POETI

Gjenia krijuese e Frederik Rreshpjes, shkrimtari i kapërcimeve të mëdha

Moderniteti i Rreshpjes shtrihet në muzikalitet, në formë, në përmbajtje, në fjalë, në sintaksë, në stilistikë, në figurë letrare, në gjeninë e tij krijuese. Katërmbëdhjetë vite nga largimi i tij!

Për Rreshpjen jeta ishte arti i fjalës, e arti ishte jeta.

Nga Parajsa Shtini

Rreshpja, një ndër figurat më  komplekse të poezisë shqipe, mbush 14 vite të largimit nga jeta. Umberto Eko thotë se artistët nuk vdesin kurrë, sepse ajo se çfarë lenë pas, është trashëgimia artistike, e përcjellë në breza të tërë. Artistët e mëdhenj rrallë e prekin famën, suksesin dhe mirënjohjen e publikut në gjallje të tyre, e Rreshpja ishte një ndër fatkeqët. Por arti i vërtetë e gjen rrugën në cilëndo periudhë, sepse mbijeton. E sot, Rreshpja qëndron hijerëndë krahas figurave më të shquara të poezisë shqipe. 


Frederik Rreshpja, kjo figurë e jashtëzakonshme e artit të fjalës. Lëvrimi i gjuhës, përmes instrumentave të rëndësishëm, si melodia e fjalës, e bëjnë Rreshpjen të pakrahasueshëm. Muzikaliteti është ajo që na shoqëron gjatë poezive. 


Moderniteti i Rreshpjes shtrihet në muzikalitet, në formë, në përmbajtje, në fjalë, në sintaksë, në stilistikë, në figurë letrare, në gjeninë e tij krijuese. 


"Ku ka varg të Rreshpjes, ka gjenialitet. Ka frymëzim, ka botë, ka kapërcime të tejskajshme të cilat mendja racionale nuk i ngërthen dot".


Aliteracioni, metafora, asonancat, kosonancat, si në vargjet e mëposhtme, përsërisin kaq shpesh germën "sh", saqë e gjithë panorama na ofron vjeshtën, në imazh dhe në përjetim.


'Requiem'

Noton në përrua me gjethet mbështjellë

Një ditë e vdekur vjeshte

Dhe shtergët e fundit shkuan të ngrirë

Mbi syte e verdhë në heshtje


Rrëzohet nga drurët trishtimi i borës

Lugina me hënë e lyer

Dhe drerët e erës vënë kujen në dhembje

Me brinjët prej akulli thyer


Më vdiq dhe kjo vjeshtë, më shkoi dhe kjo ditë

Qefini me gjethe tharë

O dimri i drerëve me brirët në erë

Kë vjeshtë të qaj më parë?


Cili poet tjetër shqiptar, sidomos në periudhën kur shkroi Rreshpja, mund të shkruante për "drerët që fluturojnë në erë me brinjë prej akulli?", apo për "shtergët me sy të verdhë". Kush do fliste kaq hapur me mjetet e modernitetit si përshembull 'trishtimi i borës', 'qefin prej gjethesh', 'Ditët e vdekura'. Teoria e ajsbergut të Heminguejt, nuk do gjente një konkretizim më fin. Aty ku përjetimi, imazhi, muzika, shpirti, nuhatja bëhen njësh. Ndaj, moderniteti i Rreshpjes shtrihet kudo. 


Krijimtaria e Rreshpjes, qëndron pa frikë, krah gjithë krijimtarisë botërore, në të njëjtat vlera letrare, shije estetike me Bodlerin e Rilken. Për Rreshpjen jeta ishte arti i fjalës, e arti ishte jeta.



(Portali Shkollor)

1,797 Lexime
4 vjet më parë