Fëmijët e 9-vjeçareve në Shkodër dëshmuan shumëçka në Festivalin e Teatrove

Një shkrim që rrëzon paragjykimet për brezin e ri, duke sjellë shembuj frymëzues nga Festivali i Teatrove në Shkodër. Fëmijët dëshmojnë talent, pasion për leximin dhe artin, si dhe aftësi të jashtëzakonshme shprehëse, duke dhënë mesazhe të forta për shoqërinë.

Nga Evans Drishti 



Seç na ka zënë një prirje këto kohët e fundit për “t’i ndërshkuar” fëmijët e brezit të rinj se nuk lexojnë, nuk studiojnë, nuk mësojnë dhe se nuk dijnë gjë tjetër, veçse të merren me telefon! 


Larg përgjithësimeve, se gaboheni!  


Prej disa javësh ka çelur siparin një event mjaft mbreslënës titulluar ”Festivali i teatrove për fëmijët e 9-vjeçares” këtu në Shkodër, për të vijuar një shtrirje më të gjerë më pas. 


Le të shpjegohemi që në fillim për diçka! 


Po i quajmë fëmijë, pasi të tillë janë, por t’i shohësh nga paraqitja dhe intelekti, na shfaqen shtatlartë dhe mendjendritur, gati për të na u bërë krahu ynë i djathtë. 


Aty gjeni fëmijë, që e duan shumë fjalën e bukur, e duan ritmin, e duan të bukurën dhe të ëmblën në mesazhet që përcillen plot ndjenjë. 


Aty gjeni fëmijë, që prej ditësh e javësh kanë lexuar me shumë përkushtim tekste letrare e joletrare të ligjërimeve të ndryshme me fjalë, shprehje të figurshme e fjali të ndërtimeve të ndryshme. 


Aty gjeni fëmijë, që e posedojnë fjalën e bukur shqipe me tërë forcën dhe pushtetin që meriton, që respektojnë mjeshtërisht theksin dhe intonacionin e fjalës dhe të fjalisë, që dijnë të peshojnë në vlerën dhe peshën e një fjale dhe të një shprehjeje. 


Aty gjeni fëmijë, që personazhet e kolosëve të letërsisë shqipe dhe të huaj i kanë poseduar aq mjeshtërisht, sa për pak çaste pandehni se po shihni dhe po përjetoni origjinalitete të tyre të kthyer në kohë. 


Aty gjeni fëmijë, që e kanë bërë pjesë të qenies së tyre shpirtërore dhe mendore fjalën e bukur duke lodruar me të si në një miqësi të ngushtë dhe të pandarë. 


Aty gjeni fëmijë, që të mahnisin me përshkrimet dhe rrëfimet që përcjellin me një frymë melodioze që të rrëmben për të mos të lëshuar asnjë çast. 


Aty gjeni fëmijë, që të kthejnë mjeshtërisht në traditat e hershme të kulturës sonë të gjerë popullore. 


Ashtu sikurse 

Aty gjeni fëmijë, që të japin mesazhe të forta edhe në luftën e hekurt me të cilën po përballemi me zhvillimet e fundit teknologjike. 

Fëmijë që reflektojnë, 

fëmijë që arsyetojnë, 

fëmijë që sjellin përfytyrime mahnitëse, 

fëmijë që të përlotin me përjetimet që përcjellin dhe tejçojnë aq mjeshtërisht dhe artistikisht bukur, 

fëmijë që të marrin me vete duke të përfshirë në labirinte të paimagjinueshme. 

Fëmijë që gjykojnë si të rritur mbi efektet pozitive dhe negative të përdorimit të telefonit dhe teknologjisë avancuese. 

Fëmijë që dijnë të organizohen mjaft mirë në grupe duke ofruar performanca prej artistësh profesionistë. 

Të tillë fëmijë s’janë dy a tre, por janë me dhjetëra. Këta fëmijë nuk i gjeni vetëm në shkollat më në zë të qytetit, por i gjeni në çdo shkollë. 


Po, e vërtetë, këta fëmijë dijnë ta përdorin telefonin mjaft mirë, dijnë të luajnë me shoqërinë e tyre mjaft bukur, por këta fëmijë dijnë edhe të lexojnë ëmbëlsisht, dijnë të mësojnë përmendësh vargje dhe rrëfenja të kolosëve tanë, ashtu sikurse ka edhe nga ata që dijnë të krijojnë mjeshtërisht si të ishin pena të arta të mendjeve profesioniste. 


Këta fëmijë janë pjesë e shoqërisë sonë, pjesë e rretheve tona familjare e farefisnore, i kemi në lagjet tona, në pallatet tona, në qytetin tonë. 


Një event i tillë në fakt u nis nga një inisiativë e ish-drejtoreshës së Teatrit Migjeni artistet së njohur Rita Gjeka, e cila angazhoi aktorët e teatrit Migjeni në shkollat e mesme të qytetit për të ngritur trupat teatrore për të rinjtë. Duke qenë se prej disa vitesh jepen fryte në këtë drejtim, ZVAP Shkodër pa të arsyeshme që kjo nismë të shtrihet edhe për nxënësit e 9-vjeçareve në disa faza. 


Ndaj edhe faza e parë e këtij organizimi u finalizua dje në Qendrën Kulturore të Fëmijë Kujtim Alija me shfaqjet e organizuara nga katër grupet finaliste të këtij eventi, të cilat ishin shkollat: Ndre Mjeda, Martin Camaj, Ali Laçej dhe Medreseja “Haxhi Sheh Shamia” dega e djemve, ku fituese u shpall shkolla 9-vjeçare Ali Laçej. 


Fëmijët e të gjitha shkollave pjesëmarrëse dëshmuan shumëçka nëpërmjet këtij eventi, por mbi të gjitha demonstruan: zell, vullnet, dëshira, pasione, ambicie, e mbi çdo gjë ushqejnë në shpirtrat e tyre talente që presin duartrokitjet e spektatorëve dhe mbështetjet e familjeve, të mësuesve dhe drejtuesve për një vemendje të domosdoshme për zhvillimin dhe integrimin e tyre në shoqëri.




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

82 Lexime
2 orë më parë