“Heshtja që flet” nga Yllka Talo

“Heshtja që flet” është shkrimi letrar i Yllka Talo, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.

Ishte një nxënëse ndryshe nga të tjerët. Xh. ishte shumë e mirë, bukuroshe, e edukuar, e qetë dhe shpeshherë e heshtur. 

Por sa herë që mendoja ta pyesja duke e nxjerrë nga ai cepi i bankës ku rrinte, befasohesha, teksa shfaqej tepër e shkathët me përgjigjet e saj të sakta dhe plot arsyetim. Të ndiqte në çdo shpjegim e në çdo mimikë të fytyrës.


Të shumtë ishin nxënësit e shkëlqyer në atë klasë si: Tea, Jonidi e të tjerë të talentuar e të zgjuar, por nxënësja Xh. sillte diçka ndryshe.

I njihja kushtet e saj familjare. Prindërit i kishte të dy me aftësi ndryshe (s’arrinin as të dëgjonin as të flisnin).

Me vajzën e dashur Xh. interesohej më nga afër gjyshja, teksa e sillte në shkollë dhe e merrte në kthim, e nganjëherë s’mungonte as e ëma. 


Më ka mbetur në kujtesë një konkurs që e organizova brenda klasës. Nxënëses Xh. i caktova poemën humoristike të autorit të mirënjohur për fëmijë Tasim Gjokutaj me titull “Kush e hëngri akulloren”. Ishin plot 181 vargje.


- A e mëson dot?- e pyeta. 

-Po! - m’u përgjigj me shumë siguri me sytë që i shkëlqenin.

- Është pak e gjatë…- e vura në dukje

- Në rregull, mësuese. Do ta mësoj! – këmbënguli. 


Ishte vetëm 7 vjeçe, por kujtesa e saj më befasoi. U përgatit në kohën e caktuar.

Recitoi në mënyrë të mrekullueshme, pa gabuar fare e duke përcjellë shumë emocion tek të gjithë. E si rezultat fitoi edhe çmimin e parë. 

Prindërit, gjyshja e tezja e Xh. gjendeshin të pranishëm në sallë. U lexohej në sy krenaria e lumturia që përjetonin. 

Të mbytur nga emocioni, shpërthyen në duartrokitje.


Kur flisja me Xh. më bënte përshtypje, kur më tregonte se një pjesë të kohës së lirë e kalonte duke mësuar Alfabetin Daktil (gjuhën e prindërve të saj) për të komunikuar më lehtë me ta.

Kur shoqet e saj luanin me kukullën “Barbi” që atë kohë ishin të preferuarat e të gjithave, Xh. ndihmonte vëllanë më të vogël për mësime, ose argëtoheshin së bashku me “gjuhën e lumturisë” së familjes së tyre.

Kështu u rrit nxënësja ime model, e edukuar dhe e përgjegjshme, duke bërë krenarë prindërit, gjyshërit, të gjithë ata që iu përkushtuan e padyshim edhe mua.


Sot është një mjeke që po vazhdon specializimin.

Çdo sukses e ka arritur me forcat e veta, me punën e me përpjekjet e pareshtura dhe ka krijuar një jetë dinjitoze. Unë nuk e fsheh krenarinë e lumturinë që ndjej për të.

Rastin e Xh. ua tregoj vazhdimisht nxënësve të mi, sepse dua që ta kuptojnë se një kohë e lirë e kaluar në mënyrën e duhur, një punë e madhe e kryer me shumë pasion, të çon padiskutim drejt suksesit. 

Ka shumë rëndësi që fëmijët sot të orientohen saktë në organizimin e mirëfilltë të kohës duke u interesuar edhe për teknologjinë edhe për zhvillimin e tyre arsimor. 


Vetë prindërit janë dhe duhet të jenë modeli qendror i mirë organizimit të kohës që fëmijët e tyre të jenë sa më produktivë. 

Prandaj, të shtrenjtë prindër, jetoni përditshmërinë duke ndarë çastet më të volitshme me fëmijët tuaj duke forcuar akoma më shumë funksionin e familjes dhe peshën që duhet të ketë ajo në rritjen dhe zhvillimin e fëmijës suaj.  


Përgatitini fëmijët tuaj të jenë të gatshëm për të nesërmet. 

E ardhmja bëhet e bukur bashkërisht.  



Yllka Talo

Është diplomuar në Universitetin "Luigj Gurakuqi" Shkodër në vitin 1991. Me një përvojë 32 vjeçare ka punuar si mësuese e AF në disa shkolla të qytetit të Vlorës. Aktualisht është mësuese në shkollën artistike "Naim Frashëri". Bashkëpunëtore në disa libra mësuesish. Mban titullin "Mësues mjeshtër".  Është mentore prej shumë vitesh për studentët që përgatiten për mësues të ardhshëm. 


©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,089 Lexime
6 muaj më parë