PROZË

Gri apo e Bardhë

Në takimin letrar, të organizuar nga mësuesja Anila Shahu, nxënësi Klodian Çelmeta, i gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, është prezantuar me krijimin “Gri apo e bardhë”.

Në takimin letrar të oraganizuar nga gjimnazi “Petro Nini Luarasi”, nxënësi Klodian Çelmeta, prezantohet me prozën “Gri apo e bardhë”. Primo Shllaku, studiues, krijues dhe përkthyes, i ftuar në këtë takim, e krahasoi krijimin e tij me krijimet e Kafkës. Një vlerësim ky shumë i rëndësishëm për nxënësin. Ju ftojmë të njiheni me prozën e të riut, i cili e aspiron letërsinë


Gri apo e bardhë


Dhe grija shtriu gjymtyrët e fshehtë dhe me lëkurën e saj mbuloi gjithçka. Era pushoi. Uji ndaloi së rrjedhuri. Të gjithë heshtën. Heshtja është e madhe. Në tokë gjithçka është e boshatisur dhe mbi të e nën të asgjë nuk lëshon zë. Në qiell nuk shihet gjë. Ndoshta prej grisë. Nuk e di. U duk sikur për një çast koha ndaloi dhe askush nuk u duk më; as hëna e as dielli. Gjithë cikli pushoi dhe sytë drejtoheshin te cikle të tjera. Cikle e cikle me radhë të rreshtuara në mënyrë të çakorduar; 5 këtej, ca në oborr, 2-3 andej, ca në parvaz...me një fjalë kudo, por ama dukeshin të rregullta. Dhe të gjitha ishin pushim, ishin bosh. Kur në një tingull të lehtë heshtjeje u dëgjua një krismë, të gjithë ngritën kokën lart me shpresë se mos grija do të ikte. U habitën kur panë gjymtyrët e grisë të çarë e me lëkurë të ashpër e të rrjepur që varej nga lart në drejtim të kokave të mbushura nga heshtja. Nuk e kishin parë kurrë grinë në këtë mënyrë. Në fakt nuk e kishin parë kurrë. Nga ajo kullonte gjak shtresa shtresa në formë tymi, i cili pushtoi gjithë vendin.


Dhe heshtja u thye. Nën tokë gjëmoi tmerri dhe mbitoka u ngjesh aq shumë me të saqë nuk bënin më dallim. Një shtullungë tymi u përhap kudo. Te gjithë shkulën veten nga hiçi dhe ulëritën e bërtitën kush më shumë e kush akoma më shumë. Gjithçka u kthye përmbys. Uji që nuk rridhte tashmë kullonte nga dy pasqyra tmerri të hutuara, të skuqura e të tmerruara. Ndërkohë që të gjithë shpresonin se pas grisë do të dilte e bardha, askush s'mendoi se e kundërta e grisë do të ishte gjaku i saj; e zeza e kobshme.


Të gjithë shohin njëri-tjetrin për herë të parë. Shohin veten e tyre në sytë e zgurdulluar të mbushur me lotët e të tjerëve, e vetë nuk e dinë se çfarë shohin. Nuk kuptojnë më asgjë. Në vesh kanë vetëm ulerima, thirrje për ndihmë. Gjymtyrët nuk i lëvizin, goja i rri e hapur, e vetmja shpresë përgjigjjeje është shpirti, ama as ai s'di ç'të bëjë pasi nuk e ka marrë veten nga goditja e madhe. Rrotullojnë kokën në të gjitha drejtimet dhe kerkojnë diçka ndryshe në atë të zezë shkatërrimtare dhe e vetmja gjë që i gënjen sikur është shpresë është shkëlqimi i zymtë i ujit të përmbysur. Vënë duart në kokë, ulen dhe qajnë. Qajnë e bërtasin, sepse vetëm këtë mund të bëjnë. Nuk e ngrenë dot kokën lart për të parë, sepse kanë frikë mos grija do t"i sjellë mjerime të tjera. Ulin kokën dhe tmerrohen edhe më shumë kur shohin gjysmëveten e tyre të shtrirë në tokën e shkërrmoqur. Ndaj mbyllin sytë dhe bërtasin duke heshtur. Mbyllin sytë se s'kanë më ç'të shohin. Mbyllin sytë se nuk duan të shohin më. Nuk e di.


Heshtja u ringrit në mënyrën më të keqe. Nuk ishte parë më parë që qetësia të vinte nga shpërfytyrimi i tmerrshëm i qenies njerëzore, në qoftë se kishte të tillë. Ishte aq qetësi, saqë mund të dëgjoje lotët që përplaseshin në tokë. Dëgjoheshin, pasi toka nuk i thithte dot më ato lotë. Pas çdo pike, shuhej një cikël. Dhe pas çdo cikli shuheshin shpresat se mos vallë heshtja do të rithyhej. Një qetësi që mbyste ajrin dhe helmonte dritën e rrezeve të shpirtit. Qetësi që agravoi në një heshtje të përbindshme; në një heshtje shpirtthyerish.


Në këtë vend ku pluhuri ngrihet madhështor, një barkëheshtur tejmbushet më frikë. Kaosi është ai që vetëushqehet, pasi tmerri i vërtetë është heshtja e thellësisë së pafundme shpirtërore.


E helmuar nga mendimet, në mes territ gjakatar kaloi një mizë. Një qënie e pavlerë, acaruese dhe e neveritshme, që jehonte kudo. Zhurma e saj degjohej në katër muret e hijeve të kujtimeve të ngrohta, në qepenat e patundur të dyqaneve të zhdukura, nën rrënojat e arta, në boshllëk, pra kudo. Një mizë fluturonte dhe protestonte e zëri i saj dëgjohej fuqishëm. Miza ndalonte kokë më kokë dhe ushqehej me llumin e formuar nga hiri e balta në flokët e të gjithë të heshturëve. I afrohej në vesh dhe vetëm i fliste me atë zhurmën e saj acaruese. Dhe shpirtheshturit e dëgjonin dhe nuk i kundërpërgjigjeshin dot, por vetëm prisnin që ajo të largohej. Miza u largua. Një i heshtur tentoi të lëvizte. Hoqi duart nga veshët. U mbështet pak në tokë dhe me dorë i dha një shtysë të lehtë trupit për tu çuar. Lëvizje të avashta që të mos prishte qetësinë. Shtriu këmbët, tendosi gjunjtë, drejtoi trupin dhe në fund hapi sytë. Nuk shihte gjë. Madje u verbua për një çast nga terri që pa pasi në zymtësinë e kapakëve të syve të tij ishte më errësirë. Lëvizte i çakorduar. Zgjaste duart se mos arrinte të prekte diçka, por e vetmja gjë që prekte ishte trashësia e shtresave të zeza në ajrin e helmatisur. Merrte frymë avash. Nga padija dhe frika filloi të merrte frymë më shpesh. Frymë paniku. Thithte dhe shfrynte si një turbinë dhe zhurma dëgjohej kudo në boshllëk. Kjo frymëmarrje induktoi të tilla kudo dhe të gjithë të heshturit e tjerë të ngujuar në hapësirën e tyre inekzistente filluan të bënin të njëjtën gjë. Kudo dëgjohej si një kor i çrregullt frymëmarrjesh të sforcuara të shoqëruara me një mekje të tharë. Kryelartit i shtohej gjithnjë e më shumë paniku dhe dëgjimi i frymëmarrjeve të tjera e bënin atë të shfrynte gjithnjë e më shumë derisa u mek e në fund, më në fund, klithi i dëshpëruar e ra në tokë. Dheu i shkërrmoqur e përpiu të gjithin dhe nuk u dëgjua më nga ai. Mbas klithmës mbizotëroi heshtja. Por jo për shumë kohë. Dalëngadalë filluan të çoheshin të gjithë e të hapnin sytë. Bënin të ecnin dhe ndërkohë dëgjonin zërat e njëri-tjetrit dhe të gjithë imitonin çfarë dëgjonin. Nën një kakofoni të thellë zhurmash u degjua një "Dritë". Të gjithë filluan të thërrisnin "dritë, dritë" dhe rrotulloheshin kudo. Filluan të shihnin veten e tyre dhe njëri-tjetrin. Panë edhe shtullungat e zeza që binin në tokë si coha mëndafshi të shkëlyera. Panë horizontin, shpresën e harruar që shkëlqente kudo dhe hapte hapësira të reja. Dhe në fund panë atë, të bardhën e mrekullueshme. Qeshën me sy të mbyllur drejtuar nga qielli. Disa qanin të lumtur, gjunjëzoheshin dhe falenderonin bardhësinë qiellore që i dha dritë.


Të gëzuar se gjithçka mbaroi, drejtuan qafën dhe panë tokën e tyre të dashur. Tokën e tyre të gjakosur e të mbuluar nga zija. Nuk ishte iluzion. Ata panë gjithçka. Gjithçka çfarë kishin ishte lënë në tokë e shkatërruar dhe e djegur gjer në palcë. Panë veten e tyre me gjymtyrë të çarë e të gjakosur që lëshonte zi kudo. Nje pamje e tmerrshme ofrohej për të gjithë njëlloj. Fëmijë, gra, burra, familje, dashuri...të tëra të rrënuara dhe të thara nën bardhësi. Mekje, dridhje frike e paniku, lot pezmatimi që rridhnin si ujëvara të pakontrolluara e që shtoheshin gjithnjë e më shumë, binin në tokë dhe zhdukeshin nën lëngun e zi ku ndodheshin figurat e tmerrit.


Britma, çirrje dhe mbi të gjitha fytyra. Fytyra të pasqyruara mbi sterrin e gjakut mbizotërues që përpiqen të gjejnë diçka; diçka që as ata vetë nuk e dinë se ç'është. Thjesh duan t'i referohen një gjëje. E duke kërkuar ndoshta mund ta gjejnë, e duke e gjetur ndoshta do të mund të shpëtojnë. Të shpëtojnë sytë që nuk shohin më, të shpëtojnë zërin që lëshohet në mënyrë të pakontrolluar apo veshët që u shkatërruan nga zëri i tyre. Ndoshta ishin më mirë nën errësirë. Ndoshta janë më mirë nën të bardhë. Këtë me të vërtetë që nuk e di.


(Klodian Çelmeta; Portali Shkollor)

1,931 Lexime
4 vjet më parë