u zhvillua në disa faza:

  • Faza e parë, biseda në lidhje me imazhin që nxënësit kanë për Kryqin e Kuq dhe misionin e tij humanitar.
  • Faza e dytë, përgatitja dhe hapja e ekspozitave në shkollë.
  • Faza e tretë hapja e ekspozitës dhe ndarja e çmimeve për punimet më të mira. 


Kështu shumë nxënës të shkollave publike dhe jopublike të Shqipërisë i janë afruar edhe këtë vit kësaj qasjeje vullnetare me misionin e vetëm humanitar. Ndërkohë për të na folur rreth kësaj eksperience na është prononcuar mësuesja e artit në shkollën jopublike “Protagonistët”, Iriana Papamihali. 

Konkretisht, në fund të muajit mars nën kujdesin e saj, në këtë shkollë u zhvillua ekspozita me krijimet e nxënësve. Nxënësit që morën pjesë në këtë ekspozitë, prezantuan secili krijimin e bëra dhe bënë një përshkrim se si e kanë portretizuar ata rolin e Kryqit të Kuq Shqiptar, në veprat e tyre. Pas diskutimeve, nëpërmjet komisionit si dhe me votim nga vetë nxënësit u përzgjodhën 11 punimet më të mira, të cilat u dërguan pranë Kryqit të Kuq Shqiptar. 

“Shkolla Protagonistët ka marrë pjesë edhe në ekspozitat e mëparshme që ka zhvilluar Kryqi i Kuq Shqiptar. Nuk kishim si të mungonin edhe këtë herë. Pas fushatës sensibilizueze që u bë në çdo klasë, nxënësit filluan të reagonin dhe të tregonin interes duke sjellë punime. Një grup nxënësish u mblodhën në sallën e projekteve nën kujdesin tim, për të biseduar rreth temës dhe për të krijuar, duke i dhënë formë ideve të tyre për vullnetarizmin. Shpesh nxënësit tanë solidarizohen, duke ndihmuar bashkëmoshatarët e tyre në raste të fatkeqësive natyrore dhe jo vetëm. Ditë pas ditë nxënësit sollën krijimet e tyre në teknika të ndryshme, si në vizatim, akuarel, tempera, rapitograf, akrilik, etj. Nxënësit nëpërmjet krijimeve përcollën mesazhe interesante me gjuhën e simboleve dhe të gjetjeve artistike për misionin humanitar të Kryqit të Kuq. Në të gjitha punimet mbizotëronte vullnetarizmi dhe dashuria për njerëzimin”, kështu është shprehur mësuesja Iriana Papamihali.



Më pas aktiviteti i Kryqit të Kuq Shqiptar u pasua nga një ekspozitë me temë: “Fëmijët dhe Kryqi i Kuq”, më datën 27 prill 2023. Kjo ekspozitë u çel në hollin e TOB, me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollave 9-vjeçare publike dhe jopublike të Tiranës. Shkolla “Protagonistët” u përfaqësua me dinjitet me punimet e njëmbëdhjetë nxënësve të klasave të ndryshme, të cilat ishin përzgjedhur më parë. 


“Momenti i ndarjes së çmimeve në ekspozitë ishte shumë emocionues për nxënësit e shkollës ‘Protagonistët’, sepse u nderuan për punën e bërë me Çmimin Special që iu dha nxënëses së klasës së 6a, Rea Perihana, ndërsa Çmimi Inkurajues iu dha nxënëses së klasës së 5a, Ajla Andrea. Ju urojmë suksese të mëtejshme nxënësve të shkollës “Protagonistët” në ekspozita të tjera!”, është shprehur entuziaste mësuesja Iriana Papamihali.

Vizatimi i vlerësuar nga KKSH me Çmimin Special i nxënëses Rea Perihana, klasa 6-A, shkolla Protagonistët 

Certifikata e Rea Perihana

Vizatimi i vlerësuar nga KKSH me Çmimin Inkurajues i nxënëses Ajla Andrea, klasa 5-A, shkolla Protagonistët 

Ajla Andrea, nxënësja e klasës 5-A shkolla "Protagonistët"

Punimet fituese do të përfaqësojnë Tiranën në Konkursin Kombëtar të Kryqit të Kuq, me 8 Maj 2023. Pra e gjithë kjo fushatë do të kurorëzohet më 8 Maj, Ditën Botërore të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, me hapjen e ekspozitës kombëtare të vizatimit. 


Nga Nanila Allkja Biçaku 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

749 Lexime
11 muaj më parë