Strega Europeo 2021

Georgi Gospodinov fitoi çmimin më prestigjioz italian për letërsi

Çmimi i letërsisë Strega Europeo 2021 shkoi për autorin bullgar Georgi Gospodinov. Vepra të Gospodinovit janë përkthyer edhe në shqip. Veçojmë këtu romanin Fizika e trishtimit, i sjellë nga Albas.

Shkrimtari Georgi Gospodinov fitoi çmimin më prestigjioz italian për letërsi Premio Strega Europeo 2021. Ai është shkrimtari i parë bullgar, që merr çmimin në kategorinë e autorëve evropianë, si dhe shkrimtari i parë nga Evropa Lindore që nderohet me këtë çmim. Çmimi u dha në një ceremoni në Torino në Panairin Ndërkombëtar të Librit.


Romani i Gospodinovit u zgjodh nga një juri prej 20 shkrimtarësh italianë – fitues ose pretendentë për çmimin kombëtar "Strega".


Vepra të Gospodinovit janë përkthyer edhe në shqip. Veçojmë këtu romanin Fizika e trishtimit.


Nuk është rastësi që, ndërsa bisedonte në prani të gazetarëve, autori fitues i Premio Strega Europeo, përmend historitë e gjyshes së tij. Ideja e Gospodinovit është se "një nga zgjidhjet e mundshme kundër krizës së kuptimit që po kalojmë, jo vetëm në Evropë, por në përgjithësi si qenie njerëzore, është kthimi në zemrat e ngrohta me histori, historitë e të gjithëve, jo vetëm të shkrimtarëve të mëdhenj”. 


“Duke rrëfyer, – shpjegon ai, – krijon ndjeshmëri dhe kujtesë. Një shoqëri që nuk tregon më histori, është sikur të vuante nga Alzheimer social”. 


Gospodinovi, duke folur për Evropën Lindore, ka thënë se nuk i pëlqen klasifikimet, por pranon duke pohuar se: "Ne tregimtarët e Evropës Lindore kemi mbi supet tona një çantë shpine me histori që ende nuk janë thënë". Ai dëshmon se ka udhëtuar në kontinent vetëm pas vitit 1989: “Unë e kam jetuar këtë udhëtim, duke menduar për dëshirën e gjyshërve dhe të prindërve që nuk mundën dot ta bënin këtë gjë”.  “Ne duhet ta rimarrim atë ëndërr, të rizbulojmë mitin evropian. Për mua ajo ka mbi të gjitha një vlerë morale, është e lidhur me lirinë”.

Por si, do të thoshim ne? 


Ai thotë: “Përveç tregimit të historive, duhet të kujtojmë se fëmijët tanë na shikojnë, na vëzhgojnë. Ajo që na bashkon janë pikërisht ata, idealja e tyre, e ardhmja e tyre. Dhe ky mendim mund të na udhëheqë për gjithçka: migrimet, mjedisin, shpërthimet e urrejtjes etj". 


Muri i krijuar midis Bullgarisë e Turqisë, dhe të tjerëve në kufijtë e Evropës, e shqetëson atë: “Virusi i nacionalizmit është ngjitës. Kjo është arsyeja pse, e përsëris, ne kemi nevojë për histori: për të luftuar kundër përgjigjeve të lehta, krizën e zvogëluar, të ngjeshur e të shfrytëzuar të kuptimit. Sidomos në epokën e medieve të reja, në vend të agresivitetit, t’i jepet hapësirë reflektimit”. 


Romani Strehim kohe i Gospodinovit fitoi në konkurrencë me libra të autorëve të famshëm, si fituesi i Goncourt Herve Le Tellier, gjermanja Anne Weber – e dekoruar me Çmimin Gjerman për Letërsi dhe rumunja Ana Blandiana. 


"Kultura jep shtysën për të bërë të pamundurën," tha Giovanni Solimine, president i Fondacionit Bellonci, i cili, së bashku me kompaninë Strega Alberti Benevento dhe sistemin e bibliotekave dhe qendrave kulturore të Romës, promovon Strega Europeo. Edhe në pandemi, shtoi drejtori i Fondacionit Stefano Petrocchi, "librat kanë qenë një mënyrë për të shkurtuar distancat".



Romani “Fizika e Trishtimit”

“Fizika e trishtimit” tashmë është në libraritë shqiptare prej kohësh, i sjellë në shqip nga përkthyesja Milena Selimi. Kjo është vepra e dytë në gjuhën shqipe e Gospodinovit,  pas  veprës “Roman natyral”. Shqipja është gjuha e shtatëmbëdhjetë në të cilin është përkthyer romani “Fizika e trishtimit”, i cili është vlerësuar dhe me çmimin prestigjioz “Angelus” për roman më të mirë evropian të përkthyer në polonisht.


“Ky është një roman, i cili është shkruar në një kapsulë kohore – thotë Milena Selimi në një intervistë televizive, teksa shton se “Në fillim të librit autori thotë ‘unë jemi’ dhe në fund të librit thotë ‘unë ishim’. Janë shumë të forta këto dy fraza, sepse kjo kapsulë kohore i përket një brezi, i përket gjeneratës së autorit, ai është i gjeneratës sime – 1968-a, dhe pothuajse të gjitha historitë që janë mbledhur brenda – disa personale e disa jopersonale, i përkasin kësaj gjenerate. Të gjitha këto histori, të ndërthurura njëra me tjetrën, përbëjnë një gërshetim, të cilat herë të çojnë në kohë pas dhe herë të çojnë në një kohë e cila nuk ka ardhur akoma.... Dhe ky labirint, në të cilin ai e ka ndërtuar romanin, me këto histori, ka në qendrën Minotaurin – një figurë shumë e rëndësishme në mënyrën se si ai simbolizon vetë individin... Autori shumë herë thotë që brenda secilit prej nesh ka një Minotaur...”.


Prezantimi i librit “Fizika e Trishtimit” u zhvillua në kuadrin e “Panairit të Librit” në Tiranë në vitin 2019 dhe të gjithë ata që janë kureshtarë ta lexojnë veprën më të shquar të autorit më të lexuar bullgar, mund t’i vizitojnë libraritë Albas në Tiranë, Prishtinë dhe Tetovë, ose mund t’i porosisin online në www.librarialbas.al



Përgatiti: Nanila Allkja Biçaku 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,575 Lexime
2 vjet më parë