Festë madhështore në Volketswil të Zvicrës!

Në një atmosferë të jashtëzakonshme në Volketswil të Zvicrës, mbi 200 nxënës të shkollave shqipe u bashkuan për një festë sportive dhe kulturore, ku pjesëmori edhe Lorik Cana. Turneu “Volketswil 25” promovoi gjuhën shqipe, identitetin dhe bashkëpunimin mes mësuesve e prindërve.

Sa herë që bëhen bashkë veprimtarë të cilët me angazhimin dhe përkushtimin e tyre vullnetar shtrojnë një qëllim në shërbim të gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar, sukseset nuk mungojnë. Një gjë të tillë përjetuam në turneun e shkollave “Volketswil 25”, ku bashkëkryetari i Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër, Vaxhid Sejdiu, dhe legjenda e futbollit shqiptar, Lorik Cana, bashkuan forcat në bashkëpunim me prindërit vullnetarë dhe mësuesit e shkollave shqipe. Volketswili i Kantonit të Cyrihut u shndërrua më 18 maj 2025 në një qendër prezantimi të sportit, por në fakt ishte qendër e gjuhës shqipe dhe kulturës kombëtare.


Programi nisi me një atmosferë emocionuese ku të gjithë nxënësit, të veshur kuq e zi, kënduan së bashku këngën “Përjetësisht me ty Shqipëri” të përgatitur nga mësuesja Qefsere Sejdiu. Kjo këngë simbolike riktheu për një çast ndjenjat e atdheut dhe dashurisë kombëtare në zemrat e të pranishmëve.


 

Të dielën, më datë 18 maj 2025, në Volketswil të Zvicrës u zhvillua turneu i shkollave shqipe, në të cilin mori pjesë edhe legjenda e futbollit shqiptar, Lorik Cana. Me praninë, respektin dhe dashurinë e tij ndaj fëmijëve që mësojnë shqip, nxënësit, mësuesit dhe prindërit e shumtë që kishin ardhur për të marrë pjesë, ky aktivitet u shndërrua në një festë madhështore.


Fushat e sportit të shkollave “Feldhof” dhe “Central” në Volketswil ishin “pushtuar” nga nxënësit dhe prindërit shqiptarë që kishin ardhur nga të katër anët e Zvicrës. 


Nxënësit të veshur kuq e zi, e filluan programin e aktivitetit me këngën “Përjetësisht me ty Shqipëri”, të përgatitur nga mësuesja Qefsere Sejdiu. Zëri i ëmbël i fëmijëve, duartrokitjet e prindërve dhe jehona e këngës pushtuan hapësirën, duke na kthyer për një çast në Atdhe.


Mbi 200 nxënës nga shkollat shqipe të qyteteve si Cyrih, Affoltern, Regensdorf, Rümlang, Fahrweid, Neuenhof, Wetzikon, Rüti, Uster, Pfäffikon, Volketswil, Spreitenbach, Schwerzenbach, Fehraltorf, Feuerthalen, Schaffhausen, Romanshorn, Amriswil, Sirnach, Oetwil am See, Küsnacht, Zug, Cham, Rorschach, Vevey, Aigle, Glarus, Othmarsingen, Aargau e të tjera, morën pjesë në këtë aktivitet shkollor.


E gjithë kjo atmosferë shpresëdhënëse që zgjati më shumë se pesë orë ishte një frymëzim, në radhë të parë për prindërit shqiptarë që kujdesen që fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën amtare, por edhe një porosi për të gjithë të tjerët, të cilët pa ndonjë arsye kanë mbetur jashtë këtij angazhimi të domosdoshëm, që edhe fëmijët e tyre të vijojnë mësimet në gjuhën shqipe. Vetë vargjet e këngës “Përjetësisht me ty Shqipëri” flasin vetë:


“Shqipëri o nënë e madhe / Më e shtrenjta dashuri / Kuq e zi djemtë e Atdheut / Përjetësisht me ty Shqipëri!”, janë vargje që na obligojnë moralisht dhe kombëtarisht të kujdesemi për gjeneratat e reja.


Në ballë të aktivitetit ishin mësuesit: Qefsere dhe Vaxhid Sejdiu, Anita Duriçi, Ardita Abazi-Elezaj, Valbona Alili, Lumnije Klinaku-Neziri, Minire Azemi, Isuf Ismaili, Nuraj Iljasi Mirsime Muja, Teuta Myrtaj, etj., si dhe prindërit vullnetarë: Ramiz Hasani, Arlind dhe Lira Nocaj, Sadat Huneli, Nehat Bulica, Besart Hyseni, Festim Krasniqi, Ekrem Sulejmani, Driton Kelmendi, Abedin Kabashi, Lavdie Zeneli, Gëzim Shala, Mentor Selimi, Miran Thaqi, Shabi Maliqi, të cilët me përkushtimin e tyre arritën që ky aktivitet sportiv të përmbyllet ashtu siç duhet.


Një falënderim i veçantë shkon për Ibrahim Zilin, i cili kishte ardhur nga Lozana për të marrë pjesë në turne, duke u shërbyer ushqime nxënësve të shkollave shqipe. Po ashtu, Kasam Selimi nga programi “Sporti në Diasporë” dhe fotografi profesionist Afrim Nevzadi, si zakonisht, ishin në shërbim të aktivitetit duke fiksuar pamjet më të bukura për fëmijët shqiptarë.


Drejtuesi i shkollave shqipe, Vaxhid Sejdiu, falënderoi gjithashtu sponsorët gjeneralë: Bislim Sylin dhe Nezir e Hidajete Islamajn, të cilët ndihmuan materialisht organizimin e këtij aktiviteti duke u bërë edhe sponsor gjeneral i turneut.


Në qendër të gjithë kësaj ngjarjeje sportive për vogëlushët e shkollave shqipe ishte dhe mbeti legjenda e futbollit shqiptar, Lorik Cana, i cili gjatë gjithë kohës, me respekt dhe dashuri të veçantë, u qëndroi pranë jo vetëm qindra fëmijëve, por edhe prindërve të tyre për ndonjë autograf, fotografi, përshëndetje vëllazërore, urim apo një përqafim sportiv, duke dëshmuar nivelin e tij të lartë njerëzor dhe sportiv.

Pas garave disa orëshe mes shkollave, të cilat u zhvilluan në një atmosferë të bukur sportive, turneu përfundoi me këtë renditje:


Në fund të turneut, bashkëkryetari i Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër, Vaxhid Sejdiu, nderoi me mirënjohje legjendën e futbollit shqiptar Lorik Cana, z. Ibrahim Zilin si dhe gazetarin e programit sportiv “Sporti në Diasporë”, z. Kasam Selimin.


Sektori për informim. 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

475 Lexime
1 javë më parë