Fjala, tradita dhe frymëzimi poetik - Shkolla “Vinçenc Prendushi” feston Muajin e Letërsisë
Në kuadër të Muajit të Letërsisë, shkolla “Vinçenc Prendushi” zhvilloi aktivitete që promovuan kulturën, gjuhën e traditat shqiptare. U organizua Panairi i Folklorit e i Ushqimeve Tradicionale, si dhe një takim frymëzues me poeten Rita Petro, që solli dritë, emocion e dashuri për fjalën shqipe.
Në kuadër të Muajit të Letërsisë, nxënësit e shkollës 9-vjeçare dhe të mesme Vinçenc Prendushi zhvilluan një sërë aktivitetesh që synonin të thellonin dashurinë për kulturën, gjuhën dhe traditat shqiptare. Një ndër aktivitetet më të veçanta iu kushtua folklorit shqiptar, si një pasuri e çmuar shpirtërore që ruan historinë, zakonet dhe identitetin tonë kombëtar.
Folklori u trajtua si një urë lidhëse mes brezave, që përcjell kujtimet, besimet dhe mënyrën e jetesës së të parëve tanë.
Për këtë arsye, nxënësit sollën objekte artizanale dhe antike që përfaqësonin jetën tradicionale shqiptare, si vegla pune, kostume popullore, objekte shtëpiake, stoli dhe elemente të tjera me vlerë etnografike. Të gjitha këto u prezantuan në Panairin e Folklorit, i cili u shndërrua në një ekspozitë plot ngjyra, histori dhe emocione.
Në këtë veprimtari, nxënësit ishin veshur me kostume popullore të krahinave të ndryshme të Shqipërisë, duke sjellë një atmosferë autentike e festive. Ata prezantuan valle e këngë popullore, si dhe pjesë muzikore në piano, të cilat u mirëpritën me duartrokitje nga të gjithë të pranishmit.
Paralelisht u zhvillua edhe Panairi i Ushqimeve Tradicionale, ku u ekspozuan dhe u shijuan gatime karakteristike nga trevat e ndryshme të vendit, duke promovuar kulinarinë si pjesë të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore.
Në vijim të aktiviteteve, një ditë tjetër u mbajt edhe një takim frymëzues me shkrimtaren e njohur Rita Petro, ku nxënësit patën mundësinë të diskutojnë me të mbi krijimtarinë e saj letrare, librat që ka botuar dhe temat që ajo trajton.
Po ashtu, u zhvillua një bisedë e hapur mbi sfidat e rinisë së sotme në përdorimin e gjuhës shqipe, duke nxitur reflektimin dhe ndërgjegjësimin për ruajtjen e pastërtisë gjuhësore.
Takimi me poeten e mirënjohur ishte një ngjarje që mbushi me dritë dhe frymëzim ambientet e shkollës sonë. Që në momentin e parë, prania e saj solli një atmosferë të ngrohtë, të qetë dhe një ndjenjë të veçantë emocioni që ndjehej në çdo sy e në çdo buzëqeshje të nxënësve. Poetja hyri në sallë me thjeshtësi e dashuri, siç hyn fjala e mirë në shpirtin e njeriut.
Në këtë bashkëbisedim, Rita Petro nuk ishte thjesht një poete që lexonte vargje, por një grua që ndante përvoja, ndjenja dhe rrugëtimin e saj jetësor me një sinqeritet prekës. Ajo foli për fillimet e saj në poezi, për frymëzimin që buron nga jeta e përditshme, për dashurinë, dhimbjen, nënën, fëmijërinë, atdheun dhe botën e brendshme të gruas shqiptare.
Në fillim të takimit, nxënësit recituan poezi të zgjedhura nga krijimtaria e autores, duke e bërë atmosferën të ngrohtë dhe emocionale. Më pas, shumë nxënës drejtuan pyetje lidhur me jetën dhe veprat e saj, me mënyrën si ajo frymëzohet në procesin krijues. Shkrimtarja u përgjigj me dëshirën më të madhe, duke ndarë përvoja dhe këshilla të vlefshme për të rinjtë.
Nxënësit e dëgjonin me vëmendje, të pushtuar nga magjia e zërit të saj poetik, dhe në sytë e tyre lexohej kureshtja, admirimi dhe respekti për një krijuese që di të flasë drejtpërdrejt me zemrën. Pyetjet e tyre u shndërruan në ura komunikimi, ku poetja dha përgjigje me ngrohtësi, shpesh me humor, duke i ftuar të rinjtë të besojnë në vetvete, në ëndrrat e tyre dhe në fuqinë e fjalës.
"Ky takim na mësoi se letërsia nuk është vetëm tekst në libra, por është ndjenjë, është frymë që na afron, që na pasuron shpirtin dhe na ndihmon të kuptojmë më mirë veten dhe botën. Të gjithë dolëm prej sallës me një ndjesi gëzimi dhe frymëzimi të thellë, me një ndjenjë mirënjohjeje për mundësinë që patëm të takonim një zë të rëndësishëm të poezisë bashkëkohore shqiptare. Shkolla jonë i shpreh falënderimet më të sinqerta poetes Rita Petro, për fjalët e saj të ngrohta, për dritën që solli mes nesh dhe për emocionin që do të mbetet gjatë në kujtesën e çdo nxënësi. Ky takim do të kujtohet si një ditë e veçantë, ku fjala poetike u bë urë midis brezave, midis mendjes dhe zemrës, midis shkollës dhe shpirtit të artit", kështu u shpreh drejtoresha e shkollës Bruna Perja.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Pse duhet të lexosh? Këto 100 thënie për leximin janë për ty...
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Panairi i 27-të i Librit në Tiranë këtë vit do të zhvillohet në datat 13-17 nëntor