Projekt

Feride Uka, nxënësja e parë që ka shpalosur idetë për përmirësimin e gjendjes arsimore në Kosovë

Feride Uka ka thënë për Portalin Shkollor se arsimi është dega kryesore e një shteti. Megjithatë, në Kosovë ajo mendon se kjo temë nuk diskutohet aq sa duhet.

Feride Uka, nga Vushtrria, ka krijuar një webfaqe për Arsimin në Kosovë. Nxënësja studion në gjimnazin matematikor në Prishtinë. Kohën e lirë e kalon duke programuar, është tip studioz, dhe i pëlqen të lexojë libra dhe të shikojë filma. Si synim ka të studiojë në Fakultetin e Inxhinierisë Kompjuterike në një vend të huaj nëse i ofrohet ndonjë bursë, por prapë nuk përjashton mundësinë e vazhdimit të shkollimit në Kosovë.  


Krijimi i webfaqes i ka ardhur si ide shumë spontane. Feride Uka ka thënë për Portalin Shkollor se arsimi është dega kryesore e një shteti. Por, ajo mendon se në Kosovë nuk diskutohet aq sa duhet. Kështu që përmes web faqes që ka krijuar është munduar të japë ide në mënyrë që të ndikojë sadopak në Arsimin në Kosovë, gjë që nxënësja konstaton se prapëseprapë nuk është arritur.


Nxënësja, duke marrë parasysh eksperiencën në shkollë fillore dhe në gjimnaz, mendon se vlerësimi i nxënësve me teste nuk është aspak një metodë efektive dhe e demoralizon nxënësin jashtë mase. Gjithashtu, një ndër mënyrat që mësimdhënësit përdorin më së shumti është mësimi teorik, ku japin jashtëzakonisht shumë teori për të mësuar dhe nuk i kushtojnë rëndësi metodës praktike.


Në webfaqe nxënësja e talentuar ka përshkruar gjendjen momentale të arsimit në Kosovë, duke konstatuar se sistemi arsimor i Republikës së Kosovës është jo i duhur dhe jo efikas. Si rezultat, Kosova renditjet në garat dhe në fushën e arsimit i ka shumë të ulëta dhe jo reale në relacion me inteligjencën dhe kapacitetin e popullit kosovar. 


“Për sistem më të mirë arsimor duhet të bëhen ndryshime rrënjësore në metodologjinë e mësimdhënies, e cila bazohet në memorizim dhe mësim mekanik. Kjo metodologji duhet të zëvendësohet me një metodologji që bazohet në të menduarit kritik dhe në një ambient mësimor, ku raporti mësues-nxënës është konstruktiv dhe kooperativ”, shkruan Feridja në web faqen e saj.


Për më shumë, ka shprehur edhe ide dhe propozime për përmirësimin e gjendjes së arsimit në Kosovë. Disa nga idetë e saj janë:

 

Ndryshime në udhëzime administrative- MASHT

a) Masa disiplinore më të mira për nxënësit

b) Masa për prindër, në rast se nxënësit nuk i përfillin rregullat shkollore

c) Pranimi i punëtoreve të arsimit sipas aftësive profesionale dhe shkollimit adekuat

 

Përgatiti: Era Baliu, gazetare përgjegjëse e Portalit Shkollor Albas për Kosovën

 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,957 Lexime
2 vjet më parë