E rrallë

Gjest i guximshëm, ese replikuese në testin e matematikës

Besa Kaziu, nxënësja e vitit të tretë në Shkollën "Willson" në Tetovë habit mësuesit. Shkruan ese në testin e matematikës. Ajo do ta pëlqente më shumë këtë lëndë nëse do të shpjegohej bukur dhe për këtë nuk dëshiron të gjykohet si “peshku i Anshtajnit”.

Një nxënëse e vitit të tretë nga Dibra, e cila shkollën e vazhdon në gjimnazin “Willson” në Tetovë ka bërë një veprim vërtetë të guximshëm gjatë një ore testimi në lëndën e matematikës. Në vend të paragrafëve ku mund t’i jepte zgjidhje ekuacioneve, Besa Kaziu ka shkruar aty për aty një ese tepër domethënëse. 


Esen e fillon me shprehjen e Anshtajnit “Nëse ju e gjykoni një peshk nga aftësia e tij për të ngjitur një pemë, ai do të jetoj gjithë jetën duke besuar se është budalla”, dhe jo pa qëllim!


Nga vijimi i esesë, të cilën e ka shkruar në anglisht, kuptohet fare qartë dëshira e saj për botën e të shkruarit, për ndjesitë e shpirtit të përkthyera në rreshta, për humbjen e kohës që mund t’i shkaktojë bërja e diçkaje që për të do të ishte si ai gjykimi që mund t’i bëhet peshkut për të hipur në pemë! 


Këtë filozofi të të menduari Besa e ka sjell shumë bukur me argumenta të guximshëm, për të thënë se ajo nuk është një “peshk Anshtajni”, kur vjen fjala për matematikën. Ajo e pëlqen këtë lëndë, por do të donte që të shpjegohej në mënyrë më tërheqëse nga mësuesit përkatës dhe për këtë nuk dëshiron që të gjykohet. Vlerat qendrojnë në botën shpirtërore, që për të nuk vdes kurrë! 


Më poshtë po ju sjellim esenë origjinale të Besës, ku në fund e mbyll duke shkruar në shqip: “Me respekt dhe shumë dashuri nga një njeri i thjeshtë që adhuron botën”. 

(Nanila Allkja Biçaku, Portali Shkollor) 

10,364 Lexime
6 vjet më parë